Braçe: Zhani Ciko kontribuoi, por t’u hapë rrugë të rinjve

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, komentoi dje emërimet e fundit të qeverisë në disa poste kyçe të institucioneve të kulturës. 

Nisur edhe nga kritikat e bëra nga Partia Demokratike, Braçe shkroi dje në “Facebook” se: “Dëgjoj PD në të sjellë lloj-lloj argumentesh për dy drejtorë: Zhani Cikon e TOB, Nevila Nikën e Arkivës së Shtetit, Rubens Shimën e Galerisë së Arteve nuk e përmendin”. Më tej, në argumentimin që u bën ai emërimeve, shpreh vlerësimet Nevila Nikën dhe shprehet kundër emërimit në këtë post të Gjet Ndojit. 

“Shikoni, unë nuk mund të mohoj kontributin në TOB të Zhani Cikos, por Maestro duhet të kuptojë dy gjëra: e para, vjen një ditë kur duhet thënë boll, për t’u hapur rrugë të tjerë personaliteteve, mes tyre dhe të rinj. E dyta, nuk ka asgjë politike në këtë mes. Edhe PD një herë më parë i ka thënë ‘boll’ maestros për shkak të moshës”, komenton më pas, Braçe. 

“Unë nuk mund të mohoj gjithashtu kontributin e zonjës Nika në Arkivën e Shtetit Shqiptar, por ajo nuk është e vetmja që ka kontribuar. Ka plot të tjerë që e njohin shumë mirë këtë fushë, kanë kontribuar në këtë fushë dhe iu është ndërprerë brutalisht puna nisur nga arsye politike. Profesor Doktor Shaban Sinani është i fundit që kujtoj të ketë pësuar këtë”, vijon më tej komentin e tij deputeti i PS-së.

“Kjo nuk do të thotë se jam dakord me emërimin e zotni Gjetës në këtë detyrë”, thekson ai. “E fundit, Ilir Kerni e Artan Shabani janë ndër njerëzit e denjë për të kryer këto detyra. PD hesht për ta! Mos vallë vetëm njerëzit e saj janë për të drejtuar? Nuk besoj!”, mbyll Braçe komentin e tij. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u bënë edhe këto emërime të reja. 

U vendos lirimi nga detyra i Zhani Cikos dhe emërimi i balerinit të njohur shqiptar, Ilir Kerni në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndryshime pati edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku Rubens Shima u zëvendësua nga Artan Shabani. Zhani Ciko u emërua në postin e drejtorit të TOB në 2003, ndërsa Rubens Shima në 2006. 

I kontaktuar nga “GSH”, master Zhani Ciko u shpreh: “Jam thirrur nga ministrja në zyrë dhe më ka komunikuar se për shkak të moshës, (unë e kam kaluar moshën e pensionit), duhet të më zëvendësojnë. Sigurisht, unë e pranova. E di moshën time dhe nuk kam pse ta fsheh atë”. Ndërsa në ndryshim me të, Rubens Shima depozitoi në ministri dorëheqjen e tij nga posti disa ditë më parë. Ilir Kerni, që do të zëvendësojë Cikon, ka marrë një sërë titujsh si: “Artist i merituar”, “Çmimi i Republikës”, Urdhrin “Naim Frashëri i klasit të II–të” etj. 

Artan Shabani, pas studimeve të tij në Shqipëri shkoi në Itali e më vonë Francë dhe Spanjë, ku punoi në projekte të ndryshme. Në vitin 2003 ishte fitues i Çmimit special në Österbottens Muzeun në Vaasa. Ndërkohë pas këtyre emërimeve, PD tha se: “Kryeministri i ka zbritur standardet cilësore në nivelin 0 dhe ka treguar se nuk gëzon asnjë lloj ndjeshmërie ndaj institucioneve të veçanta si Arkiva e Shtetit”. (BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button