Maqedoni, prej nesër do të ndërtohet korniza ligjore për Prokurorin Special

Deri më tani nuk ka mosmarrëveshje në lidhje me prokurorin special, sepse bisedimet themelore për kornizën ligjore që do ta garantojë autonominë e përgjithshme të funksionit të tij – do të fillojë të premten, njofton DW nga disa burime të grupeve punuese.

“Dy takimet e grupeve punuese deri tani kanë kaluar kryesisht në shpjegimin e kuptimit, rëndësisë dhe pozicionimin e këtij institucioni në sistemin gjyqësor, për të cilën sugjerimet konkrete dhe përvojat e tyre i kanë prezantuar dy ekspertë të jashtëm”, shpjegohet nga grupet punuese.

I pari ishte Xhejms Hamilton pjesëtar i ekipit të “Komisionit Evropian” udhëhequr nga Rajnhard Pribe, i cili e ka përgatitur raportin e ekspertëve për Maqedoninë. Ky ekspert juridik është me përvojë mbi 30 vjeçare në sistemin gjyqësor, prokurori dhe antikorrupsion, më shumë se një dekadë ka qenë njeriu i parë i gjykatës irlandeze, ndërkaq sot kryetar i “Asociacionit Ndërkombëtarë të Prokurorëve”, pjesëtar në Irlandë në Komisionin Venecian dhe i Komisionit të Ekspertëve për antikorrupsion në BE.

I dyti është Xhon O’Saliven, prokuror i njohur special prej SHBA-së, puna e tij e mëhershme tregon se ka zgjidhur shumë raste të rëndësishme lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas arritjes në Shkup ai është takuar me ministrin e drejtësisë, Adnan Jasharin, i cili e ka informuar ekspertin amerikan për mënyrën se si është i organizuar gjyqësori, gjithashtu edhe si funksionon, organizimi i tretmanit gjyqësorë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë. Prej anës së tij, O’Saliven e ka njoftuar ministrin me strukturën dhe funksionimin e  prokurorisë në SHBA, në të gjitha nivelet.

“Në takimin u diskutua edhe për marrëveshjen e 2 qershorit, duke e theksuar emërimin e prokurorit special si një ndër pikat kryesore që i kanë nënshkruar palët e kësaj marrëveshje”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

Gjyqësori nën mbikëqyrje

Ekspertët vijnë dhe shkojnë, por detyrë e grupit punues për nesër (21.08) është që të përgatisin propozime ligjore të cilat do ta garantojnë autonominë e prokurorit special. Pritet që propozimi ligjor të jetë i harmonizuar më së voni deri në fund të gushtit, që të vihet në votim në Parlament menjëherë pasi të kthehen deputetët e opozitës në shtëpinë legjislative, sipas marrëveshjes më 1 shtator. Pastaj, deri në emërimin e prokurorit i cili është paraparë për 15 shtator, katërshja e madhe duhet të vendosë se cilit do t’i besohet ky funksion i rëndësishëm, për ta udhëhequr plotësisht lëndën për aferën e përgjimeve.

Por, kjo nuk do të thotë që ekspertët e mbikëqyrjes do të fokusohen në zbatimin e marrëveshjes që do të drejtohet veçmas drejt këtij institucioni. Përkundrazi, nën mbikëqyrje do të jetë funksionimi i sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit. Para një muaji ministri Adnan Jashari dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet, nënshkruajtën memorandum për bashkëpunim në implementimin e projekteve për mbikëqyrje në sistemin prokuror-gjyqësor në Maqedoni.

“Rezultatet e këtij projekti do të mundësojnë të vlerësohet përparimi në fushën e gjyqësorit nëpërmjet prizmit të shumë faktorëve, të cilët më të rëndësishëm janë: kualiteti, paanësia, integriteti, pavarësia dhe imuniteti i trajtimit. Projekti do të mundësojë që nëpërmjet këtij instrumenti të ndihmohet për ndërtimin e politikave të ardhshme, ndryshime në legjislacion dhe ndjekje të zbatimit ligjor”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Sipas Jasharit, projekti do të krijojë kushte për vendosjen e praktikës gjyqësore në sistemin gjyqësor të Maqedonisë, në përputhshmëri me standardet e BE-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button