Analizë: Rrezikohen paratë e pensioneve?

Numri i pensionistëve rritet, rriten edhe pensionet, por deri kur dhe si do të paguhen ato në kohë?  Projektimet për rritjen e punësimeve dhe të rrogave – nuk i dhanë rezultatet e pritura për mbushjen e arkës së fondit. Raporti më i ri i i Revizorit shtetëror e ndezi alarmin – deri kur Fondi për sigurim pensional do të mund ta durojë këtë presion. Sipas të dhënave të fundit, që janë për muajin gusht të këtij viti, në vend ka gjithsej 288.512 pensionistë ose në krahasim me fundin e vitit 2012 numri është rritur për 6.180 persona – pensionistë të rinj. 

Pensioni mesatar është 11.734 denarë, më i ulëti është 5.900 denarë, ndërsa pensioni më i lartë është 36.346 denarë. 

Pas rritjes së pensioneve gjatë vitit të kaluar, edhe vitin e ardhshëm pensionistët presin rritje të re – për pesë përqind. Derisa qeveria i bën këto llogari, analizat tregojnë se Fondi për sigurim pensional është “duke ecur nëpër akull të hollë”.

Vitin e kaluar, fondi planifikonte t’i rrisë të ardhurat e përgjithshme nga kontributet për 8,5%, edhe atë 5,5% si rezultat i rritjes së rrogave dhe 3,0% si rezultat i rritjes së punësimeve. Por, planet dështuan për shkak të gjendjes tjetërfare reale. 

“Mirëpo, parametrat e planifikuar nuk u realizuan, ndërsa rritja e rrogave në vitin 2012, në krahasim me vitin 2011 ishte vetëm 0,2%.” – shkruan në raportin e sivjemë të FSPIM-së. 

Kjo gjendje u reflektua në kondicionin financiar të fondit. Parametrat e vitit të kaluar tregojnë se të ardhurat e përgjithshme në raport me mjetet e planifikuara janë rritur vetëm për 0,3%, ndërsa shpenzimet në krahasim me ato që janë projektuar janë rritur për 4,3% (numër i rritur i pensionistëve dhe rritje e pensioneve). Shpëtimi kërkohet në dy pika – e para, nëpërmjet injeksionit buxhetor dhe e dyta nëpërmjet pagesës së dhunshme të kontribueteve nga firmat. Transferet buxhetore edhe më tej vazhdojnë t’i mbulojnë gropat e fondit. 

Ja si financohet fondi: 
59,9% – të hyra vetjake, 450,3 milionë euro 
37,7 % – para buxhetore,  284,1 milionë euro 
1,8% – burime të tjera, 13,8 milionë euro

Se kondicioni financiar është alarmant, vërtetoi edhe Revizioni shtetëror, i cili në Raportin e tij për punën e Fondit për sigurim pensional konstaton: 
“Në punën financiare të fondit për vitin 2012 ndikim kishte zvogëlimi i përqindjes së kontributit për sigurim pensional dhe invalidor, si dhe indikatorët e parealizuar makroekonomikë për rritjen e punësimeve dhe rritjen e rrogave të të punësuarve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi realizimin e të ardhurave nga kontributet”. 

Zbrazëtira në fond rritet, varësia buxhetore gjithnjë e më e madhe 
“Rritja e numrit të shfrytëzuesve të pensioneve si dhe harmonizimi i pensioneve në vitin 2012 ndikoi në mungesën e mjeteve për pagesën e pensioneve, për të cilën arsye çdo vit rritet varësia e Fondit nga huazimi i mjeteve buxhetore nga buxheti kryesor i RM-së. Për mbulimin e deficitit buxhetor, mjetet e paguara nga buxheti i RM-së, marrin pjesë me 22%”, vlerësojnë revizorët.
Që ta tejkalojë gjendjen e agonisë, fondi filloi edhe me pagesën e dhunshme të borxheve. Kështu, nëpërmjet Planit aksional për pagesë të obligimeve të mbetura, vitin e kaluar kishte operacion për bllokada të firmave që nuk i kanë paguar kontributet. Që të amortizohet gjendja, ofrohej edhe pagesa e borxheve me këste. Nëpërmjet pagesës së dhunshme, sipas të dhënave nga fondi, janë inkasuar rreth 4 milionë euro. 

Ku të kërkohet zgjidhja? 
Jazi ndërmjet atyre që marrin pension dhe atyre që e mbushin arkën e fondit vazhdimisht ngushtohet – alarmojnë ekspertët. Sipas llogaritjeve të FSPIM-së, në 1,7 të siguruar ka 1 pensionist, raport ky që objektivisht duhet ta ndezë alarmin për qëndrueshmërinë afatgjate të fondit për pagesë të rregullt të pensioneve.  

“Ne kemi problem serioz me Fondin për sigurim pensional. Problem të këtillë ka çdokund në Evropë, por te ne kjo gjendje është endogjene, për shkak se intensiteti i keqësimit është shumë i fuqishëm. Para pothuajse njëzet vitesh, gjegjësisht në vitin 1996, ne kishim raport një pensionist në tre të punësuar. Sot ai raport është 1,6 të punësuar në 1 pensionist, që do të thotë se për 16 vjet, ky raport është përkeqësuar dyfish” –  vlerëson profesori universitar dhe akademiku, Abdylmenaf Bexheti.  

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, që të plotësohet zbrazëtira aktuale në arkën e FSPIM-së duke siguruar të ardhura në bazë të sigurimit pensional, nevojiten 200 punpsime të reja. Pozitat aktuale tregojnë se ka paqëndrueshmëri të Fondit, konsideron Bexheti dhe thekson se ajo që më së paku që duhet të bëhet është të intervenohet të intervenohet në rritjen e pensioneve nga aspekti i shpenzimeve të FSPIM-së. Treguesit për rritjen e të ardhurave nga kontributet nga viti i kaluar nuk paralajmërojnë optimizëm. Të hyrat e përgjithshme nga kontributet në vitin 2012 në krahasim me vitin 2011 janë rritur për 2,7%, me ç’rast të hyrat nga kontributet nga rrogat janë rritur për 2,8%. 

Në fund të vitit 2012, arkën e fondit e kanë mbushur 507.061 të siguruar. 

Shkaku për jazin gjithnjë e më të madh ndërmjet pensionistëve aktualë dhe atyre të ardhshëm sipas ish-ministrit për financa Trajko Sllavevski, duhet të kërkohet edhe në reformën me të cilën u futën edhe fondet private pensionale – që janë të obligueshme për të siguruarit e rinj.     

“Jazi në fond dhe nevoja për transfere nga ana e buxhetit shtetëror lidhet me reformën për futjen e dy shtyllave private pensionale, veçanërisht të fondit të dytë të obligueshëm pensional. Çmimi i kësaj reforme nga aspekti i deficitit, është mungesa e parave në fond, prej ku edhe numri më i madh i pensionistëve presin pension”, thotë profesor Sllavevski. 

Derisa fondi edhe vitin e ardhshëm do të luftojë që të sigurojë likuiditet, qeveria mbetet në qëndrimin se pensionistët me kohë do t’i marrin pensionet – të rritura për 5 për qind të tjera. Sa politikat e këtilla do të jenë të qëndrueshme dhe kush do t’i mbushë zbrazëtirat në arkë – sipas ekspertëve, do të tregojë koha, tashmë në plan afatmesëm.

Aneta Dodevska, Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button