Interesim rekord për Skënderbeu-Dinamo, blindohet “Elbasan Arena”

Interes i madh për ndeshjen Play-Off të Champions League mes Skënderbeut dhe Dinamo Zagreb. Biletat e ndeshjes që luhet më 19 gusht dalin në shitje këtë të shtunë, kjo si pasojë e prodhimit të tyre nga ana e UEFA-s. Nga klubi korçar sinjalizojnë për interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve nga e gjithë Shqipëria.

Në këtë mënyrë nuk do të jetë çudi nëse të 12.500 biletat që përmbush kapaciteti i stadiumit “Elbasan Arena” të jenë te shitura. Kjo edhe për shkak se kërkesa paraprake e skuadrës kroate për tidfozët e saj ka qenë për 700 bileta, aq sa përcakton edhe rregullorja e UEFA-s.

Interesimi i madh i tifozëve vë njëkohësisht klubin para përgjegjësive më të mëdha për mbarëvajtjen e sigurisë. Nga Skënderbeu njoftojnë se në stadium për ndeshjen me Dinamon do të jenë plot 250 roje private sigurie, tjetër rekord ky për sa i përket angazhimit të një firme private në stadiumet shqiptare. Ndërkohë që do të ketë edhe një mbledhje të klubit me strukturat përkatëse për të përcaktuar edhe planin përfundimtar të masave, përcjell Portali Albeu.

Por nuk përjashtohet mundësia e prezencës së elementëve ekstremistë përsa i përket tifozëve të Dinamos. Kjo dhe për shkak të rivalitetit dhe armiqësisë së hershme të grupit ultras të Dinamo Zagreb “Bad Blue Boys” me tifozët serbë.

Për të gjithë ata që njohin historinë e futbollit në Ballkan ekziston opinioni se shpërbërja e ish Jugosllavisë nisi pikërisht në një përballje të mbetur në histori mes Cverna Zvezdës dhe Dinamo Zagreb, në stadiumin “Maksimir” të kryeqytetit kroat, ku dhuna masive mes tifozëve serbë dhe kroatë në 13 Majin e vitit 1990 në një situatë të tensionuar politike, ishte sinjali i konfirmimit për luftën që do të pasonte vetëm pak më vonë në Ish Jugosllavi.

Por mes shqiptarëve dhe kroatëve nuk ka patur kurrë probleme, madje flitet për një aleancë mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button