Ekstradohet nga Athina në Shqipëri i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje

Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana është ekstraduar nga kryeqyteti i Greqisë, Athinë, në drejtim të Shqipërisë shtetasit Fatmir (Gazmir) Zeneli, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga të dhënat zyrtare të Policisë mësohet se Zeneli, 44 vjeç, lindur në Vlorë është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë, më 26 shtator 2000 me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje” ,”plagosje e rëndë me dashje” dhe “ armëmbajtje pa leje”.

“Më datën 05.05.1997 shtetasi Fatmir (Gazmir) Zeneli pasi ka konstatuar që personi ndaj të cilit, do hakmerrej ndodhej në afërsi të një bilardoje në hyrje të qytetit të Vlorës, ka ndaluar makinën dhe me automatikun që kishte me vete u nis në drejtim të viktimës Lutfi Hyseni i cili ndodhej në hyrje të bilardos. Hyseni ka hyrë me nxitim në bilardo dhe u përpoq të mbrohej pas trupit të Agron Çeçit, ndërkohë që i pandehur ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij. Plumbat kanë goditur për vdekje shtetasit Lutfi Hyseni dhe Agron Çeçi, si dhe është plagosur rëndë shtetasi Durim Pulaj”- thuhet në deklaratën zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lidhur me këtë rast.

Nga bashkëpunim i Interpol Tiranës me Interpol Athinën, më datë 30 mars 2015 shtetasi Gazmir (Fatmir) Zeneli është arrestuar në territorin grek me qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button