Maqedoni, kriza për gaz mund të jetë më e madhe se kriza për benzinë

Pas bllokimit të llogarisë bankare të “Makpetrollit”, në Maqedoni ka më shumë gjasa të paraqet krizë me shpërndarjen e gazit se sa me atë të benzinës, vlerësojnë ekspertët për  Portalb.

Sipas Atanasko Tuneski, profesor i Fakultetit të Makinerisë dhe ish drejtor i MEPSO-së, nëse ndodh kriza për benzinë, atë do ta zgjidhin kompanitë më të vogla private që do ta zëvendësojnë me rritje të importit. Ai nuk pret që kjo krizë të mund të zgjasë, përkundrazi do të zgjidhet shpejtë.

“Problemi me benzinën dhe derivatet, nuk pres që të jetë aq i madh. Importuesit e tjerë më të vegjël do ta mbulojnë mungesën e benzinës, ndoshta mund të ketë ndonjë krizë, por ajo do të jetë e vogël. Për shpenzuesit me pakicë, nuk do të thotë shumë se në cilën pompë të benzinës do të mbushin karburant”, thotë Tuneski.

Sipas informacioneve prej kompanisë, për momentin stacionet e benzinës së “Makpetrollit”, të cilat e furnizojnë 60% të tregut në vend, kanë furnizim me derivate të naftës vetëm për 4 ditët e ardhshme.

Për shkak të bllokimit të llogarisë, “Okta” të hënën e ndali furnizimin me karburant në “Makpetroll”.

Gjendja për furnizim me gaz, sipas Tuneskit është problem më i madh, sepse pa këtë lëndë djegëse do të mbesin një numër i madh i institucioneve dhe kompanive.

“Gjendja me furnizim të gazit është problem më i madh, sepse s’do të munden të gjenden për t’u furnizuar institucionet dhe kompanitë me gaz. Llogaria e bllokuar s’do të mundësojë pagimin e gazit ndaj “Gazpromit” e cila do ta sjellë në pikëpyetje furnizimin”, shton Tuneski.

Tuneski nuk e sheh të arsyeshëm bllokimin e llogarisë bankare të “Makpetrollit”, në rast është i diskutueshëm “Oillko”.

“Ndoshta zgjidhje më e mirë do të ishte që të mos i mundësohet transferimi i parave prej “Makpetrollit” në “Oillko”, ose të shihen se a janë paratë në “Oillko” që në këtë rast është i diskutueshëm. Gjithashtu, edhe personat fizik që ndjeken penalisht janë  të pafajshëm, deri sa nuk vërtetohet e kundërta”, shton Tuneski.

Konstantin Dimitrov, profesor në Fakultetin e Makinerisë, thotë se nuk është i njoftuar aq sa duhet me rastin “Makpetroll”, por siç vlerëson ai, mendimi i tij laik është se “gjendjen për benzinë do ta rregullojnë tjerë importues, ndërkaq me gaz vet shteti ose pronarë të tjerë të cilët kanë para për të investuar”.

Me vendimin e gjyqtarit për hetim paraprak është vendosur që të premten më 14 gusht, të ngrihen një pjesë e llogarive bankare të “Makpetrollit” dhe “Oillkos”, ashtu si edhe të gjithë pasuritë e tundshme dhe të patundshme. Masat e vendimit do të vlejnë deri në mbarimin e procedurës.

Prej kompanisë paralajmëruan se shkollat, spitalet, aeroportet, kapacitetet energjetike do të mbesim pa energji elementare, nëse kjo gjendje vazhdon.

Televizioni “Telma” pronar i së cilës është pronari i “Makpetrollit”, vlerëson se bllokimi i llogarive bankare do të sjellë deri te ndalimi me furnizimin të gazit natyrorë në fillim të shtatorit, sepse marrëveshja me kompaninë “Gazprom” parasheh pagesë paraprake mujore të sasive të planifikuara të këtij karburanti.

Gazin natyrorë e përdorin dhjetëra kompani të mëdha, “Qendra Klinike”, “Ministria e Mbrojtjes”, “Spitali i Qytetit”, “8 Shtatori”, katër shkolla në Shkup, distributori “Kumanovo gas”, gjithashtu edhe të gjitha fabrikat në zonën e lirë ekonomike “Bunarxhik”.

Përveç kësaj, “Telma” shton se për një javë pa kerozinë do të mbesin aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit, sepse “Makpetroll” është i vetmi furnizues me kerozinë në Maqedoni.

Gjithashtu, nuk do të mund të arrihet marrëveshja mes “Makpetrollit” dhe “ELEM-it” për furnizim me rreth 50 mijë tonë mazut për nevojat e REK “Bitolla” dhe TEC “Osllomej”.

Lajme të ngjashme

Back to top button