Të vetëvriturit nuk vetëvriten!

Ndrysho!

Zgjidh një libër me polites dhe mos e shfaq në facebook, por, në personalitetin tënd dhe me atë reflekto realisht dhe virtualisht!

“Nëse nuk ke turp bëj çfarë të duash!” (Profeti Muhamed). Dallimi i personalitetit tonë në botën virtuale, pra në rrjetet sociale, dhe atij në botën reale është se: në botën virtuale personaliteti ynë nuk ka asnjëlloj ndikimi tek të tjerët, për arsye se ne aty paraqesim atë që ne dëshirojmë ta shohim dhe jo atë që ne e posedojmë. Ndërsa në botën reale ne me personalitetin tonë zemrat e të tjerëve mund edhe t’i  mbysim, por, si një libër i gjallë ne do t’i rigjallërojmë sërish ato.
Libër me këmbë janë te gjithë shkencëtarët, dijetarët. Po kështu ishin edhe profetët.
Në këtë formë edhe Zoti i erdhi njerëzimit. Ai nuk erdhi në formën e ndonjë krijese, e as në formën e ndonjë mrekullie, por erdhi si libër.

Kësisoj, janë dy lloje të ndryshimeve: ose je një libër ose je një hiç.
Në të kaluarën edhe pse nuk kishte njohuri  kishte dituri, tani kemi njohuri por jo edhe dituri. Dimë shumëçka për veten, ambientin ku jetojmë, për botën, mirëpo nuk kujdesemi për asnjërën. Dhe, kjo për arsye se ne i njohim gjërat që na rrethojnë e nuk i dimë ato. Të dish diçka është dashuri, ndërsa të kesh njohuri rreth diçkaje është simpati. Sa më shumë të dish për Zotin aq më shumë të shtohet dashuria për Të, mirëpo sa më shumë që të kesh njohuri për botën hyjnore aq më shumë ballafaqohesh me dilema të cilat e zbehin dashurinë. Andaj, të dish do të thotë të dashurosh!

Të ndryshosh nuk do të thotë të thyesh tabu, por të krijosh tabu!

Bota virtuale duhet të na sherbejë si vegël për ndryshimin e botës reale. Fatkeqësisht ajo po na bën robër të saj, ajo po na e mbyt lirinë tonë, të drejtat tona dhe askujt nuk po i pengon kjo dukuri.  Ndërsa në botën reale, në qoftë se cenohet e drejta substanciale, si liria e besimit, individi gjendet në mes mijëra sulmesh reale e virtuale, sulme shpirtërore dhe fizike, dhe kjo ndodh kryesisht tërthorazi nga mediat të cilat i kategorizojnë këta njerëz si demode dhe njerëz postmodern, vetëm për arsyen që ata kërkojnë diçka e cila i takon dhe i është garantuar me marrveshjet ndërkombëtare. Gjendja e këtillë, mes dy zjarresh, po mbyt shumë shpirtëra  njerëzish dhe kësisoj po prodhohen dy ekstremizma: njëri i ashtuquajturi ekstremizëm islamik dhe i dyti ai sekular (laik).
Vetëm sepse një grup njerëzish dëshiron të na shohë të robotizuar nuk don të thotë që duhet të jemi të tillë. Historia na ka dëshmuar këtë në forma të ndryshme, me revolucionerë, të cilët pa frikë treguan haptazi se njeriu është shpirt që ka trup dhe jo trup që ka shpirt, edhe në qoftë trupi i robotizuar shpirti nuk do të nënshtrohet kurrë.
Si pasojë e këtyre dhe shumë problemeve tjera shpirtërore e fizike, ardhmëria jonë (rinia)  zhvillohet në një botë në të cilën nga pamundësia për t’u vetëvrarë, jetojnë.

Për ta prishur mitin modern që islami është fe mizore dhe për të mos u bërë servil të tokësorëve, duhet të ndryshohemi! Ndryshimi fillon prej librit! Kur të jesh vetë libër i gjallë, atëherë është fundi i çdo problemi fiziko-social. Sepse bota do të ketë nevojë për Ty dhe jo Ti për botën. Si një libër i gjallë që ecën në tokë do të jesh ndryshimi, i cili permbush nevojat shpirtërore të njerëzve dhe nuk i mbyt ato. Gjithçka përveç librit është vdekje dhe një i vdekur i gjallë gjithmonë do të sjellë shkatërrim në tokë,  sepse ai është një i vetëvrarë që nuk mund të vetëvritet!

(Autori sapo përfundoi shkollimin e mesëm pranë SHMK “Nace Bugjoni”, Drejtimi: Elektroteknikë për teknikë kompjuterike dhe automatikë, Kumanovë).

Lajme të ngjashme

Back to top button