fbpx

Rrugëtimi i Rita Ora-s deri këtu ku është sot

Një intervistë ekskluzive për revistën Living me Verën, mamanë e këngëtares me famë botërore, Rita Orës. Kush fshihet pas shqiptares më të suksesshme të momentit dhe si është të rrisësh një yll?

KUSH është KUSH?

Vera Ora ka lindur në Kosovë. U largua nga vendlindja e saj në vitin 1991, për shkak të gjendjes politike atje, bashkë me të shoqin dhe dy vajzat e saj, Ritën, asokohe një vjeçe, si dhe Elenën, tre vjeçe. Djali i saj, Doni, ka lindur në vitin 1997.

Vera është diplomuar për mjekësi në Rusi dhe ka punuar si mjeke e përgjithshme në Kosovë, por gjatë viteve të para të qëndrimit në Londër ia kushtoi jetën fëmijëve të saj. Vera vendosi të specializohet në psikiatri dhe në vitin 2005 filloi punë si psikiatre në sistemin shëndetësor publik.

Vera është ambasadore e projektit “Fuqizimi i grave shqipfolëse”, drejtuar nga programi “Shpresa” dhe “Ndihma për lehtësimin e grave”.

Zonja Ora është e famshme jo vetëm për arritjet e saj si grua në karrierë, por edhe si nënë shumë e suksesshme dhe krenare e vajzës së saj, Rita Orës, për shkak të suksesit global që ajo ka arritur si këngëtare.

Fëmijëria e Rita Orës

Rita Sahatçiu ka lindur në vitin 1990; mbiemri i saj vjen prej trashëgimisë së profesionit të të parëve të babait të saj, Sahatçiu, që do të thotë ‘orëndreqës’. I ati vendosi ta ndryshonte mbiemrin e tyre në Ora, sepse ishte më e lehtë për t’u shqiptuar dhe për t’u mbajtur mend.

“Rita ka pasur gjithmonë një parandjenjë, sikur ta ndjente në zemër se fati i saj ishte i shkruar, ndaj nuk reshti asnjëherë së besuari që do të bëhej ashtu siç e kishte ëndërruar gjithmonë”, thotë Vera, teksa kujton vitet e fëmijërisë së të bijës.

Me këtë energji, ajo nisi të shfaqte gjenialitetin menjëherë, që në aktivitetet shkollore. Talenti i saj u pikas nga mësuesit, të cilët i sugjeruan prindërve të Ritës që një fëmijë si ajo meritonte investim.

Në atë kohë Vera s’kishte filluar ende punë me kohë të plotë, pasi diploma mjekësore që zotëronte nuk njihej në sistemin shëndetësor britanik, ndërkohë që i shoqi, Besniku, punonte në një restorant. Për më tepër, ende nuk e dinte mirë gjuhën angleze.

Ndaj me kalimin e viteve, ajo vendosi t’ia përkushtonte kohën e saj rritjes së vajzave. Pavarësisht vështirësive ekonomike që mund të kenë pasur në fillim, si çdo emigrant tjetër, prindërit e Ritës vendosën ta çonin atë në një shkollë private, ku kishte shumë konkurrencë për t’u futur e ku studionin fëmijët më të talentuar në vend.

Rita shumë shpejt mori notat e nevojshme për t’u pranuar aty dhe falë personalitetit të saj arriti të integrohej shpejt në ambientin e këtij institucioni gjigant që prodhonte çdo vit artistë.

Kur u regjistrua në shkollën “Sylvia Young Theatre”, një nga më të famshmet në fushën e artit, prindërve të Ritës iu desh të mateshin mirë; tarifat vjetore për pagesën e shkollës ishin të larta, diçka që shumë pak emigrantë mund ta përballonin.

Por Vera dhe i shoqi nuk u menduan gjatë. Kishin besim te talenti i së bijës dhe në njëfarë mënyre e parashikonin famën e saj në të ardhmen. Kështu nisi rruga e Ritës drejt famës, gjithnjë e vendosur për të ecur para e për të arritur suksesin.

Ajo spikaste si fëmijë prej mësuesve, shokëve dhe madje edhe nga artistët që e vizitonin shkollën herë pas here, për të rekrutuar talente të rinj për projektet e tyre. Rita, që përmes talentit të adhurueshëm dhe shkathtësisë kishte aftësinë të zinte shumë shoqëri, u bë pjesë e qarqeve të rëndësishme artistike.

Në shkollë ishte shoqe e ngushtë me Manin, vajzën e këngëtares angleze Mica Paris. Të dyja janë paraqitur gjithmonë bashkë në shumë aktivitete kur ishin të vogla, kanë fituar role në filma, pjesë teatrore dhe kanë kënduar në koncerte të ndryshme.

Ndikimi i Verës tek e bija , Rita

Rrugëtimi i Ritës do të merrte kthesë në një ditë të bukur pranvere, kur së bashku me të ëmën do dilnin për një shëtitje në park. Ishte ditë feste dhe grupet vendase artistike kishin organizuar një koncert në ambient të hapur.

Rita, siç shprehen prindërit e saj, ishte një fëmijë që nuk reshtte së kënduari. E gjeje duke kënduar në çdo moment dhe kudo. I ati i kishte vendosur pajisje moderne muzikore në dhomë, prandaj ajo dhe e motra mbylleshin aty me orë të tëra, duke kënduar dhe eksperimentuar me muzikën.

Rita këndonte rregullisht para se të bëhej e famshme, në pabin e të atit, “Queens Arms”, në Kilburn. Rita ndjeu një drithërimë ditën që shëtiste në park me të ëmën.

“Sa do të doja të ngjitesha në atë skenë e të këndoja një këngë”, i kishte thënë asaj. Vera bisedoi me organizatorët e papritur e bija e gjeti veten në skenën e parkut duke kënduar. Reagimi ishte i jashtëzakonshëm. Publiku u mahnit nga interpretimi i Ritës, por atë ditë asaj i buzëqeshi edhe fati në atë park.

Pasi përfundoi këngën, iu afruan dy agjentë muzikorë dhe i ofruan Verës një mundësi takimi me një shtëpi diskografike. Këta agjentë ishin në kërkim të talenteve të rinj e gjetën pikërisht atë që po kërkonin.

Që nga ajo ditë, shumë gjëra nisën të ndryshonin në jetën e Ritës. Me mbështetjen e prindërve, aventurat e saj drejt muzikës vazhduan derisa ajo shumë shpejt u bë e njohur në tregun muzikor ndërkombëtar.

Ishte me fat që vazhdimisht përfshihej në klipe muzikore dhe projekte, por nuk kishte arritur kulmin e karrierës deri ditën që u njoh me Jay-Z, artistin dhe producentin e famshëm ndërkombëtar, dhe bashkëshorten e tij, divën e kohëve moderne.

Sot fama e Ritës i ka tejkaluar kufijtë e bashkë me emrin e vet, ajo prezanton identitetin dhe origjinën. Në kohën kur shqiptarët ishin subjekt fjalësh për shkak të filmit “Taken”, magjia dhe arti i Ritës e zbehën atë imazh negativ, duke krijuar një imazh pozitiv për popullin e saj.

Arti ka pasur gjithmonë fuqinë të shërojë marrëdhëniet e brishta dhe ka shërbyer në promovimin e kulturës dhe vlerave të një vendi. Vajza e vogël e familjes Sahatçiu erdhi në këtë jetë në kohën e duhur, në orën e saj dhe akrepat kanë nisur të shkojnë drejt një të ardhmeje të shndritshme.

Si e kujtoni mbërritjen tuaj në Londër?

Unë dhe im shoq, Besniku, e kemi përjetuar bukurinë e Londrës teksa studionim gjuhën angleze në vitin ‘86. Në vendlindje, në Prishtinë, planifikonte të ndërtonte jetën pas diplomimit në universitet.

Babai i tij, regjisori i famshëm nga Prishtina, Besim Sahatçiu, i kishte krijuar të birit mundësinë për të studiuar në perëndim. Pas kthimit nga studimet, Besniku do përfshihej në mënyrë aktive në shumë aktivitete, pjesë e një qarku artistësh të njohur në Prishtinë.

Më vonë, ai u njoh me mua, kur sapo isha kthyer nga studimet në Rusi për mjekësi. Besniku ishte dashuruar me Londrën e më kishte folur shpesh për këtë qytet magjik. Ndaj edhe unë isha po aq e etur sa im shoq që të bëja gati valixhet dhe të vizitonim këtë qytet e rrugët në të cilat ai kishte kaluar një pjesë të rinisë së tij.

Kështu që aventura jonë me Londrën nisi me këtë dëshirë. Ishte viti 1991 kur bashkë me dy vajzat tona erdhëm në Londër dhe qëndruam më gjatë nga ç’kishim planifikuar, për t’u dhënë mundësi fëmijëve tanë të shpalosnin talentin e tyre.

Kur e zbuluat talentin e Ritës dhe si e kujtoni këtë kohë?

Rita ishte vetëm gjashtë vjeçe kur filloi të merrte pjesë në aktivitetet kulturore e artistike të shkollës. Nuk ishte e thjeshtë, pasi jeta në një vend të huaj është gjithmonë e pasigurt.

Por i shihnim mundësitë e pafundme për vogëlushet tona dhe në mënyrë të vetëdijshme ose jo kishim vendosur të mos ktheheshim për ca kohë në Kosovë. Nuk do të ishte i lehtë kthimi, duke marrë parasysh si ishin rritur dhe trajtuar fëmijët në Londër, në kopsht, shkolla, kurse dhe aktivitete të ndryshme. Kjo ishte një mundësi që nuk mund t’ua mohonim vogëlusheve tona.

Megjithatë, mundësia e rikthimit në Kosovë mbetej e hapur dhe e konsideronim deri në luftën e Kosovës në vitin 1999, kur më në fund kuptuam se ëndrra për të jetuar përsëri në Prishtinë ishte zhdukur.

Ndërkohë Rita po rritej në një mjedis paqeje, dashurie, mirëqenieje dhe nxitjeje për të ecur para. Në këtë realitet, ajo po tregonte të gjithë potencialin dhe aftësitë e saj ishin në rritje.

Ç’do të thotë për ju të jeni nëna e një ylli si Rita Ora?

Ka qenë dëshira dhe synimi im që u realizua dhe është kënaqësi të di se Rita po bën punën që do. Familja juaj tani është e njohur dhe komuniteti shqiptar ju ndjek me admirim.

Si po e përjetoni famën e vajzës suaj?

Si çdo prind tjetër, edhe ne jemi krenarë për vajzën tonë. Suksesi i saj na ka lumturuar. Është një mrekulli që po e përjetojmë në mënyrë magjike. Rita nuk është pjesë e familjes sonë, por e të gjithë shqiptarëve. Fama e saj i ka tejkaluar pritshmëritë dhe na jep kënaqësi të jashtëzakonshme.

Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët kur erdhët fillimisht në Angli?

Të mësoja gjuhën, që nuk e flisja fare. Si edhe të qenët krejt papritur vetëm me tim shoq e vajzat në një shoqëri të re. Një tjetër sfidë ishte të vazhdoja karrierën si mjeke në Londër.

Sa ju ka mbështetur bashkëshorti në karrierë dhe në jetë?

Kur erdhëm në Londër, më nxiti të bëja çdo përpjekje të mundshme që të kaloja provimet e nevojshme mjekësore, që të ushtroja profesionin si mjeke në Angli. Është kënaqësi që mundi i të gjithë familjes sonë u shpërblye në përpjekjet për të çarë në një ambient, shoqëri dhe kulturë të re.

Si e mbani mend Ritën kur ka qenë e vogël?

Ishte fëmijë më i gjallë në krahasim me bashkëmoshataret, i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes. Si me zërin, ashtu dhe duke imituar personazhe filmash; me veshjen e saj arrinte të tërhiqte vëmendjen rreth vetes. Ishte e paparashikueshme e gjithmonë ka arritur atë që ka dashur.

Përveç talentit, Rita ka një personalitet të fortë e të spikatur; çfarë do të veçonit nga karakteri i saj teksa rritej?

Që e vogël, Rita ka pasur një personalitet të spikatur. Përveçse ka qenë inteligjente dhe ambicioze, ka qenë e thjeshtë, e dashur, e lumtur dhe e aftë të gjente anën pozitive në gjithçka. I donte shumë shokët dhe ruan ende marrëdhënie të shkëlqyera me shoqërinë e vjetër. Ndonëse është gjithmonë e zënë, gjen kohë për takimet me miqtë. Ndan me ta suksesin dhe gëzimet e karrierës së saj. Rita ka dëshirë të ecë para dhe nuk është e qetë derisa të arrijë atë që do.

Për sa i takon miqësisë së Ritës, a përfshihen në të edhe shokë nga Kosova?

Po, janë një grup shoqesh nga fëmijëria që jetojnë në Londër. Rita dhe Elena kanë një grup të madh shoqesh nga Kosova e Shqipëria. Kemi pasur miq familjeje që janë shqiptarë dhe fëmijët tanë njihen. Kanë festuar Vitin e Ri ose ditëlindjet bashkë. Jemi munduar gjithmonë t’i mblidhnim fëmijët që të njiheshin me bashkatdhetarët dhe kjo është meritë e të gjithë komunitetit shqiptar në Angli.

Studimet tregojnë se fëmijëria luan një rol shumë të rëndësishëm në personalitetin e një njeriu. Sa keni ndikuar ju si prind që Rita të bëhej kjo që është sot?

Jemi munduar t’u japim fëmijëve tanë dashuri dhe edukatë, të kuptojnë të drejtën dhe të gabuarën. I kemi nxitur të ndjekin ëndrrat e tyre e t’u ofrojmë arsimin më të mirë të mundshëm.

Cila është marrëdhënia e Ritës me motrën dhe vëllanë?

Elena është vajza jonë më e madhe dhe është munduar gjithmonë t’ia bëjë qejfin Ritës, pasi ajo qante gjithmonë derisa të arrinte atë që donte. Për Ritën s’kishte kthim pas. Si prindër i thoshim gjithmonë Elenës: “Elena, lëre Ritën të qetë, sepse ti je më e madhe se ajo, mundohu t’ia bësh qejfin, të lutem”.

Tani ndihemi ndonjëherë në faj që i kemi kërkuar gjithmonë Elenës ta toleronte Ritën, sepse ajo ishte edhe vetë e vogël. Mbaj mend se Elena thoshte gjithmonë: “Pse duhet ta lëmë atë të bëjë gjithmonë si do?”.

Por këto janë gjëra normale në marrëdhënien mes motrave dhe sigurisht që me kalimin e kohës, dashuria e tyre është më e fortë dhe forcohet vazhdimisht. Kur ishin të vogla nuk ndaheshin (luanin bashkë, flinin bashkë, ledhatoheshin, duheshin, edhe ziheshin), por edhe tani janë gjithmonë bashkë dhe e mbështesin fort njëra-tjetrën.

Djali ynë, Doni, lindi kur Elena ishte nëntë vjeçe dhe Rita shtatë. I kanë dhënë gjithmonë dashuri të pakushtëzuar njëri-tjetrit dhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer. Ndonëse Rita është e famshme tani, marrëdhënia e tyre s’ka ndryshuar aspak, vazhdon të jetë e bukur dhe e fortë.

Si ka ndryshuar jeta juaj pas famës së Ritës?

Nuk do të thosha se ka ndryshuar. Jeta jonë vazhdon të jetë e njëjtë, me të njëjtat ritme si dikur. Unë dhe im shoq jemi të dy të zënë me punët tona të përditshme. Sigurisht që njerëzit na urojnë për suksesin e vajzës.

Ajo që ka ndryshuar është se kemi mundësi të takojmë njerëz të biznesit të spektaklit, që më parë i njihnim vetëm si figura publike, ose i kishim parë në televizor. Elena gjithashtu punon me grupin e menaxhimit të Ritës, kështu që ato janë gjithë kohën bashkë.

Jeta e tyre ka ndryshuar në shumë dimensione, por jeta jonë jo, ka mbetur e thjeshtë në aktivitetet e përditshme. Kjo na gëzon. E rëndësishme është se detyra dhe misioni ynë si prindër ka qenë i suksesshëm; si çdo prind tjetër, jemi të lumtur për arritjet e vajzës sonë dhe po i gëzohemi rritjes së djalit tonë që është ende i vogël dhe jeton me ne.

Cili është mesazhi juaj për çdo femër që do ta lexojë këtë intervistë?

Të përqendrohen në një arsimim të mirë të vetes dhe fëmijëve, pasi besoj se kjo është e vetmja rrugë drejt realizimit të ëndrrave; të mos dorëzohen kurrë e të besojnë se në jetë gjithçka është e mundur

Lajme të ngjashme

Back to top button