Kisha Ortodokse në Prishtinë mund të rrënohet, nuk ka aplikuar për leje

Kisha Ortodokse serbe, brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës, mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillimqershor të këtij viti, raporton Radio Televizioni Dukagjini.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha ‘Shpëtimtari i Krishtit’, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Xhevdet Pozhari, ndonëse nuk e ka thënë drejtpërdrejt se ky objekt do të përfundojë në listën e rrënimeve, ka theksuar se Ligji është i qartë.

“Kisha Ortodokse Serbe nuk ka pikë të regjistrit, domethënë nuk është aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje. Në këtë rast, të gjitha ato objekte të cilat janë të ndërtuara në zona publike nuk do të trajtohen, ose do të trajtohen me ligjet në fuqi, mirëpo nuk mund të legalizohen. Tash, si do të veprohet në rastin konkret, Ligji është i qartë, por ta shohim”, ka thënë Pozhari.

Kisha Ortodokse ishte ndërtuar në vitet 1992/1993. Konstruktimi i saj kishte filluar në vitin 1995, por ndërtimi i saj është ndërprerë gjatë luftës në vitin 1999.

Zëdhënësi Pozhari ka folur edhe për numrin e objekteve që janë regjistruar pa leje. Ai tha se janë mbi 40 mijë sosh që i janë nënshtruar procesit të regjistrimit.

“Janë regjistruar të gjithë ndërtimet pa leje. Kemi rreth 46 mijë ndërtime pa leje. Ka qenë një shkatërrim, degradim total i qytetit, megjithatë tash është një Ligj në fuqi, i cili na mundëson për t’i trajtuar këto ndërtime”, shtoi Pozhari.

Palët të cilët i kanë regjistruar ndërtimet pa leje, sipas procesit për legalizimin e objekteve, duhet të aplikojnë për t’i legalizuar ato, të cilat më pas do të shqyrtohen nga organet përgjegjëse të komunës nëse objektet do të legalizohen apo rrënohen.

Lajme të ngjashme

Back to top button