Ndasitë ndër-etnike, shkak për ecurinë e dobët të Kombëtares Maqedonase

Vetëm një fitore në 6 ndeshje në kualifikueset e Euro 2016. Vendi i parafundit në Grupin C ka ndikuar në pozicionimin e dobët të Maqedonisë në renditjen e FIFA-s.

Prej Gushtit 2014, kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit Rusi 2018 kanë zbritur nga vendi i 76-të dhe aktualisht janë të 103-ët në klasifikimin botëror, transmeton Supersport.

Mbrojtësi shqiptar Ardian Cuculi, që është edhe pjesë e përfaqësueses maqedonase zbulon arsyet e paraqitjeve të dobta të skuadrës, ku një prej shkaqeve kryesore është ndasia ndër-etnike.

“Problemi gjithmonë qëndron te koka, nëse nuk do të ketë ndasi mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Fatkeqësisht kjo ndodh dhe politika e kryen rolin e vetë shumë të madh këtu. Por, sinqerisht ka lojtarë cilësorë, ka lojtarë të mirë, nuk e meriton këtë vend. Por, faktikisht ne të gjithë jemi përgjegjës”.

Pas një sezoni në Kategorinë Superiore me Partizanin, Cuculi është njohur nga afër me futbollin shqiptar, duke përjetuar edhe ecurinë mbrësëlënëse. Dhe sipas 28-vjeçari, zgjidhja për kthimin e Maqedonisë në nivele të larta mund të vijë nga Shqipëria.

“Duhet një seleksionim dhe të marrim shembull nga përfaqësuesja e Shqipërisë, duke mbajtur për dy edicione një trajner të Kombëtares dhe normalisht për të nxjerrë talentë dhe të krijohet një ekip që do të luajë bashkë për vite me radhë, për të arritur suksese në të ardhmen”.

Aventura e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018 nis më 5 Shtator, pikërisht me ndeshjen përballë Maqedonisë. Rivalët të tjerë në Grupin G janë Spanja, Italia, Izraeli dhe Lihtenshtejni.

Lajme të ngjashme

Back to top button