Francë, biznesmeni bashkëpunon me trafikantët shqiptarë

Një biznesmen francez i dyshuar si bashkëpunëtor i 4 trafikantëve shqiptarë, që trafikonin bashkëkombasit e tyre nga Franca drejt Britanisë, është arrestuar në Kale. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur, por mediat britanike bëjnë të ditur se ai është drejtor i një supermarketi në këtë qytet. Siç bëjnë të ditur burimet policore, biznesmeni i siguronte strehimin emigrantëve, në rrugëtimin e tyre drejt Britanisë së Madhe.

Ai u vu në pranga të martën, gjatë operacionit ku ranë në pranga 4 trafikantët shqiptarë dhe 2 bashkëpuntoret e tyre franceze. Grupi i tyre pritet të dalë përpara gjykatësve, në një seancë që do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku do të jepet edhe masa e sigurisë për ta.

Të arrestuarit akuzohen për trafikim, kryesisht të emigrantëve shqiptarë, nga Franca drejt Britanisë së Madhe. Ata u merrnin deri në 7 mijë euro për person, emigrantëve për t’i trafikuar drejt Britanisë. Për këtë, ata bashkëpunonin me shoferët e kamionëve të mallërave, ku i fshihnin emigrantët ilegalë.

Një tjetër formë e trafikimit ishte edhe shfrytëzimi i francezëve të papunë, për t’i dërguar shqiptarët drejt Britanisë, me automjete të marra me qera, për t’i shpëtuar ndëshkimeve financiare të policisë, nëse kapeshin./Tv Klan

Lajme të ngjashme

Back to top button