Maqedonia me pensionet më të larta në rajon? Kjo thjeshtë s’është e vërtetë

[Recension: Me rritjen më të re, pensionet mesatare të Maqedonisë më të larta në rajon]

Lajmi që po recensohet është i ndërtuar mbi një informacion të pavërtetë, që e bën gjithë lajmin të rrejshëm në thelb. Edhe me rritjen e paralajmëruar të shtatorit, Maqedonia ngelet pas shumë shteteve të rajonit për sa i përket lartësisë së pensioneve mesatare në vend. Ky fakt mund të konfirmohet lehtë, me pak kërkime në statistikat zyrtare të shteteve të rajonit.

Me rritjen më të re  pensionet mesatare të Maqedonisë më të larta në rajonLinku deri te artikulli origjinal:  Me rritjen më të re, pensionet mesatare të Maqedonisë më të larta në rajon

Data dhe koha e publikimit: 11.08.2015

Data e recensionit: 12.08.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Në këtë tekst, gazetari nuk sjellë informata për pensionet në asnjë vend tjetër të rajonit, por vetëm konstaton se me vlerën e re prej 217 eurosh, Maqedonia bëhet lider ballkanik për sa i përket pensionit mesatar.

Pensioni mesatar në Maqedoni me rritjen më të re prej pesë për qind, do të arrijë 13.100 denarë ose 217 euro, që është vlera më e madhe e pensionit mesatar në rajonin ballkanik. Sipas ekspertëve, efekti i kësaj mase qeveritare mund të vëzhgohet nga disa aspekte.

Nëse gazetari do t’i ndiqte rregullat e raportimit profesional dhe do të sillte të dhëna zyrtare nga shtetet e rajonit për krahasim me pensionet e Maqedonisë, do të bindej vetë se teksti i tij nuk ka të bëjë me të vërtetën. Një hulumtim i vogël në fakt tregon se Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia kanë pensione mesatare shumë më të larta se Maqedonia.

Në Greqi për shembull, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, pensioni mesatar është rreth 882 euro, ose plot 4 herë më i lartë se në Maqedoni.

Të dhënat e fundit nga Fondi Pensional i Kroacisë tregojnë se në qershor të këtij viti, pensioni mesatar në këtë vend ka qenë 2473 kuna, ose 327 euro.

Edhe Mal i Zi, shtet shumë më i ri se Maqedonia, është përpara nesh sa i përket pensioneve mesatare. Në maj të këtij viti, pensioni mesatar në Mal të Zi ka arritur në 272 euro.

Të dhënat e qershorit nga Fondi slloven nga ana tjetër, tregojnë se pensionistët slloven marrin mesatarisht rreth 560 euro pension në muaj.

Këto të dhëna dëshmojnë qartë se Maqedonia nuk është as afër pensioneve më të larta as në Ballkan, por as në rajon. Përpilimi i lajmit mbi një informacion të rremë, qoftë me ose pa qëllim, është jo-profesionalizëm. Sidomos kur bëhet fjalë për informacione lehtë të verifikueshme dhe transparente në internet.

Lajme të ngjashme

Back to top button