Shembull dashamirësie vëllazërore 

Mërgimtarët  tanë, kudo që jetojnë anë e mbanë botës, janë shembull  i atdhedashurisë dhe mallit të pashoq për vendlindjen e vet. Ata, e kanë dëshmuar këtë në mënyrën më të bukur  përmes veprimtarive të shumta në momentet më të vështira duke i qëndruar pranë tokës së vet arbërore  në çdo çast. Dashuria e këtillë ndaj vendit të lindjes mund të shërbej si shembulli më i mirë të gjithë popujve tjerë, pasi ashtu siç ka njeriu vetëm një nënë, ashtu edhe vendlindja është vetëm një.

Mirëpo, ajo që duhet veçuar është edhe fakti se bashkëkombësit tanë, jo vetëm se kanë  ndihmuar vendlindjen nga vendet  ku jetojnë dhe punojnë, por ata me gjithë potencialin e vet, kanë vepruar që identitetin  e vet  kombëtar ta ruajnë dhe kultivojnë në breznitë  e reja  në vende të ndryshme të botës. Dëshmi e kësaj është themelimi i shoqatave dhe fondacioneve të shumta, të cilat kanë tubuar mërgimtarët tanë që në mënyrë të organizuar, të ndihmojnë dhe të veprojnë  në ruajtjen  e  traditës, kulturës dhe gjuhës së bukur shqipe. Përveç kësaj, ata kanë themeluar edhe media të shumta, të shkruara dhe elektronike,  për të qenë më afër njëri tjetrit dhe më afër  vendlindjes  së vet të dashur.

E bëra këtë hyrje të këtillë, e nxitur nga një eveniment  vëllazëror, i mbajtur më 18 gusht, në restorantin “Internacional”,  me ç’ rast iu nda titulli “Qytetar nderi”, nga këshillat e komunave Gruemire dhe Rrrethina, si dhe mirënjohja nga Këshilli bashkiak  i Shkodrës,   disa bashkëkombësve tanë nga vendi dhe që jetojnë në botën e mërgimit, në shenjë  respekti për gjithë kontributin e dhënë  në të mirë të pjesëtarëve të popullatës shqiptare në vendlindje dhe kudo që jetojnë në botë. Në mesin e laureatëve të kësaj mirënjohjeje të thellë vëllazërore, ishin  veprimtari i dalluar, publicist dhe intelektuali nga  këto  treva Rush Dragu; pastaj  biznesmeni i suksesshëm dhe njeriu i palodhur për të ndihmuar vendlindjen dhe bashkëkombësit e vet kudo që janë, Ndue  Ftoni; veprimtari i njohur  kulturor,  Ndue  Gjekaj,  si dhe  humanisti  i njohur  në hapësirën mbarshqiptare,   Kolë  P.Cacaj, që jetojnë dhe veprojnë  larg   vendlindjes në mërgim. Ishte vërtet kënaqësi  e veçantë  të përjetosh  një ngjarje të tillë, në nderim dhe mirënjohje të bashkëvëllezërve  të vet, të cilët pavarësisht se ku jetojnë, janë gjithherë  pranë vendlindjes, të afërmve dhe bashkëkombësve të vet.

“Ne vetëm se i dëshirojmë të mirën vendlindjes dhe popullit tonë, përparimit dhe të ardhmes së tij”, u shpreh  z. Rush Dragu, veprimtari i dalluar shqiptar në SHBA, me rastin e marrjes së titullit “Qytetar  nderi”,   i cili, sa me dashamirësi po aq me emocione, përshëndeti  miq, të njohur dhe përfaqësues të jetës kulturore, politike dhe shpirtërore, të pranishëm në këtë solemnitet. Ai, në veçanti falënderoi  bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që nuk kursehen  në kultivimin dhe afirmimin e vlerave tona të shenjta  në të mirë të popullit shqiptar.

Dragu, po ashtu, falënderoi bashkëkombësit  e vet në vendlindje, në veçanti Shoqatën atdhetare “Malësia”, të cilët në këtë mënyrë dëshmojnë dashurinë vëllazërore për bashkëvendësit e vet  kudo që jetojnë.  Ishte ky një takim sa vëllazëror, po aq i përmallshëm me bashkëvendësit  tanë  të cilët jetojnë  në  mërgim, e të cilët i njohim më tepër përmes veprimtarive të tyre të shumta duke ndihmuar vendlindjen dhe duke kultivuar  vlerat tona kombëtare në vendet ku jetojnë.

Ne, ishim të privilegjuar me ftesën nga organizatorët që të jemi të pranishëm në këtë solemnitet , me dëshirën që raste të ngjashme të organizohen edhe në mjediset  tjera , siç është  treva e Malësisë, respektivisht KU e Tuzit, pasi  mërgimtarët  tanë  nga  këto hapësira, kanë dhënë kontribut të paçmuar në rrjedhat e përgjithshme në trevën e Malësisë, në gjysmëshekullin  e fundit, në zhvillimin  e këtyre trevave të lëna  pas dore  nga pushtet mbajtësit  e të gjitha kohërave. Urojmë që bashkëvendësit  tanë, kudo që jetojnë  nëpër botë, ndjenjën e atdhedashurisë ta kultivojnë në brezat e rinj, që lidhja me tokën e  të parëve të vet  të jetë e përjetshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button