Zyrtare; vetëm nga Shqipëria kanë kërkuar azil në Gjermani 30 mijë qytetarë

Tashmë është zyrtare: në Gjermani kanë shkuar 30 mijë qytetarëve vetëm nga Shqipëria për të kërkuar azil. Këtë e ka bërë të ditur Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt, në një intervistë telefonike për Top Channel.

“Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues. Këta azilkërkues nga Shqipëria kanë mundësi shumë të pakta për të fituar të drejtën e azilit në Gjermani. Arsyet që paraqesin ata për të kërkuar azil janë shumë të dobëta”, tha Manfred Schmidt.

Për sa i përket shtetasve shqiptarë që janë aktualisht në Gjermani, Schmidt ka siguruar se ata do të kthehen. “Ne kemi filluar procesin e përshpejtimt të procedurave për kthimin e azilkërkuesve shqiptarë në vendin e tyre. Për një muaj janë marrë rreth 5000 vendime negative dhe azilkëkuesit do të kthehen në Shqipëri. Gjithashtu, ka edhe një marrëveshje mes landeve të Gjermanisë, që aplikuesit për azil do të qëndrojnë në shtëpitë e strehimit ku vendosen fillimisht, e nuk do të shpërndahen nëpër komuna të tjera, pasi për ta do të merret vendim i shpejtë. Jemi duke shqyrtuar çështjet e azilkërkuesve, që vijnë nga Shqipëria dhe kanë arsye shumë të dobëta. Atyre do t’u ndalohet të hyjnë më në Gjermani dhe nuk do t’u mundësohet më leja e qëndrimit”, u shpreh më tej Schmidt.

Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, u ka drejtuar një thirrje të gjithë shqiptarëve, që po mendojnë të udhëtojnë për të kërkuar azil drejt Gjermanisë.

“Ju lutem, mos u besoni thashethemeve të gabuara, që vijnë nga trafikantë të qenieve njerëzore, sipas të cilëve Gjermania ofron azil për rrethanat që mbizotërojnë në Shqipëri. Të informohen mbi mundësitë ligjore që kanë shtetasit shqiptarë për të ardhur në Gjermani. Kërkesa e tyre për azil në Gjermani i çon ata në një fatkeqësi”, përfundoi Schmidt. /tesheshi.com/

Lajme të ngjashme

Back to top button