Shkupi, “Rripi i Gazës” në Ballkan

Një udhëtim në “Shkupi 2014”

Do të nisesha nga Tirana në Shkup. Qielli i kryeqytetit shqiptar sapo kishte nisur të nxihej, për t’ia lënë vendin një errësire. Këto ditë moti kishte qenë i paparashikueshëm, herë me shiun litar dhe herë me një diell tepër të fortë. Shiu i kohëve të fundit, përzier me vapën e tmerrshme, kishin krijuar kësisoj një natë verore me avull, sa të dukej se të shponte poret e lëkurës. Fundja, të tilla ishin shumica e netëve verore në Tiranë. Pikërisht në një natë të tillë më qëlloi që të nisem për në Shkup.

Nisja

Ora shënonte 18.30 minuta. Ndodhesha pranë qendrës së Tiranës. Pikërisht në atë vend ku nisen autobusë për në Shkup, Tetovë, Prishtinë e gjetkë, në qytete të rajonit dhe të botës, ku banojnë kryesisht shqiptarë. Aty pranë stacionit të autobusit po pija kafen e fundit, përpara se të nisesha drejt kryeqytetit të Maqedonisë. Këtë vend, ku po pija kafen e njihja shumë mirë, për shkak se aty afër, pranë “Cirkut të Tiranës”, kisha përfunduar gjimnazin.

Thuajse çdo herë, pasi mbaroja shkollën, në këtë vend shihja plot njerëz, përgjithësisht shqiptarë të ardhur nga Perëndimi dhe që iknin drejt shtëpive të tyre. I kisha dëgjuar teksa flisnin me dialekt verior dhe se e dija shumë mirë se ishin shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo vise të tjera të banuara nga shqiptarët. Qysh në atë kohë e kisha patur një kureshtje të brendshme t’i njihja këta njerëz nga afër, ndoshta të dija diçka më tepër për fatin e tyre. E, sot, kisha vendosur që këtë kureshtje ta shuaj sadopak.

Udhëtimi
Shoferi nis zakonin e përhershëm që e kishte në të gjitha udhëtimet, atë që thërriste emrat e pasagjerëve. Pas këtij rituali, rrotat e automjetit fillojnë të lëvizin. Nga dritarja shoh edhe njëherë Tiranën, teksa lëmë pas monumentet dhe statujat e pakta të saj. E lëmë pas statujën e Hasan Prishtinës, të Skëndërbeut, më tej Operan, Sahatin dhe ndërtesat e Bashkisë. Njerëzit, të cilët sapo kishin nisur të mbushnin lokalet e Tiranës, sa vinin e më bëheshin si silueta.

Atëherë, e shqis shikimin nga jashtë dritares dhe kështu nis udhëtimi. Udhëtarët fillojnë të flasin shqip me një theks të gegërishtes, të përafërt me atë theks që e kisha folur në fëmijëri, për shkak se isha rritur në një zonë kufitare të Shqipërisë Veriore. Por jo të gjithë pasagjerët flisnin shqip. Në atë autobus ishte krijuar një koktejl i vërtetë i kulturave dhe i origjinave të njerëzve që po udhëtonin. Unë isha nga Shqipëria, kishte shqiptarë nga Maqedonia, një çift spanjoll, një tjetër çift me djalin shqiptar dhe vajzën italiane, si dhe vajza për karshi meje që fliste shqip, bullgarisht dhe anglisht. Në një ambjent të tillë kaq të vogël, komunikimi me njëri-tjetrin ishte i pashmangshëm.

Një djalë përpara meje, me siguri për të hyrë në muhabet për të shtyrë rrugën, më thotë: “Nga je ti? Nga po shkon?”. Ia ktheva se po shkoja në Shkup. E ndërsa i shkoi ndërmend se mund të isha emigrant që kthehesha në vendin tim, i thashë që thjesht po e vizitoja Shkupin, për t’i parë statujat e saj, muzeun, lagjet e banuara nga shqiptarët, lagjet e banuara nga maqedonasit…

Aty edhe ai “shpërtheu” : “Po e di, i ka ngrit’ Nikolla do statuja sllavishta mu në qendër. S’po i do hiç shqiptarët”, më thotë. Sa duket ajo çka i thashë i shërbeu si një aperitiv, pasi pas kësaj filloi të flasë edhe për politikën, duke më thënë se si Ahmeti si Thaçi ishin në shërbim të sllavëve. E aty i them se i ndjek zhvillimet politike dhe e pyes drejtpërdrejt: “Zgjedhjet e fundit, për kë votove, për Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin?” Më përgjigjet se kishte votuar për Alinë, por se “kurrë më s’do ta votonte atë”.

Pas kësaj, i shtova se kam vënë re “fenomenin e çuditshëm” se thuajse të gjithë shqiptarët e Maqedonisë e shajnë Ali Ahmetin dhe nga ana tjetër e votojnë. Këtu m’u përgjigj me buzëqeshje, sikur të thoshte se as vetë s’ia dinte përgjigjen “fenomenit” në fjalë. Bashkëudhëtari im më tregon më tej edhe historinë personale, duke më thënë se ishte emigrant në Gjermani, se mbante familjen dhe se kishte një baba dhe një nënë në shtëpi. Nëna dhe babai tanimë i ishin plakur dhe i kishin sugjeruar të gjente një nuse, me qëllim që kjo e fundit të kujdesej për prindërit e tij. Pasi e dëgjoj me vëmendje historinë, i them: “Po mirë e kanë prindërit. Pse mos të marrësh nuse?”. Madje, i shtova se “i njëjti problem” vlente edhe për mua, por se dallimi ishte se nuk e kisha presionin e prindërve. Djali emigrant, me trup të lidhur, qeshi lehtë dhe më tha se donte të merrte një nuse gjermane, dhe me shaka shtoi se me siguri që kur të kthehej në shtëpi, nëna ia kishte gjetur nusen.

Pas bisedës së këndshme me këtë djalë, autobusi afrohet pranë doganës së Qafë-Thanës. Aty u vonuam disi. Pasi na mblodhën pasaportat, disa nga ne, më tepër të rinjtë, i thërrisnin për pyetje në prani të policisë kufitare. Siç duket, emigrimi masiv i shqiptarëve drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera perëndimore kishte bërë që në kufi të merreshin masa të rrepta. Mua më thirrën dy herë në pyetje, si pala shqiptare, ashtu edhe ajo maqedonase. Asnjë polici nuk i besohej se do të rrija vetëm për pak kohë në Shkup, thjesht për ta parë atë. Iu përgjigja edhe pyetjeve paksa të çuditshme si, nga isha, ku punoja etj. Paksa çudi më bëri fakti se edhe policët maqedonas flisnin shqip, të përafërt me atë shqipe që e flasin shqiptarët e Maqedonisë.

Pas kontrolleve, kalojmë kufirin. Vajza për karshi dinte shqipen dhe bullgarishten, jetonte në Sofje dhe e njihte shumë mirë zonën. Ajo më ktheu përgjigje për shumë pyetje kurioze që i kisha rreth qyteteve që i kalonim. Kaluam me rradhë Strugën, Ohrin, Gostivarin. Ajo që binte në sy ishte fakti se në të gjitha qytetet kishte një farë planifikimi urban dhe shtëpi 2-3 katëshe apo blloqe pallatesh që estetikisht të kënaqnin syrin.

Por, se rruga të ngjante, sikur të jetë një kanal i madh, sikur i kishin çarë malet dhe kodrat më dysh. Për më tepër nuk kishte as drita në pjesën më të madhe të rrugës. Një situatë e tillë, pra rrugë pa drita, e shihje si në pjesën e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Maqedonisë. M’u duk sikur ky fenomen ishte shenjë se po kalonim përmes rrugëve të dy shteteve të dobëta, të pakonsoliduara sa duhet. Gjithsesi, autobusi ecte dhe ne pasagjerët ishim të dërrmuar. Kishim lënë pas kilometra të tërë dhe disa qytete.

Më në fund, po i afroheshim Shkupit. Nga dritarja ime vë re kryeqytetin e Maqedonisë. Duke qenë se ishte natë, Shkupi ngjante nga larg tepër i madh dhe i ndriçuar, aq sa në horizont ata drita të dukeshin si xixa, si yje. E kisha patur idenë se Shkupi ishte qytet tepër i madh krahasuar me qytetet e tjera të Maqedonisë dhe kjo më rezultoi thuajse e vërtetë. Kjo do të thotë se Maqedonia është realisht shtet i dobët, pasi që shtetet që e kanë kryeqytetin e stërmadh në përmasa, qendër politike, ekonomike dhe kulturore, në të shumtën janë të dobët. E kësisoj, e dija se ata drita që dukeshin nga larg si xixa, si yje, ishin thjesht fasadë, shkëlqim pa brendi, pamje më tepër e rrejshme. Ndërkaq, nga sipër qytetit, dukesh edhe kryqi i ndriçuar mbi malin Vodno, për të cilin kisha dëgjuar.

Edhe autostradat e gjera, të ndriçuara në disa pjesë të tyre, të asfaltuara mirë, po i shihja me goxha dyshim. Së pari, sepse më dukej se në ato autostrada ishte shpenzuar para publike pa fund, duke rënë pesha mbi qytetarët e thjeshtë dhe të varfër dhe e dyta, sepse më dukeshin realisht si vepra për t’u mbushur mendjen të huajve se “Shkupi është kryeqytet evropian”. E, kjo dukesh fare mirë, pasi fill pasi e kaluam autostradën, autobusi ndoqi një rrugë “qorre” për nga disa varreza, poshtë rrugës kryesore dhe vetë automjeti nisi të rropatej nga rruga e shtruar me beton të varfër. Këtu mendova se “ja, kjo është Maqedonia e vërtetë”. Pas kësaj, autobusi hyri brenda në qytet.

Në Shkup
Autobusi më le tek lagjia e banuar kryesisht nga shqiptarët, në Çair. Ora ishte diku 3:30 pas mesnate. Qetësi. Rrallë ndonjë njeri shihje në qytet dhe pak makina që lëviznin. Sapo bëj pak metra në këmbë, shoh dy persona që bisedonin me njëri-tjetrin. I pyes se çfarë etnie kishin dhe më thonë se ishin shqiptarë. U them të më tregojnë qendrën dhe me gisht më tregojnë se duhet të ecja rrugës drejt. Vura re në sytë e tyre pak emocion në momentin që u thashë se sapo erdha nga Tirana. Sa duket, çdo shqiptar që vinte nga Shqipëria u krijonte një emocion të tillë. Pasi përshëndetemi, eci drejt për në qendër të qytetit. Isha aq kurioz ta shihja qytetin, edhe pse ende nuk kishte zbardhur. Vë re në ecje e sipër se lagjet e banuara nga shqiptarët, por edhe nga pak turq e romë, ishin në gjendje të mjeruar e të lëna në mëshirë të fatit. Ndërkaq, në qendër e andej ishte ndryshe.

Aq i ytshëm me kuriozitet isha, saqë edhe pse ora ishte fiks 04:00, doja ta shihja qytetin edhe në anën tjetër, ku banonin kryesisht maqedonasit. Vërehej një ndryshim drastik. Në anën e banuar kryesisht nga maqedonasit trotuarët ishin më të rregulluara, lokalet me kushte më të mira, tamam siç do të më thoshte më vonë një shkupjan i vjetër, “ishte sikur shtet tjetër”. Vetëm pak pashë nga pala maqedonase në të aguar, pasi një lloj frike e vogël, më shumë nisur nga atmosfera, disi e pezullt, sikur ndihej në ajër se nuk kishe siguri nëse ndonjë maqedonasi apo më keq akoma, ndonjë grupi prej tyre, i shkrepesh e mund të të sulmonte.

Megjithëse nuk më ndodhi asgjë, ishte e pranishme një si atmosferë jo aq e ngrohtë. Kështu iki nga lagjia e maqedonasve pa e vëzhguar të tërën dhe shkoj tek dyqani “Marigona”, aty ku më kishte lënë autobusi i Tiranës. Aty bisedoj me një burrë, shkupjan i vjetër, që quhej Hazbi Hajdini. I thashë se kalova nga ana maqedonase pasi isha kurioz ta shihja e më tha të kisha kujdes sepse për të, maqedonasit nuk ishin paqësorë. Si rast, më përmendi se parmbrëmë tifozët e ekipit maqedonas të Vardarit kishin sulmuar tifozët shqiptarë të FC Shkupit. Tek ekipi i fundit, Hazbiu kishte edhe djalin futbollist. “Ata të rrahin dhe fajtori del ti”, më tha. Më tej folëm për politikën dhe më tha se më mirë kishte qenë në kohën e Titos sesa tani, duke e argumentuar këtë me atë se atëherë më kishte barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ndërkohë që sot dallimet janë shtuar. Më tha se “Kumanova” ishte rast i mistershëm, se Gruevski, Zaevi, Ahmeti e Thaçi nuk e duan as BE-në dhe as NATO-n, për shkak se duan të vjedhin. Më tha se heronjtë e Maqedonisë ishin ngritur më tepër se ç’duhet, se shqiptarët nuk dhunonin maqedonas dhe se e anasjellta ndodhte. Me këtë burrë bisedova derisa agoi.

Bashkëjetesë e (pa)mundur?

Me aq sa munda të shoh në tërë Shkupin, besoj se në këtë qytet të Ballkanit mund të ketë paqe mes etnive, mes asaj maqedonase, shqiptare, vllahe, rome, turke e serbe. Por, se faktori kryesor që e pengon bashkëjetesën është politika që i fryn jo pak zjarrit të nacionalizmit. Këtë mund ta shpjegoj përmes dy momenteve që kalova në Shkup. Tek “Çarshia”, në një nga ata dyqane të drunjta që shërbenin ushqime dhe pije, të punësuar ishin një maqedonas, një shqiptar dhe pronari maqedonas. Ndërkohë, aty, përveç meje, u ul edhe një familje rome. Kamarieri ishte maqedonas dhe më sherbeu si mua, ashtu edhe familjes rome. Pa i hyrë pjesës se ç’interesa apo ç’hesape luheshin mes shqiptarit dhe maqedonasit që punonin në lokal, në dukje ata ngjanin se shkonin mirë dhe kuptoheshin fare mirë. Tjetër rast që konstatova, ishte se në mesin e shqiptareve në Çair, ndohesh edhe një maqedonas, porse i këputur ekonomikisht dhe më ngjante se paqja dhe toleranca, aq sa ekzistonte, më tepër dëshmohej tek qytetarët e varfër. Pasi pashë disi tolerancë mes qytetarëve dhe kjo e vakët. Nga “Çarshia” lëviz për në qendër.

Prisja të më dilnin përpara statujat gjigande pasi kisha dëgjuar për to. Dhe, vërtetë që ashtu ndodhi. Porse statuja e parë që më zunë sytë ishte një statujë aq gjigande sa gati m’u errrësuan sytë nga ç’po shihja. Në krye ishte një burrë i stërmadh dhe më poshtë nja tre burra të tjerë më të vegjël. Pas kësaj, m’u shfaqën rresht disa statuja, e ngjante se kishe ardhur në “qytetin e statujave”. Më tutje, një vinç po “hante” rërën e Vardarit. Aty dëgjoheshin teksa bënin zhurmë lopatat, kazmat e gjithëçfarëlloj mjetesh pune që përpiqeshin të çonin deri në fund projektin “famoz”, “Shkupi 2014”. E kisha imagjinuar marrëzinë, por po të gjendeshe aty vërtetë thoje se çka kishte bërë Gruevski ishte marrëzi e kaluar marrëzisë: Statujë pas statuje, që përfundonte me një njeri të madh hipur mbi kalë, Aleksandrin e Madh. Në fakt, ashtu si Aleksandri ngjante krejtësisht dhe me siguri që pushteti ka dashur të dëftojë pikërisht këtë. Por tinëzia dhe dinakëria e Gruevskit shkon aq larg, saqë atë statujë nuk e identifikonte të ishte Aleksandri, por një “burrë që lufton”, pra si një “luftëtar i panjohur që bën luftë heroike”. Në çast, mendova se e tërë bashkëjetesa e pakët etnike dhe fetare që ekzistonte, dashuria, harmonia dhembshuria, njerëzorja…, rrënohej me vinçat që ndërtonin statuja pa fund. Ato statuja e groposnin përbindshëm çdo lloj paqeje, tolerance dhe kishin vetëm iniciale të dhunës.

“Olimpi” në Shkup

Pasi pashë realisht me një trishtim të thellë ata statuja gjigande, krejt mitike, pa fije lidhje me realitetin, ulem diku në një lokal pranë këtyre statujave.

Vërej që aty Vardarin, punëtorët që bërtisnin nga njëra skelë në tjetrën e më erdhi keq se ç’politikë ishte kjo, që detyronte punëtorët që mbi urë të mermerosnin Platonin, Ciceronin, Zeusin, Afërditën, Aresin, Apolonin a kushedi sa figura të tilla mitike, që ishin mbledhur në ato pak metra katrorë të qendrës së Shkupit.

E tërë ura mbushur me statuja të vogla, ku i gjithë Olimpi, legjendat e Trojës dhe të Athinës, gladiatorët më në zë të lashtësisë, sa hap e mbyll sytë, me daltë e me lopatë, ishin bërë “maqedonas”.

Në atë bulevard buzë Vardarit shoh një person që ngjante si i varfër nga ç’kishte veshur, por që ta jepte idenë nga afër se më tepër se i varfër, vishej ashtu për të treguar thjeshtësi. Ngjante tamam sikur të ishte ndonjë “Sokrat i gjallë” në kohët moderne, me një kanatjere ngjyrë të gjelbërt, fytyrë të rrahur nga dielli dhe djersë të tharë. E pashë tek dera e “Muzeut të Maqedonisë” e mendova se e kishte një ide për projektin “Shkupi 2014”.

Duke patur disi “frikën” se mund të ishte ndonjë maqedonas nacionalist që mund të ishte dakord me projektin, i flas anglisht: “Jeni dakord me këta statuja, me këtë që sheh këtu në qendër të Shkupit?” Përgjigja ishte siç e doja: “Jo”. Porse më tej gjatë komunikimit më thotë se nuk është maqedonas, por boshnjak, lindur në Shkup, banues në Sarajevë. Me një fjali besoj e tha një të vërtetë të madhe për atë që shihej në qendër të Shkupit: Përpjekje për të politizuar e manipuluar historinë.

Katastrofa e shqiptarëve
Pasi m’u ngopën sytë së pari statuja gjigande, ulem në një bar në Çarshi, lagje kjo e banuar kryesisht nga shqiptarët, por që vinin në të rrallë edhe klientë maqedonas, vllahë, turq e romë. Aty lajmëroj një koleg, gazetar i ri në Shkup, Zekirja Mexhiti për t’u takuar. Derisa prisja Zekirjan, në atë vend përpara syve të mi, kalonin shqiptarë. Tek këta shqiptarë shihje një mjerim, një e ecur gati në gjendje shoku, me siguri e lidhur me kushedi se ç’probleme të shumta. Të shkatërruar në shumicë ekonomikisht dhe shpirtërisht. Të veshur keq, të dobët, e jo rrallë fort shihje ndonjë të sëmurë që kërkonte lëmoshë. Më dukesh se përpara syve të mi shfaqeshin shqiptarë të një shekulli të kaluar, që jemi mësuar t’i shohim nëpër arkiva, vetëm se këtë herë mungonte ngjyra bardhë e zi. Tek-tuk shihje shqiptarë, që të kujdesej për veten. Shumica ishin trokë dhe një pjesë edhe katastrofë.

Pas këtij meditimi, vjen Zekirja. Nisemi drejt qendrës. Hipëm mbi disa tenda të larta që po ndërtonin diçka dhe prej aty mundeshe të shihje Shkupin e banuar me shqiptarë dhe pjesën e banuar nga maqedonas. Tek pjesa e banuar kryesisht nga shqiptarët, por edhe nga turq apo romë, mundeshe të shihje vetëm statujën e Skëndërbeut në një shesh fare të vogël. Ndërkaq, në anën tjetër, të banuar kryesisht nga maqedonas, dukej sikur ndokush kishte hedhur farë për të mbjellë statuja. Lartësoheshin statujat njëra pas tjetrës, në mënyrë kaq të glorifikuar, aq sa për dikë që e shikonte për herë të parë projektin “Shkupi 2014” ngjante krejt qesharake. Unë dhe Zekirja ramë në një mendje, se Gruevski përmes këtij projekti donte t’u thoshte të huajve se shqiptarët nuk kanë histori, kurse maqedonasit po. Më tej, lëvizim për të pirë kafe tek pjesa e banuar me maqedonas.

Qëkur uleshe në lokal, dallohej qartë se ata që ishin ulur ishin maqedonas, për shkak se ishin më të mbajtur, e Zekirja e lidhte këtë me atë se shumica e familjeve maqedonase ishin mirë ekonomikisht dhe se punonin kryesisht në administratë. Kurse, për shqiptarët realiteti ishte se pakkush punonte në administratë dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar, jetuar apo për t’u pasuruar ishte ndonjë punë private ose emigrimi. Duke folur për të tilla tema, në tavolinën anash nesh, ishin dy djem të rinj, të cilët, derisa dëgjuan që flisnim shqip, sikur u irrituan dhe u larguan jo pa inat me veten. Zekirja e shpjegonte këtë me nacionalizmin tek një pjesë e madhe e të rinjve maqedonas, me padurimin e tyre ndaj shqiptarëve dhe ndjenjën për ta parë “të mposhtur shqiptarin”.

Megjithatë, padurimin ndaj shqiptarëve apo nacionalizmin e gjeje vetëm tek disa maqedonas, pasi kamarieri, po ashtu i etnisë maqedonase, e mbushi dy herë gotën me ujë, duke shtuar madje edhe “Urdhëroni, i nderuar”. E diskutuam edhe faktin se ekziston ndër maqedonas edhe “frika prej rritjes në numër të shqiptarëve”, pasi nataliteti i lartë i shqiptarëve u jep gjasa të jenë shumicë në të ardhmen. E, nisur pikërisht nga lindshmëria e lartë ndër shqiptarë, me shumë mundësi që e ardhmja e gjen Republikën e Maqedonisë me më shumë shqiptarë se maqedonas, por se me siguri që edhe në të ardhmen do të jetë një Gruevsk tjetër, që me manipulime apo duke mos e numëruar popullatën, nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

E kësisoj, politika maqedonase (sllave) me të tilla marifete ia del paq t’i shpëtojë maqedonasit nga kjo kataklizmë. Gjithsesi, këto janë llogari ndoshta të përafërta për të ardhmen. E tashmja është tragjike. Ajo flet në zërin e dhimbjes. Burri që njoha sapo hyra në Shkup, Hazbiu, sa herë i flisja për gjendjen e shqiptarëve në qytet, por edhe në Maqedoni, e përmendte kaq shumë fjalën “katastrofë”. Dhe, vërtetë që ajo ç’ka mundeshe të shihje në Shkup, për shqiptarët, ishte gjendje katastrofike.
Në vend të mbylljes

E kisha bredhur Shkupin gjatë gjithë ditës. Pashë pjesën e banuar kryesisht nga shqiptarë dhe pjesën e banuar kryesisht nga maqedonas. Ndryshonin si nata me ditën. Tek e para gjeje njerëz që shisnin në rrugë celularë, rroba dhe rrugët ishin të shkatërruara e shtëpi e lokale të ndërtuara thuajse pa plan. Tek e dyta rrugët ishin të rregulluara, trotuaret po ashtu. Mbizotëronte një qetësi dhe shihje njerëz me krevata, me siguri zyrtarë dhe që kishin parkuar makinat diku pranë zyrave komode. E, se tek pjesa e Shkupit e banuar nga maqedonasit, gjeje prapë statuja të pafundme, madje edhe një si “Hark Triumfi”. Aq qesharake dukej kjo puna e statujave, sa mendoje se ndryshimi i vetëm me Korenë e Veriut ishte fakti se në Shkup, Gruevski nuk e kishte ngritur një statujë edhe për veten. Sipas mendjes gruevskiane, në Shkup paskësh qenë toka e heronjve më të mëdhenj të historisë.

Shkupi me siguri që do të ishte mrekulli në rast se paqja dhe toleranca, por edhe bashkëjetesa, do të ishte realitet, si në popullsi, ashtu edhe nga politika. Porse kjo e fundit, për shqiptarët sidomos, ishte shndërruar në një demon. Me paratë e qytetarëve ngriheshin statuja disamilionëshe dhe kjo bie më tepër mbi kurrizin e qytetarëve të varfër. Thuhet se një person përmend më tepër atë gjë që i mungon. Si duket, i njëjti parim vlen edhe për disa shtete. Ata theksojnë atë gjë që iu mungon. Maqedonisë i mungon identiteti e në mungesë të kësaj përpiqet ta përvetësojë me statuja. Ky Shkup nuk ishte ai që do të doja ta vizitoja. Lashë pas një Shkup me dallime të mprehta etnike, me diferencime të skajshme mes qytetarësh, edhe mbi baza etnike. Ky ishte realiteti i hidhur në këtë qytet. Shkupi mashtronte bukur.

Shkupi29

Lajme të ngjashme

Back to top button