fbpx

Komuna e Butelit harron shkollën e Vizbegut

Komuna e Butelit edhe këtë vit nuk ka parashikuar që të fillojë ndërtimin e një shkollë fillore në lagjen e Vizbegut, e cila bie nën kompetencat e kësaj komune.

Edhe pse kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski qysh në vitin 2012 premtoi se do të ndërtohet ky objekt shkollor, madje tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim, ndërtimi i tij sërish nuk hyn në projektet e këtij viti të kësaj komune.

Banorët tani më disa herë kanë bërë kërkesë në komunën e Butelit si dhe në MASH, por deri më tani kanë marrë in formacion se shkolla e vjetër nuk do të rregullohet por do të ndërtohet një e re, mirëpo ende nuk ka asnjë shenj të objektit të ri shkollor.

“Jemi lodhur duke kërkuar nga komuna që të rregullojë shkollën që është këto ose të ndërtojë një të re sepse fëmijët tanë ecin një rrugë të gjatë për të shkuar në shkollë. Vazhdojnë të na thonë se objekti aktual nuk mund të rregullohet dhe se do të ndërtohet një shkollë e re, po ende nuk po shohim asnjë ndërtim dhe nuk ka asnjë lajm lidhur me këtë çështje”, tha për Portalb Faik I., banor i Vizbegut.

Kohë më parë nga komuna e Butelit thanë për Portalb se në Vizbeg është paraparë të ndërtohet shkollë fillore por edhe foshnjore për parashkollorët.

“Faza për ndërtimin e objekteve shkollore në këtë fshat është në fazën e detajizimit urban dhe së shpejti pritet të përfundojë, mirëpo ne jemi duke ndërtuar shkollën ‘Zhivko Brajkovski ‘ në lagjen e Butelit e cila parashikohet të përfundojë në shtator të këtij viti. Komuna fatkeqësisht nuk ka kapacitet që të ndërtojë dy objekte shkollore në të njëjtën kohë”, tha Snezhana Klinçarova, zëdhënëse e komunës së Butelit.

Derisa organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, 800 nxënësit shqiptar të lagjes Vizbeg të Shkupit mbeten të detyruar të ecin çdo ditë në këmbë 4 kilometra për të arrit tek shkolla fillore ’26 Korriku’ në Shutkë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button