Të mos jesh emigrant në Maqedoni, mjerimi dhe kriza nuk ka të ndalur

Kriza e emigrantëve në Republikën e Maqedonisë nuk ka të ndalur, ndërkaq nga dita në ditë numri i emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore që hyjnë në territorin e Maqedonisë gjithmonë është në rritje. Aktivistët humanitarë që ndodhen në terren thonë se më parë gjatë ditës në Maqedoni hynin rreth 600 – 700 emigrantë, ndërsa tani ky numër arrin deri në 2 mijë emigrantë. Rruga e tyre e shpëtimit për në vendet e zhvilluara të Evropës është shumë e vështirë, por aktivistë të shumtë nga organizata humanitare të cilët me muaj të tërë ndodhen në terren, mundohen që t’ua lehtësojnë këtë rrugë të vështirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Emigrante ne Maqedoni (1)

Muhammed Esam nga Homsi, qytet në Sirinë perëndimore, tha për AA se rrugën e tij të shpëtimit e filloi nga Siria dhe duke kaluar nëpërmjet Turqisë e Greqisë ka arritur në Maqedoni. Ai nga Maqedonia planifikon të arrijë në Serbi dhe pas më pas shpresa e tij janë vendet e Evropës Perëndimore.

“Situata në Siri është tepër e vështirë. U nisa nga Siria nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe tani jam këtu. Shpresoj të kem sukses dhe të arrijë në ndonjë nga vendet e Evropës Perëndimore, sepse këtu nuk ka as kushte për mbijetesë. Deri këtu kam arritur bashkë me familjen time dhe do të përpiqem aq sa mundem vetëm të arrijë në një vend të paktën pak më të mirë”, tha Muhammed Esam.

Emigrante ne Maqedoni (2)

– Maqedonia mbetet “udhëtimi i vështirë i shpresës” për emigrantët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore –

Muhammed Esam gjatë “udhëtimit të shpresës” ishte i shoqëruar edhe nga miku i tij Majid Kabbani, poashtu nga Siria, i cili nga frika për sigurinë e anëtarëve të familjes së tij që ndodhen në Siri nuk dëshironte të shfaqet në media, por vendosi që të tregojë historinë e tij. Kabbani tha se ndalesa e parë në rrugën për në Evropë ishte qyteti turk në afërsi me kufirin Turqi-Greqi, Izmiri, ku më pas me anije është drejtuar në Greqi. Pas kalimit të kufirit, grupin e emigrantëve ku ndodhej Kabbani policia greke i ka shoqëruar në një kamp të emigrantëve me kushte jo shumë të mira, në të cilin emigrantët kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm tre ditë. Pas këtij kampi me anije janë drejtuar për në Selanik dhe nga Selaniku për në vendkalimin kufitar greko-maqedonas Evzonoi, kanë udhëtuar me autobus, ku më pas kanë arritur në qytetin maqedonas në Gjevgjeli.

“Stacioni hekurudhor në Gjevgjeli ishte i mbushur me njerëz. Qindra njerëz flinin në parqe. Ka shumë persona në stacionin e trenit në Maqedoni që shesin ushqim dhe pije me çmime jashtëzakonisht të larta. Ne poashtu duhet të udhëtojmë me trena në të cilat janë të mbushur përplot me njerëz. Nuk kemi kushte të mira për të qëndruar në ndonjë nga këto vende, prandaj duam të shkojmë në vende të tilla si Gjermania, Holanda, Austria dhe vende tjera të zhvilluara”, shpjegoi Kabbani, i cili ndryshe nga familja e tij që udhëtuan bashkë nga Siria, nuk arriti të hyjë në Serbi, pasi që u kthye në vendkalimin kufitar serbo-maqedonas.

Kabbani shtoi se emigrantët që parandalohen të kalojnë kufirin flenë nëpër parqet, por ai thotë se kjo nuk është e sigurtë. Sipas tij, më e sigurtë është të qëndrojnë në stacionin hekurudhor, pasi që çanta e tij me dokumente dhe telefoni celular i është vjedhur. Ai tha se rastin e ka paraqitur në polici, por përpjekjet ishin të kota.

“Ndodhem këtu me miqtë e mi. Familja ime ka kaluar nëpër këtë rrugë dhe tani ndodhet diku në Serbi. Jam i lumtur se pavarësisht këtyre vështirësive, kemi këta aktivistë të mirë dhe ekipe të UNHCR-së të cilët na ndihmojnë, na lehtësojnë rrugën tonë të shpëtimit. Ata na japin ushqim, ujë, si dhe informacione të dobishme, që na lehtësojnë rrugën”, thotë Majid Kabbani.

Emigrante ne Maqedoni (3)

Treni nga Gjevgjeli për në vendkalimin kufitar serbo-maqedonas në Tabanovcë arrinë në orët e vona. Asnjëherë nuk është e sigurtë se treni do të arrijë në kohë dhe se a do të ketë emigrantë në të, por aktivistët e organizatave humanitare të cilët me muaj qëndrojnë në terren, janë të gatshëm të ndërhyjnë për të ndihmuar emigrantët.

– Aktivistët të organizatave humanitare të Maqedonisë lehtësojnë udhëtimin e emigrantëve –

Një nga aktivistet rregullisht ndodhet në terren, ishte edhe Aleksandra Dadidovska nga Kumanova, anëtare e Organizatës Joqeveritare Humanitare “Legis”. Dadidovska kohën e fundit është shumë aktive në këtë fushë. Ajo përpiqet që edhe nëpërmjet rrjeteve sociale të organizojë qytetarët e Maqedonisë në ndihmë të emigrantëve. Dadidovska poashtu është edhe dizajnere e këpucëve, biznes familjar i saj, por ndjehet shumë e prekur nga fati i trishtuar i emigrantëve dhe përpiqet që sado pak të lehtësojë udhëtimin e tyre të vështirë.

“Motivi i vetëm është të ndihmojë këta njerëz të lodhur, për tu lehtësuar rrugën duke u dhënë ushqim, ujë dhe furnizime të tjera të nevojshme, si dhe duke u siguruar informacione të dobishme të dinë se ku janë dhe çfarë i pret ata në atë rrugë. Ndodhemi në Tabanovcë, më herët ishim të stacionuar në një xhami në Kumanovë. Në xhami vijnë nga 400 njerëz, pushojnë dhe pastaj vazhdojnë rrugën e tyre”, tregon Dadidovska.

Dadidovska thotë se në grupe vijnë lloje të ndryshëm të njerëzve, gra me fëmijë të vegjël, të sëmurë, përfshirë edhe njerëz me aftësi të kufizuara. “Ja sot këtu kemi një person me peshë të madhe trupore prej 217 kilogram. Është shumë e vështirë të lëvizë, veçanërisht për arsye të temperaturës së lartë. Ai u gëzua shumë kur pa njerëz që mund t’a ndihmojnë. Në raste të tilla ne përpiqemi që t’iu përgjigjemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Kontaktojmë edhe me kampin në Preshevë ku lëshohen vërtetimet, si dhe organizohet transporti. Gjatë ditës, në dy termine ka transport pa pagesë me autobus, të cilat ofrohen nga UNHCR-Serbi, ndërsa posedojnë edhe një furgon për të transportuar raste të këtillë të rënda”, shpjegon Dadidovsa, duke shtuar se nga Tabanovci emigrantët dërgohen në një xhami në Miratovcë të Serbisë, ndërsa pastaj kampi në Preshevë informohet për raste specifike, të cilët reagojnë në mënyrë të përshtatshme.

Emigrante ne Maqedoni (5)

Dadidvoska thotë se nuk kërkon që shoqëria të pranojë për humanitetin e tyre që tregojnë ndaj emigrantëve, por apelon tek të gjithë njerëzit që të përfshihen në këtë humanitet sa të mundin, pasi që, siç thotë ajo, nuk kanë donacione të mjaftueshme për t’i ndihmuar të gjithë emigrantët, numri i të cilëve është gjithmonë në rritje të vazhdueshme. Ajo njoftoi se më herët numri i emigrantëve që hynin në Maqedoni ishte nga 600 deri në 700 emigrantë, ndërsa sot ky numër arrin deri në 2 mijë emigrantë në ditë. Ajo poashtu bëri të ditur se në ditë në Tabanovcë arrijnë nga 4 deri në 6 trena dhe nuk dihet koha e saktë e arritjes së tyre.

“Ne përpiqemi që të ballafaqohemi me çdo situatë. Për shkak të turmave ndodh që emigrantët janë kthyer sërish nga vendkalimi kufitar Tabanovcë dhe kalojnë natën në fusha. UNHCR ka ndërtuar një vendstrehim për qëndrim të shkurtër të emigrantëve, por këto nuk janë të mjaftueshme. Në një moment arrijnë shumë emigrantë dhe është e vështirë për tu organizuar. Deri tani nuk kam hasur ndonjë reagim negativ nga familja ime, fqinjët apo nga kushdo tjetër. Për mua nuk është e rëndësishme feja e një njeriu, nuk i ndaj njerëzit në bazë të përkatësisë fetare, etnike apo kombëtare, do të doja që në botë të mos ekzistonte kombësia, sepse në të vërtetë ne të gjithë jemi të njëjtë, ne jemi vetëm njerëz”, thekson Dadidovksa.

Emigrante ne Maqedoni (6)

 

 

 

 

Me Aleksandra Dadidovskën ishte edhe kolegia e saj Mare Bojkovska nga Kumanova, e cila tha se ata gjithmonë qëndrojnë në vendkalimin kufitar Tabanovcë, bashkërisht me disa aktivistë të tjerë nga Kumanova dhe rrethina të përkatësisë së ndryshme etnike, të cilët përpiqen për të ndihmuar emigrantët që kalojnë në këtë territor.

“Në Tabanovcë vijmë të paktën gjysmë ore para se të arrijë treni i emigrantëve. Donacionet që mbledhim kryesisht janë të gatshme për t’i ndarë. I zbresim njerëzit nga treni dhe u tregojmë se ndodhen në kufi me Serbinë, sepse shumica e tyre nuk e dinë se ku saktësisht ndodhen. Ne u referojmë që të marrin ushqim dhe ujë, pastaj u tregojmë një vend ku ata mund të pushojnë. Për fat të keq nuk ka tualet, por janë në ndërtim e sipër dhe shpresojmë që ky problem do të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Pasi u jepet ushqim, ujë dhe pasi ata pushojnë, i tregojmë se kur duhet të lëvizin dhe për në vendkalimin kufitar me Serbinë dhe të arrijnë në Preshevë. Ndodh që ata kthehen në kufi dhe përsëri u ndahen ndihma që kemi nga donatorët”, shpjegoi Bojkovska.

Bojkovska thekson se me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë bashkëpunim të mirë dhe nga ana e ministrisë mbështetet angazhimi i tyre për emigrantët. Ajo thotë se problemi i vetëm që kanë është liria e lëvizjes, sepse në kalimin kufitar aktivistët nuk lejohen që të hyjnë, por siç thotë ajo, ndonjëherë është nevoja që të hyjnë në atë terren, kur ndonjë emigrant i lënduar ka nevojë për ndihmë nga Kryqi i Kuq.

“Unë jam nga Kumanova, një qytet multi-etnik. Ndërmjet nesh asnjëherë nuk ka pasur ndonjë pengesë, por kjo krizë e emigrantëve neve edhe më shumë na bashkoi, veprojmë njëjtë, si një familje, të gjithë me të njëjtin qëllim për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë për ndihmë”, shprehet Bojkovska.

Kriza e emigrantëve ka ngritur një numër të madh çështjet me natyrë politike, por edhe çështjen e njerëzimit, ku aktivistë të shumtë të organizatave humanitare duke u përpjekur të ndihmojnë emigrantët, sakrifikojnë kohën e tyre në shërbim të njerëzimit dhe bamirësisë, dëshirën të paktën për të ndihmuar emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore drejt “rrugës së shpëtimit”, të cilët kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë me qëllim që të arrijnë në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore.

Lajme të ngjashme

Back to top button