OKB: Gjatë 2015 në Greqi kanë mbërritur 160 mijë refugjatë

Kombet e Bashkuara, njoftuan se këtë vit është shënuar një rritje e madhe në numrin e emigrantëve dhe refugjatëve të mbërritur në Greqi dhe se kjo shifër ka kaluar 160 mijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Komisionerit të lartë për refugjatë në Kombet e Bashkuara, William Spindler, në një konferencë shtypi të mbajtur në zyrën e OKB-së në Gjenevë tha: “Në Greqi nga periudha 1 janar-14 gusht 2015 me rrugë detare kanë hyrë 158 mijë e 456 emigrantë dhe nëpërmjet Turqisë me rrugë tokësore 1 mijë e 716 azilantë”.

Spindler i cili ka theksuar se në javët e fundit ka patur një rritje të madhe në hyrjet në vend ka nënvizuar se në muajin korrik në vend kanë mbërritur 50 mijë e 242 emigrantë, shifër kjo e cila është më e lartë se totali prej 43 mijë e 500 emigrantëve të cilët kanë hyrë përgjatë gjithë vitit të kaluar në vend.

Ai ka vënë në dukje se vetëm javën e kaluar në Greqi kanë hyrë 2 mijë e 843 emigrantë dhe tha se 82 përqind e tyre (16 mijë e 997) janë sirianë.

Spindler i cili ka pohuar se ata prej muajsh kanë paralajmëruar për krizën e emigrantëve në ishujt e Greqisë, ka theksuar se urgjentisht duhet të përmirësohen shërbimet e pranimit, regjistrimit dhe të infrastrukturës në ishuj.

Ai, ndaj autoriteteve greke ka rekomanduar që të krijojnë një mekanizëm të rregullt për ndihma humanitare dhe krijimin e një mekanizmi të koordinuar nga një pikë e vetme për të ndërhyrë në raste emergjente.

Ndërsa zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Joel Millman tha se të shtunën e javës së kaluar 33 kilometra në afërsi të bregdetit libian në një anije që transportonte më shumë se 300 emigrantë humbën jetën nga tymi i motorit të anijes 49 emigrantë, ndërsa u shpëtuan 313 të tjerë.

Millman ka shtuar ndër të tjera se “këtë vit kanë humbur jetën 2 mijë e 350 emigrantë të cilët kanë tentuar të mbërrijnë në Europë përmes Detit Mesdhe”.

Sipas të dhënave të OKB-së numri i emigrantëve dhe azilantëve të mbërritur në Europë me rrugë detare ka kaluar mbi 250 mijë.

Lajme të ngjashme

Back to top button