Në USHT vijon afati i parë i regjistrimit për studentët e rinj

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës është duke u zhvilluar afati i parë i regjistrimit të studentëve për vitin e ri akademik 2015/2016. Regjistrimi i studentëve të rinj bëhet në të gjithë fakultetet e USHT-së. Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, sot i ka vizituar për ta parë gjendjen së afërmi në të gjitha qendrat e regjistrimit nëpër fakultete, me qëllim që ta sheh se si zhvillohet procesi i regjistrimit në këtë afat. Ai, po ashtu u takua me maturantët të cilët kanë aplikuar të regjistrohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Rektori, Prof. dr. Vullnet Ameti aplikuesit i njoftoi për zhvillimin e procesit mësimor–shkencor në USHT duke i njoftuar ata se “këtë vit Universiteti Shtetëror i Tetovës, për gjeneratën e vitit akademik 2015/2016  ka ofruar shumë risi, ku përpos studimeve ekzistuese, USHT këtë vit ofron edhe programe dhe drejtime të reja në ciklin e parë të studimeve, siç janë:  Kriminalistikë, Informatikë – programi në gjuhën angleze, Gjeodezi dhe informatikë, Inxhinieri  transporti dhe komunikacioni dhe Komunikacion rrugor dhe transport”, theksoi Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Përgjegjësi i Zyrës për Arsim i USHT-së, Mr. sc. Ibrahim Neziri deklaroi se interesimi i studentëve të rinj për t’u regjistruar në USHT është në nivel. Ai potencoi se interesimi i studentëve është një sinjal tregues se edhe këtë vit akademik Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’i përmbush objektivat e tij. “Prej sot, 18 gusht, e deri më 21 gusht në Universitetin tonë do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit për vitin akademik2015/2016. Të dhënat e para tregojnë për një interesim të madh nga ana e studentëve të cilët dëshirojnë që karrierën e tyre akademike ta ndërtojnë duke studiuar në USHT. Sot është vetëm dita e parë dhe kanë aplikuar shumë studentë, ndërsa ne besojmë se deri më 21 gusht, pra ditëve në vazhdim, interesimi i aplikantëve do të jetë edhe më i madh”, u shpreh Mr. sc. Ibrahim Neziri, përgjegjës i Zyrë për Arsim të USHT-së.

Procesi i regjistrimit të studentëve të rinj zhvillohet edhe në studimet e disperzuara të USHT-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button