ARTISTI QË BËN EPOKË

Portretin e Miftar Memetit e shpërfaqin pikturat e tij, në të cilat, me ndërthurrje mjeshtërore elementesh pikturale – koloritit, harmonisë, kontrasteve të barazpeshuara…, ofron imazhin e shpirtit të trazuar krijues: bën hartën e vendlindjes, pikturon shtëpitë karakteristike të saj, qëndron te rrënjët e jetës, te kosmosi me konture sugjestive prej fluidi, sendërton dimensionet e të pakapshmes dhe kujtimet që përndjehen me të gjitha ferrparajsat e kësobotshme, kthehet tek e tashmja dhe e shkuara e një ëndrre që s’përsëritet më.

Shtëpitë, fasadat, pullazet, oxhaqet, shkallët, parmakët karakteristikë, pjergullat, gardhiqet…, te pikturat e Miftarit janë me trazime dramatike. Ato kanë shumë botë dhe njerëz brenda vetes, prezenca e të cilëve përftohet në secilin oborr, në secilën portë, në secilën dritare.

Miftari cilësohet si mjeshtër i vizatimit. Natyrisht, edhe në veprat në fjalë hetohet elementi i vijës spontane, me të cilën e qëndis dhe e rrëfen jetën. Nëpërmjet njollave dydimensionale dhe ndeshjes së kahjeve të pjerrëta të pjergullave me kahjet dominante vertikale e horizontale ai e gjallëron lojën lirike të pikturave, duke sugjeruar fuqishëm idenë e lëvizjes dhe trazimeve qiellore.

Valset e dritë-errësirrës dhe të përbrendshmet e botës Miftari i shpalon kryesisht nëpërmjet të kuqes, të kaltrës dhe të verdhës. Qetësinë e shpreh me harmoninë e ngjyrave të ngrohta dhe kontrastit komplementar, me gamën e së verdhës dhe kontraefektet e ngjyrës vjollcë, me gamën e së kuqes dhe efektet e së gjelbërtës, të kaltrës me efektet e okerit.

*

Paralelisht me fasadat, Miftari merret gjatë edhe me ciklin e potreteve të Nënës Tereze, që e kanë bërë të njihet si piktori i simbolit të paqes, mëshirës dhe vetëmohimit të payrnek. Jetën dhe bëmat e humanistes shqiptare ai i pasqyron nëpërmjet pikturarash të formateve të ndryshme.

E veçanta e portreteve të Nënës Tereze është e dhëna se, paralelisht me to, artisti bën dhe portretin e një lokeje të njohur për të gjithë ne – portretin e një nënëmadheje të urtë shqiptare, të një nëne të dalë nga gjiri i kombit shpirtmadh.

Gërshetimi i portreteve të Nënës Tereze me ato të nënës së piktorit, veshjet e tyre me petkat e njëra-tjetrës përmbajnë në vete mesazhe domethënëse.

Nënën Tereze Miftari e ka pikturuar në të gjitha pozat e mundshme, e ka përcjellur hap pas hapi, që nga fëmijëria e hershme, nëpër rrugëtimet e golgotshme kalkutiane, në aktin e marrjes së Nobelit…, gjer në ikjen e saj në pavdekësi.

*

Pikturat e Miftar Memitit janë rikompozime të jetës së tretur dikur e diku. Ato burojnë nga inspirimi i thellë dhe i sinqertë, nga universi i ikur që vazhdon të jetojë brenda shpirtit të artistit. Ato pasqyrojnë, para së gjithash, botën dhe temperamentin e subjektit krijues.

Thënë shkurt: Miftari është një minierë që akoma nuk i ka nxjerrë në sipërfaqe diamantet më të mirë të saj, ndoshta as pas 100 portreteve të Nënës Tereze, të ekspozuara brenda e jashtë vendit në përvjetorin e 100 të lindjes së humanistes, as pas pikturës me 100 fytyrat e personaliteteve të shquar të historisë shqiptare, të ekspozuar gjithashtu me shumë sukses në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, sado që të dy pikturat janë tejet origjinale, si për nga gjetja, si për nga mënyra e kompozimit dhe ekspozimit, si për nga sfondet domethënëse, që shfaqen vetëm pas vendosjes nga ana e pjesëmarrësve në ekpozitë të portreteve në vendet e caktuara për të ndërtuar pikturat gjigante dhe jetëgjata si çdo vepër e veçantë arti.

Të besojmë se kohët që vijnë janë kohët e artistit që bën epokë – kohët e pikturës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button