U inaugurua riasfaltimi dhe rehabilitimi i plotë i rrugës së “Ilindenit” në Gostivar

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, inauguroi investimin për riasfaltimin dhe rehabilitimin e plotë të rrugës së “Ilindenit”, ( ish rruga Boris Kidriç), në Gostivar.

Kryetari Nevzat Bejta deklaroi që ky investim ishte imperativ i kohës nga shkaku se rruga ishte e dëmtuar tej mase, për kundër faktin që është një nga rrugët kryesore të qytetit dhe ku funksionojnë dy institucione të rëndësishme të arsimit, shkolla e mesme teknike dhe internati i nxënësve.

U inaugurua riasfaltimi dhe rehabilitimi i plotë i rrugës së “Ilindenit” (6)

“Rruga e riasfaltuar ka distancë mbi 100 metra, po ashtu janë rregulluar edhe pjesët e dëmtuara të rrugës duke respektuar standardet e kërkuara bashkëkohore. Investimi ka kushtuar mbi 1.200.000 denarë. Ne do të vazhdojmë që edhe rrugët e tjera të qytetit të cilat janë të dëmtuara t’i rregullojmë me qëllim që qytetarët e Gostivarit të kenë kushte sa më të mira gjatë qarkullimit në komunikacion”, tha në deklaratën për mediat kryetari Nevzat Bejta, i cili me këtë rast shprehu mirënjohje për kompaninë realizuese të punimeve, firmën “Magnum Trans”, për realizimin efikas dhe në kohë rekorde të punimeve në terren, por edhe punë të paparashikueshme siç ishte sanimi i një pjese të madhe të kanalizimit nëntokësor që brenda kohës kishte pësuar dëmtime serioze dhe që ndikonte në plasaritjen e sipërfaqes rrugore.

Investimi në fjalë vjen pas realizimit të projektit për riasfaltimin e unazave të komunikacionit në këtë anë të qytetit, dhe në prag të fillimit të punimeve për riasfaltimin e një pjesa të madhe të rrugës “Beliçica”.

Këto tre investime, do të bëjnë të mundur rehabilitimin e plotë të këtij aksi të rëndësishëm rrugor ku funksionojnë shumë ndërmarrje private dhe që lidh qytetit me fshatrat e Malësisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button