Pushteti mafioz dhe shansi i opozitës që t’I rrëzojë nga pushteti!

Realisht Qeverinë e udhëheq PDK-ja, kurse formalisht LDK-ja! Isa Mustafa është kryeministër ”kukull”, sepse kryeministër i vërtetë që udhëheq pushtetin është Hashim Thaçi! PDK-ja nuk është futur në koalicion me LDK-në, që kjo parti ta shkapë shtetin, por as LDK-ja nuk është futur në koalicion me PDK-në për një gjë të tillë!
Dihet që monopolin më të madh ekonomik në Kosovë, e kanë kompanitë që janë të lidhura ngushtë me PDK-në, por prej që janë bërë bashkë PDK-ja dhe LDK-ja për të bashkëqeverisur, një pjesë e kulaçit nga ky monopol, i ka shkuar edhe LDK-së! Prandaj të gjitha këto janë përalla të Isa Mustafës dhe Qeverisë së tij, për eliminimin e monopoleve dhe liberalizimin e tregut të bizneseve, sepse në rast se e bëjnë një gjë të tillë, i bie që t’i godasin bizneset e veta dhe ta dëmtojnë veten e tyre!
Përmes oligarkëve të politikës që kanë interesa të përbashkëta biznesore, bizneset oligarkike monopolin absolut dhe rrjetin e tyre të krimit dhe kontrabandimit, e kanë krijuar prej pas përfundimit të luftës në Kosovë!
Prej pasluftës këto kompani kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë e Kosovës, por njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Prandaj nuk kemi zhvillim ekonomik, hapje të reja të vendeve të punës, sepse paraja është në duart e pak personave në Kosovë! Për shkak të monopolit ekonomik të krijuar nga këto kompani kriminale, dhe në mungesë të shtetit ligjor, kemi shumë pak investime të huaja dhe ikje masive të biznesve vendore drejt vendeve të rajonit, por edhe më gjerë! Trekëndëshi kriminal politikë-biznes-mafi, sot po e diktojnë ekonominë, politikën, Qeverinë, Kuvendin, gjyqësorin, prokurorinë, hetuesinë, policinë, arsimin, shëndetësinë, me një fjalë ata kontrollojnë dhe diktojnë gjithçka! Ata kanë edhe arrën edhe çekiçin, që vendosin gjithçka, madje edhe për jetën e çdo qytetari!
Kështu që këto dy parti kanë përplasje mes tyre vetëm për shkak të interesit biznesor, sepse LDK-ja dëshiron ta marrë gjysmën e hises nga monopoli ekonomik, kontrabanda, evazioni fiskal etj,  e jo konflikt për gjoja ”profesionistë” nëpër institucione, për të cilën gjë po gënjejnë! Sepse as njëra e as tjera parti, nuk ka vendosur dhe as tani nuk po vendosin profesionistë nëpër ministri dhe institucione tjera shtetërore, por kryesisht familjarë, miq, militantë, servilë dhe të dëgjueshmit e tyre!
Me këto dy parti në pushtet, që për qëllim kanë vjedhjen dhe zhvatjen e këtij shteti dhe populli, jo vetëm që nuk do të kemi shkapje të shtetit, funksionim të mirëfilltë të ligjit, zhvillim ekonomik, vende të reja të punës, eliminim të monopoleve, kontrabandës, evazionit fiskal, por këto probleme do të thellohen akoma më shumë, sepse interesat e tyre biznesore kanë lëshuar rrënjë shumë të thella!
                                         Opozita duhet të reformohet dhe të ndryshojë kursin!
Në këtë gjendje të mjerueshme në të cilën ndodhet Kosova dhe qytetarët e saj, me një shtet të kapur nga dy partitë më të mëdha në Kosovë, partitë opozitare kanë me mijëra çështje me të cilat duhet të merren, si psh korrupsionin, krimin e organizuar, papunësinë, kapjen e drejtësisë dhe shtetit etj, etj! Me çështje të kryera si Gjykata Speciale, është vetëm humbje kohe, sepse ajo punë ka përfunduar! Këto janë brengat dhe hallet e qytetarëve të Kosovës, prej të cilave po vuajnë tash e 16 vite, telashe që po ua nxijnë jetën dita-ditës, e jo Gjykata Speciale, sepse kjo Gjykatë është e mirëseardhur për këtë popull dhe shtet, nëse me të vërtetë e ka seriozisht që ta pastrojë skenën politike nga këta banditë dhe mafiozë, dhe t’i fus  të gjithë në burg për krime ekonomike, krim të organizuar, konflikt interesin, vrasje politike dhe për krime të natyrave të ndryshme! Por nëse edhe ajo nuk vepron siç duhet dhe korruptohet sikurse UNMIK-u dhe EULEX-i, atëherë s’ka çfarë të na duhet fare një Gjykatë e tillë, sepse vetëm do të na sjellë dëme akoma më të mëdha dhe do të na humb edhe nja 10 vite kohë! Opozita përveç që duhet të merret në vazhdimësi me këto çështje që na shkatërruan, ajo njëkohësisht duhet edhe të reformohet, duke sjellur në gjirin e saj intelektualë dhe njerëz të panjollosur dhe me integritet, nga shoqëria civile, mediat dhe nga bota akademike, dhe kështu do të ishte një alternativë serioze përballë elektoratit dhe pa dyshimin as më të vogël do t’i rrëzonin dhe deklasonin në zgjedhje këto dy parti në pushtet, parti që e kanë kapur shtetin keq për fyti dhe nuk po ndalen duke e shkatërruar çdo ditë në çdo qelizë të saj! Për momentin vetëm një opozitë e bashkuar, shumë e zëshme dhe e reformuar rrënjësisht, i rrëzon këta banditë dhe mafiozë nga pushteti! Përndryshe, këta mafiozë është vështirë t’i largosh nga pushteti, sepse kanë lëshuar rrënjë të thella në çdo segment shtetëror, dhe vetëm për shkak të konfliktit të tyre të interesit e rrëzojnë vetveten!

Lajme të ngjashme

Back to top button