Turqia drejt zgjedhjeve të parakohshme: bisedimet për një koalicion përfundojnë pa sukses

Takimi i sotëm, i fundit, mes kryeministrit Ahmet Davutogllu dhe Kemal Këllëçdarogllusë, përkatësisht kryetarit të AKP-së, Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillim, dhe të CHP-së, Partisë Popullore Republikane, ka përfunduar pa një rezultat konkret. Kjo ishte biseda e fundit e një serie të gjatë takimesh mes përfaqësuesve të dy partive kryesore në Turqi, njëra në pushtet dhe tjetra si opozita kryesore në vend, e cila zgjati mbi një orë e 35 minuta, transmeton Tesheshi.

Kryeministri Davutogllu sapo ka falënderuar në një konferencë shtypi kundërshtarin e tij politik për sjelljen qytetare, për qasjen korrekte e në frymë miqësore, si dhe për transparencën në bisedime, por duke konfirmuar se nuk do të ketë një koalicion të madh. Pengesë për arritjen e një kompromisi historik janë bërë një numër çështjesh, duke përfshirë llojin e qeverisë që do të krijohej, një qeveri jetëshkurtër e cila do të ndërmerrte reforma në mënyrë të përshpejtuar, apo një qeveri jetëgjatë, po ashtu me objektiva kryesore reformat, mospërputhjet për politikën e jashtme, mungesa e dëshirës nga baza e dy partive për një koalicion, etj.

Davutogllusë i kanë mbetur edhe dhjetë ditë për të krijuar qeverinë, gjë që duket e pamundur, duke hapur kështu rrugën e zgjedhjeve të parakohshme. Vetë kryeministri pohoi se do të vijonte të përpiqej për të krijuar një qeveri koalicioni, por po ashtu konfirmoi hapur se zgjedhjet e parakohshme po bëhen alternativa e vetme.

Një mundësi që partia në pushtet, fituese e zgjedhjeve, të krijojë një qeveri koalicioni është një marrëveshje e minutës së fundit me nacionalistët e MHP-së, Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, diçka e përjashtuar thuajse kategorikisht nga këta të fundit. Devlet Bahçeli, kryetari i MHP-së, e ka shprehur që më 8 qershor dëshirën për të qëndruar në opozitë.

Më 23 gusht përfundon afati kohor prej 45 ditësh për formimin e një qeverie, dhe më pas rruga e vetme mbeten zgjedhjet e reja, që mendohet të mbahen në nëntor.

Lajme të ngjashme

Back to top button