Lavrov: Për Rusinë është i papranueshëm propozimi për largimin e Asadit

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në një konferencë shtypi pas takimit me ministrin e Jashtëm të Iranit, Javad Zarif ka thënë se qëndrimi i Rusisë në çështjen e Sirisë nuk ka ndryshuar dhe theksoi se është i papranueshëm parakushti për tërheqjen e Bashar al-Assadit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Qëndrimi ynë për Sirinë nuk ka ndryshuar. Krizën siriane duhet të zgjidhin populli sirian pa vendosur kushte paraprakisht dhe pa ndikime të jashtme”, theksoi Lavrov.

“Nëse ndonjë nga partnerët tanë, vendosin si parakusht tërheqjen e presidentit sirian të zgjedhur në mënyrë legjitime, pas një periudhe të tranzicionit, Rusia thjesht këtë nuk mund të pranojë”, tha Lavrov.

Moska, mbështet Asadin duke mbrojtur regjimin e tij nga sanksionet e OKB-së dhe duke ndihmuar atë me armë. SHBA-të nga ana tjetër, së bashku me Turqinë dhe Francën mbështesin opozitën e moderuar siriane.

Lufta në Siri ka hyrë në vitin e pestë, gjatë së cilës në këtë vend janë vrarë më shumë se 250.000 persona, ndërsa katër milionë sirianë janë regjistruar si refugjatë.

Lavrov vuri në dukje se me Zarif kishte diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, ekonomike, ushtarake dhe në fushën bërthamore midis Iranit dhe Rusisë, por u diskutua edhe për krizën siriane.

Megjithatë, Lavrov theksin e veçantë e vendosi në marrëdhëniet ekonomike mes Iranit dhe Rusisë dhe shtoi se ekspertët ekonomikë të dy vendeve do të takohen në tetor. Ministri rus tha se është vendosur që të përshpejtohet periudha e parashikuar për nënshkrimin e regjimit të vizave, i cili do të lehtësojë lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve mes Rusisë dhe Iranit.

Zarif ka thënë se ai dhe vendi i tij ndajnë mendimin e njëjtë me atë të Rusisë për çështjen e Sirisë.”Të gjitha problemet në këtë rajon mund ti zgjidh populli i Sirisë. Vendet e tjera vetëm mund të ndihmojë në këtë”, tha Zarif duke theksuar se Irani dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë në të gjitha fushat.

“Ne do të përpiqemi që bashkëpunimin me Rusinë të vendosim në nivelin më të lartë. Një nga prioritetet është edhe çështja e energjisë bërthamore”, tha Zarif.

Lajme të ngjashme

Back to top button