Krerët e bashkësive fetare të Kosovës mbështesin anëtarësimin e vendit në UNESCO

Krerët e bashkësive fetare në Kosovë janë bërë bashkë dhe kanë dhënë përkrahjen e tyre për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO), duke i dërguar një letër të përbashkët Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe delegacioneve të vendeve anëtare të UNESCO-s, thuhet në komunikatën për media ku është bashkangjitur edhe letra origjinale dërguar drejtoreshës së UNESCO-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne po ju drejtohemi në emër të shumicës dërrmuese të të gjitha bashkësive fetare në Kosovë, që përfaqësojnë 96% të të gjithë popullsisë së Kosovës. Luteni ta konsideroni këtë letër si një argument shtesë për mbështetjen tuaj dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO” shkruan në komunikatë.

Krerët fetarë rrëfyen se Kosova ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, perandorive dhe feve, duke potencuar tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyeshme fetare, pavarësisht nga fakti se pjesa më e madhe e kosovarëve veten e konsiderojnë muslimanë sunitë.

“Prania e fuqishme historike bashkësive krishtere ortodokse, katolike, muslimane bektashiane, sufi muslimane, protestante ungjillore dhe hebraike, dhe bashkësitë e tjera, pasurojnë vendin tonë të përbashkët që ne e quajmë Kosovë. Ne konsiderojmë se jemi vërtetë të bekuar me këtë thesar. Ne e përqafojmë harmoninë dhe bashkëpunimin historik ndërfetar, megjithëse një luftë e egër shkatërroi vendit tone vetëm 16 vite më parë. Kosova është vendi ku një vajzë e re me emrin Gonxhe Bojaxhiu u zotua për herë të pare për t’u bërë Nënë Tereza e të gjithë njerëzimit dhe ku familjet fisnike shqiptare muslimane i fshehën hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Shoah apo Holokausti. Kjo pasuri dhe ky diversitet duhet të ruhen dhe mbrohen” shkruajnë krerët fetarë në letrën adresuar UNESCO-së.

Më tutje, ata tregojnë se si, një pjesë e madhe e trashëgimisë kosovare është humbur përgjatë historisë, posaçërisht në dekadat e fundit.

“Në epokën që po jetojmë, bashkësitë fetare të Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh për të ndërtuan një shoqëri paqësore dhe tolerante ku ne mund të bashkëjetojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht nga përkatësia jonë etnike apo fetare” thuhet në letrën e krerëve fetarë të cilët, me këtë, arsyetojnë dhe mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në fund, ata shprehin besimin e tyre të plotë se Kosova do të anëtarësohet në UNESCO sepse, sipas tyre, lënia e qytetarëve kosovarë të izoluar dhe pa qasje të drejtpërdrejtë në UNESCO nuk do të ndihmojë kauzën e mbrojtjes së trashëgimisë së përbashkët kosovare, promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj të gjithë njerëzve që përqafojnë paqen anembanë botës.

Kjo letër është nënshkruar nga Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës, Baba Mumin Lama, kryetar i Komunitetit Bektashian në Kosovë, dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi e ka mirëpritur këtë letër dhe i ka falënderuar krerët fetarë të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button