Dhuna ndaj të rinjve, viktimat i drejtohen Komitetit të Helsinkit

Dy të rinjtë nga fshati Batincë të cilët morën lëndime të rënda nga sulmi i huliganëve të dielën, denoncua rastin në zyrën e Komitetit të Helsinkit për të drejtat dhe liritë e njeriut. Përfaqësuesit e këtij komiteti thonë se pasi të marrin deklaratat dhe të kompletojnë dokumentacionin do t’ju drejtohen edhe organeve kompetente për zbardhjen e plotë të rastit. Burhan Ismaili, tha se gjendja e tij shëndetësore dhe e kushëririt të tij 14 vjeçar është përkeqësuar dhe dhimbjet u janë shtuar. Nga Komiteti i Helsinkit, ata u drejtuan në polici për tu interesuar për rrjedhën e hetimeve dhe zbulimin e sulmuesve. Ismaili thotë se në sheshin ‘Maqedonia’ ka pasur kamera dhe shpreh habinë se si është e mundur që policia të mos ketë arritur të kapë asnjërin prej sulmuesve, transmeton Alsat M.

“Dhimbje normal që kemi, kam dhimbje te veshi, te krahu ku më kanë goditur me shufër. Jam katastrof, s’jam mirë. Tani jemi duke shkuar edhe në polici për të marrë informata për sulmuesit, a i kanë zbuluar apo jo. Kamera ka pasur në qendër dhe normal ato persona duhet të gjinden kush kanë qenë”, deklaroi Burhan Ismaili, banor i fshatit Batincë.

Ndërkaq një incident tjetër ka ndodhur mbrëmjen e së martës në afërsi të qendrës tregtare ‘Mavrovësja’. Dy të rinj maqedonas njëri 18 dhe tjetri 16 vjeç, një orë para mesnatës janë rrahur nga një grup i personave të panjohur. Një taksi vozitës i ndodhur në ato momente në vendngjarje ka ndërhyrë për të ndalur dhunën dhe më pas dy të rinjtë i ka dërguar në spital.

Lajme të ngjashme

Back to top button