Qeveria e Kosovës: Nuk ka alternativë tjetër përveç ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të vendit, Blerand Stavileci, sot në Prishtinë, para gazetarëve prezantuan orientimet zhvillimore të Qeverisë së Kosovës në fushat specifike si, sektori i energjisë elektrike, mineraleve dhe minierave, telekomunikacioni dhe menaxhimi i korporatave publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Mustafa deklaroi se Qeveria do të koncentrohet në rishikimin e strategjisë së energjisë së Kosovës, me qëllim të arritjes së furnizimit të qëndrueshëm të vendit me energji elektrike, në harmoni me kriteret e Bashkimit Evropian sa i përket ambientit, si dhe me çmimin të përballueshëm për qytetarët e Kosovës.

“Në sektorin e energjisë, ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e Termocentralit (TC) “Kosova e Re” me kapacitet prej 600MV. Pritet të finalizohet procesi negocues dhe të vendoset lidhur me procesin e mëtejshëm me firmën Contour Global e cila është firma e vetme që mbetet në konkurrencë dhe me të cilën po zhvillojmë negociata” tha Mustafa.

Lidhur me ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tregoi që Komiteti Drejtues për Projektin, ka marrë vendime të rëndësishme për Normën e Kthimit si një ofertë financiare, si dhe atë për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen.

“Ne me kompaninë e cila është në cilësinë e investitorit, financuesit dhe zhvilluesit të projektit, kompaninë amerikane Contour Global, jemi duke zhvilluar negociata. Kemi kompletuar fazën e përputhshmërisë teknike dhe financiare të ofertës” tha Stavileci.

Ai theksoi edhe faktin që, sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe përballimit të çmimeve të energjisë elektrike janë dy objektivat kryesore të Qeverisë së Kosovës. Sipas Stavilecit, Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos asaj të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike.

Qeveria e Kosovës po punon edhe në sigurimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike në mënyrë që të bëhet këmbimi i energjisë elektrike, tha gjatë konferencës kryeministri Mustafa.

“Tani për tani, jemi shumë afër me Shqipërinë, që të zhvillojmë një lloj të tregut të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit të cilat po i ndërtojmë. Sidomos bëhet fjalë për linjën interaktive 400kV, punimet të cilat do t’i përfundojmë në fund të këtij viti, ndërkaq në vitin 2016 presin që të përfundojnë tërësisht.”

Me aktivizimin e kësaj linje, kryeministri Mustafa tha se do të krijohen kushte të veçanta që Kosova të ketë këmbim të energjisë elektrike me Shqipërinë, në sezone të ndryshme kur Kosova ka mungesë të energjisë elektrike ose kur ka tepricë dhe mund të eksportoj rrymën në Shqipëri, atëherë kur fqinjët kanë nevojë për të.

Ai tregoi edhe për negocimin e Kosovës me Serbinë, në Bruksel, për arritjen e marrëveshjes për prodhimin dhe distribucionin e energjisë elektrike në veri të vendit, duke paralajmëruar se gjatë takimit të 27 gushtit ka gjasë ta mira që kjo marrëveshje të nënshkruhet.

“Me këtë do të arrijmë që ne të vëmë kontrollin e plotë edhe të prodhimit edhe të distribuimit të energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës” tha Mustafa duke theksuar edhe zhvillimin e planit për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Orientimet e Qeverisë së Kosovës janë që deri në vitin 2020 të arrihet një prodhim prej 25% të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të përplotësojmë kriteret e BE-së” tha Mustafa që në kuadër të këtij kapacitetit kishte përfshirë edhe energjinë e prodhuar nga hidrocentralet.

I pari i Qeverisë së Kosovës tregoi se Ministria e Zhvillimit Ekonomikë është fokusuar edhe në efiçencën e energjisë elektrike, në veçanti të shndërrimit të energjisë elektrike në atë termike, duke e dhënë shembullin e Termokosit në Prishtinë, në të cilin do të vazhdojnë investimet me qëllim të rritjes së rrjetit të distribucionit.

Një nga projektet e ardhshme është edhe rritja e efiçencës së shfrytëzimit të energjisë elektrike në objektet e institucioneve qendrore, duke përdor metodat alternative të furnizimit me rrymë, projekt ky që do të financohet nga Banka Botërore.

Në kuadër të zhvillimit të sektorit të minierave dhe mineraleve, në fokus të veçantë do të jetë çështja e Trepçës, ku Qeveria ka formuar grupin ndërministror i cili përfshijnë ministritë dhe subjektet që merren me këtë fushë, për të dhënë një orientim strategjik lidhur me zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen.

“Ne mbesim ta bëjmë Strategjinë për Trepçën dhe Ligjin për Trepçën. Me këtë do të fillojmë në vjeshtën e këtij viti, pasi të kompletohet Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit” tha Mustafa

Në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit, Qeveria e ka përgatitur Ligjin për Dixhitalizimin e Transmetimit Radiodifuziv Tokësor, po punon në përpilimin e Strategjisë Kombëtare të Teknologjisë Informative deri në vitin 2020, si dhe në konceptin për themelimin e fondit për rritje dhe zhvillimin e tregut të Teknologjisë informative në Kosovë. Ndërsa, sa i përket kodit të posaçëm të telefonisë së Kosovës, kryeministri Mustafa u shpreh se deri në fund të këtij muaji pritet nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel, sipas të cilës marrëveshje Kosova do ta arrijë pavarësinë e plotë në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Back to top button