Franc Veliu mes Shkëndijës dhe Vardarit

Franc Veliu do të mbetet kuqezi, por jo te Flamurtari, klub nga i cili u largua pas një beteje të gjatë jashtë fushave të lojës. Karriera e mbrojtësit vlonjat pritet të vazhdojë në Kampionatin e Maqedonisë me Vardarin. 26-vjeçari ishte i pranishëm në takimin e luajtur në Kumanovë, ndërmjet Shkëndijës së Tetovës dhe Vardarit të Shkupit. Të dyja skuadrat e ligës së parë kanë shfaqur interes për Veliun dhe këtë e konfirmoi për mikrofonët e SuperSport tekniku i Shkëndijës, Shpëtim Duro.

“Jemi interesuar për Veliun dhe kjo është diçka normale duke qenë se jemi në periudhë merkatoje”.

Por, mbrojtësi duket më pranë transferimit te Vardari. Burime pranë lojtarit theksojnë se gjasat më të mëdha janë që Veliu të firmosë me skuadrën nga Shkupi. Prej disa javësh, për shërbimet e ish-mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare është interesuar edhe Tirana. Bardheblutë kërkojnë të përforcojnë repartin difensiv dhe dukeshin fare pranë vlonjatit. Kalimi te Vardari do të shënjonte etapën e dytë në karrierë për Franc Veliun, që e ka kaluar të gjithë karrierën te Flamurtari. 12 vjet me bregdetarët, nga të cilat 9 sezone në ekipin e parë dhe si kapiten, duket se kanë ndikuar që lojtari të vazhdojë të zgjedhë një fanellë kuqezi.

Lajme të ngjashme

Back to top button