PUNË KOTI

Tragjedia që ndodhi në Tetovë zbuloi plot mangësi të pushtetit vendor dhe të pushtetit qendror, në përgjithësi. U pa se askush nuk parasheh në buxhetin shtetëror edhe të papritura të tilla në rajone që janë të rrezikuara. Përveç kësaj, i pashë njerëzit e mjerë të popullit si e prisnin fjalën e politikanëve me një përulje dhe me një shpresë se ata janë fuqia hyjnore që do t’i nxjerrë nga balta. Të trishtuar ata mundoheshin të mbahen për fijen e kashtës. Ende nuk iu bë e qartë askujt se po të pritet nga buxheti varfëria nuk do t’u hiqet kurrë nga dera. Kjo gjendje flet për një ngushticë në të cilën jemi.

Këtu gjithçka funksionon për ta mbajtur gjallë dhe, madje, edhe për “ta trashur” buxhetin dhe për të qenë i kënaqur se ke të drejtë të marrësh frymë. Për tjetër jo. Mirëpo puna tregon se buxheti nuk e bëhet gjithkund e gjithmonë për nevojat e njerëzve kur duhet t’u jepet dora e ndihmës ashtu si është e drejta e zotit dhe e drejta që e dikton ligji. Në disa anë të vendit, si bie fjala, në Maqedoninë perëndimore njerëzit mundohen ta mbrojnë koren e bukës, sepse fitimet tjera shkojnë për të dalat tjera që do domethënë në thesin e buxhetit që është bërë një thes me fund të grisur nga i cili rrjedhin paratë për përmendore, për projekte të ndryshme dhe për punësime partiake, ku Maqedonia perëndimore nuk merret parasysh në masë të duhur.

Derisa një pjesë e qendrës së re  me lagjet ku jetojnë me shumicë dërmuese maqedonasit janë ngritur plot përmendore të mëdha,  nuk mund ta shohësh një përmendore me dimensione të tilla të figurave të ndritshme shqiptare, përveç do përmendoreve të imta të Adem Gajtanit dhe shkrimtarit turk Nexhati Zekeria. Me kaq është mbyllur tregimi i përmendoromanisë. Kaq. Nga buxheti për nevojat kulturore nuk del shumë për trashëgiminë tonë. Ndoshta do të merret si vepër e madhe meremetimi i Teatrit shqiptar, dera e të cilit praktikisht është e mbyllur me Bit pazarin  dhe me nevojtoren publike të këtij pazari, ndoshta do të merret si punë e me vlerë Instituti i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të cilit nuk i jepen para nga buxheti as për ngrohje e, që është, edhe më e tmerrshme as për realizimin e projekteve për të cilat është themeluar. Se për ndërtesën e vet që duhet ta ketë asnjë funksionari shqiptar s’i doli prej goje ta thotë zëshëm se ndërtesa e Institutit duhet të bëhet sa më shpejt.  Në këtë institut njerëzit shkojnë në punë të ndjekur nga pasiguria se çfarë do të ndodhë nesër; a do të ekzistojnë si institucion apo dikush do t’u thotë: na falni, por nuk kemi më para që ta mbajmë edhe më tutje. (Thuajse dikush i mban për sevap). Institut për trashëgiminë shqiptare? Mosni ju lutem! A shaka e keni?! Me këso pyetje, nuk është çudi, ta marrin ndonjë letër nga Ministria e financave.

Por mos të harrojmë se derisa instituti është në ngushticë të paparë financiare me fodullëk është ngritur iniciativa për një universitet publik. Ata s’i dalin zot një instituti, jo po mbajnë edhe një universitet! Kjo është ironi. Por edhe tallje.

Pastaj: në qytetin universitar të Tetovës ende nuk është ngritur një përmendore e figurave të rezistencës shqiptare nga zullumet serbojugosllave dhe të figurave të letërsisë shqiptare. Fatkeqësisht gjendja vazhdon të jetë e tillë, e mjerë. Dëgjoj se bëhen përpjekje për ta vënë në lëvizje jetën e atjeshme kulturore me disa projekte si, bie fjala “Vera e Tetovës” e ndonjë cikërrimë tjetër. Festivalin “Ditët e Naimit” nuk po e përmend, sepse ai është aktivitet kulturor privat. Nuk e besoj që ky manifestim, pra “Vera e Tetovës”  të jetë i paraparë në buxhet si përmendoret, si barokizimi i ndërtesave, si festivalet e ndryshme të këngëve e valleve popullore të maqedonasve gjithandej nëpër qytete e fshatra. Gostivari – e njëjta punë. As atje s’ka gjë prej gjëje. Në Dibër e në Radushë janë ngritur dy përmendore pa ndonjë vlerë, por edhe këto nuk janë nga paratë e shqiptarëve që derdhen në thesin pa fund të buxhetit të Maqedonisë. Mos të jem i padrejtë, ka edhe pllaka përkujtimore modeste të luftëtarëve të rënë për ideal. Por edhe këto s’kanë marrë asnjë metelik nga buxheti. Dhe si kapak i gjithë kësaj për universitetet e Tetovës nuk e besoj të ndahen para sa për universitetet tjera.

Dalin politikanët tonë, udhëheqës partiakë, ministra e zëvendësministra, dalin njerëz të pushtetshëm, të mandatshëm e flasin për përpjekjet e tyre të mundimshme për evrointegrimet, kurse populli e lëviz kokën në shenjë pohimi e miratimi, thuajse kupton diçka nga retorika e tyre e çalë, ani se e kanë dëgjuar këtë leksik plot fjalë të huaja. I mbajnë mend fjalët sepse janë të njëjtat fjalë që janë përsëritur deri në bezdi, si duatë që këndohen pesë herë në ditë në namaz. Po pohimi me kokë i popullit është shpresë se do të nxjerrin përmes këtyre politikanëve të plogësht ndonjë denar, së paku ndonjë denar  për të dalë nga hallet e tyre të mëdha sa për sot dhe për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga kurbeti. Kot. Populli ynë përfundimisht duhet ta marrë vesh se asgjë nuk do të marrë nga buxheti me këto konjuktura, përveç thërrimeve me të cilat do të lavdërohen politikanët maqedonas duke thënë se edhe ajo që është bërë në Maqedoninë perëndimore nuk është bërë nga politikanët shqiptarë, por nga funksionarët maqedonas kur janë mëshiruar. Dhe, mund të ketë të vërtetë këtu.

Tash politikanët shqiptarë janë nxehur e i fërkojnë duart për universitetin e ri që duan ta hapin dhe edhe atë e kanë futur në agjendën e bisedave që bëjnë mes vetes e në botën e tyre të ndarë nga populli e nga interesat e popullit. Fjala është për një universitet që dashkan ta hapin në Shkup! Mirëpo as projekt kanë, as elaborat, as e dinë se cilat katedra do t’i bëjnë, as ka rrugë të kuarteve shqiptare që të lidhen me rrugët kryesore, as është kanalizimi në rregull këtu, as rrjeta elektrike, as ujësjellësi i lagjeve shqiptare nuk është për të qenë. Thjesht nuk kanë ide si realizohet ky projekt dhe nuk kanë analiza se sa na duhet ky universitet i cili do të jetojë (nëse bëhet – e nuk bëhet) me lëmoshat e buxhetit që duhet të nxirren me këmbë kali.

Pastaj nuk i kanë nxjerrë në diskutim publik këto projekte, elaborate e dokumente. Thjeshtë e kanë përsëritur retorikën e tyre boshe, i kanë bërë qejf vetes shpeshherë në mënyrë jo të ndershme duke i mohuar emrat fisnikë si themeluesit prof. Fadil Sulejmanit dhe të atyre djemve dhe vajzave që u vranë për ideale në luftën e fundit.

Asnjë ofertë krijuese, asnjë personi të talentuar që mund të bëjë diçka nuk i hapen dot dyert e institucioneve për të bërë karrierë dhe për të bëtë punë. Si do ta bëkan universitetin? A vetëm me politikanë që e shohin se janë në zgrip të humnerës politike? Ndërkohë ministri i arsimit polemizon me nxënësit e shkollave të mesme.

Politikanët shqiptarë nuk merren me punë të hairit. Ata sillen në vallen e kotësisë dhe ulen nëpër tavolinat e bufeve me këngëtare të molisura dhe me të qerasura nga akëcili e akëcili. Dhe, aty bisedohet ekskluzivisht për Marrëveshjen e Ohrit sepse me këto biseda e mbulojnë ngathtësinë e tyre. Bisedojnë për këtë temë nga e cila janë bezdisur edhe BE-ja dhe SHBA-t, se ne më sa s’kemi pëlcitur nga marazi e nga sikleti, sepse është bërë ninullë për të rriturit. Flasin dhe krenohen me një marrëveshje që i ngjan një peme e cila në çdo dhjetë vjet e bën a s’bën nga një kokërr.

Punët me rëndësi jetike për ne funksionarët shqiptarë nuk i marrin parasysh. Me rëndësi e kanë që para zgjedhjeve të premtojnë diçka, ani se nuk realizohet. Nga ana tjetër nuk i dëgjuam të flasin për propozimin që nga diaspora të zgjidhen gjashtë deputetë, ku maqedonasit me dy-treqind vota do ta sigurojnë një deputet (dhe që të gjashtët nuk do të jetë shqiptarë), kurse këtu, në vend, shqiptarëve ndonjëherë ndoshta u duhen njëzet mijë vota që të kenë mundësi të bëhen deputetë.

Çudi është pse politikanët tonë edhe pas kaq viteve të pavarësisë së Maqedonisë nuk u bënë seriozë, çudi është pse s’dalin me projekte të hairit, dhe çudi mbi çudi është që nuk bënë asgjë që të na e mbrojnë krenarinë identitare duke i ndërruar krejtësisht programet shkollore (Çfarë bën ministri i arsimit, përveç se i ka harruar nevojat e arsimit shqip?). Pastaj, një hap nuk e bënë t’i heshtin ministrat maqedonas, t’i detyrojnë të heqin dorë nga trajtimi që ma e bëjnë si fise të egra. Asgjë nuk bënë ata të ndikojnë fuqishëm të ndërrohet  politika antishqiptare e mediave maqedonase? As për gjyqësinë që dënon pa fakte, ani se ministri i drejtësisë shpeshherë është shqiptar. Pse nuk merren me këto punë, por me punë koti? Pse? Hajt tash të shohim a politikanët tonë do të bëjnë diçka për sanimin e gjendjes në fshatrat e Tetovës, apo do ta lënë edhe një mundësi që funksionarët maqedonas të thonë: asgjë s’kanë bërë politikanët shqiptarë. E kemi bërë ne. A ju kujtohet kryeministri aktual kur pat thënë se shqiptarët nuk kanë kuadro të afta në qeveri?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button