PËR MËSUESIT E PËRJETSHËM

Mësuesit e mi të përjetshëm janë hije, që kanë siguruar formë tjetër ekzistence në formë libri. Shumica e tyre nuk janë në këtë botë prej vitesh e shekujsh.

Mësuesit e mi të adhuruar nuk janë fytyrëngrysur; nuk rrezatojnë autoritet të frikshëm; nuk ngjajnë si lugetër dalë prej përrallave.

Për mua vlen thënia e Emersonit, e adhuruar prej Cvajgut, se librat e mirë zëvendësojnë edhe universitetin më të mirë.

Universiteti më i mirë është Universiteti i Jetës, diploma e të cilit nuk jepet, por kërkohet me ngulmim. Këtë diplomë vetëm të rrallët e kanë privilegjin që ta marrin.

Ja pse nuk magjepsem nga ata që thonë se kanë diplomë të këtij apo atij universiteti. Magjepsem prej veprave të mëdha, krijuar prej gjenive që gjallojnë në secilën kohë.

***

Ndoshta bindjet e këtilla janë formësuar nga jeta ime që dikur sillej brenda një dhome të vogël, plot me libra të babait, ku fillonte bota tjetër: e madhja, e paskajshmja, tejkohorja. Aty gjeja prehjen, qetësinë, paqen, por edhe tronditjen. Aty përjetoja udhëtimet nëpër kohëra, kultura e qytetërime të ndryshme.

Ajo dhomë e vogël vazhdon të jetojë në ëndrrat dhe kujtimet e mia. Mbi themelet e shtëpisë së vjetër është ngritur shtëpia e re, më luksoze, por rrallë shfaqet në ëndrrat e mia.

***

Bota e dikurshme ishte e pasur me iluzione, kurse tani jeta bëhet njëfarë vrapimi pas gjërave idiotësisht të rëndomta.

Në atë mot të largët të tjerë emra sundonin mendjen time dhe të brezit tim, kurse tani kujtesa na rëndohet nga emra të padomethënshëm për tejkohësinë dhe paradoksalisht të rëndësishëm për përkohësinë tonë.

Në motin e largët, kur më tmerronte fjala “mision”, shkruaja dhe lexoja për të kënaqur vetveten. Tani gjithnjë e më shumë shkruaj për të kënaqur apo irrituar të tjerët.

Atëherë, në vend të diplomave, më mjaftonin mësuesit e përjetshëm, që i kërkoja dhe prej të cilëve shumëçka e mësoja falë ngulmimit tim.

Duke lexuar veprat e tyre e dëgjoja melodinë e heshtur të fjalive. Kjo magjepsje përjetohet vetëm kur lexon librat e maestrove. Pa këtë ndjesi nuk ja vlen të vazhdosh së lexuari edhe kur autori është emërmadh. “Leximi i detyrueshëm është mosmirënjohës”, thotë Borges-i.

***

Teksa diplomat i kam parë me përçmim, librat i kam trajtuar me dashuri dhe nuk besoj se keqtrajtohen duke u “njollosur” me nënvizime të ndryshme. Pëlqej t’i nënvizoj librat dhe të përshkruaj citate nëpër qindra fletoret e mia. Rileximi i tyre, edhe pse shumëçka e di pothuajse përmendsh, më krijon ndjesinë se lexoj gjëra të reja.

Nuk ka rilexim. Ka vetëm lexim.

Rikthimi te një libër është rikthim te një botë që e ke parë njëherë, por nuk ke arritur ta eksplorosh të gjithën.

Rikthimi te një libër i ngjan rikthimit tek dashuria e moçme. Pas ndarjes ka mbetur dëshira e përhershme për të zbuluar fshehtësi të reja.

Rikthimi te një libër i mirë është sikur rikthimi i çirakut te mjeshtri për ta dëgjuar rrëfimin e radhës, por me tjetër përvojë e dije.

Duhet lexuar librat që s’mundemi pa i lexuar vazhdimisht. Jeta është e shkurtër për ta harxhuar për gjëra të thëna e të shkruara keq, që shpesh detyrohemi t’i lexojmë.

***

Bota ime, e pasuruar falë mësuesve të përjetshëm dhe përkthyesve të mrekullueshëm të librave të tyre, bëhet gjithnjë më e varfër. Mbetet shpresa se do të vijë dita kur do t’u themi disa emrave, që sundojnë kohën tonë: “Shporruni nga bota që nuk mund t’i përkisni!”.

Ajo ditë duket gjithnjë më e largët e ndoshta nuk ka për të ardhur asnjëherë. Ardhja e asaj dite pamundësohet nga mjeranët që botën tonë e bëjnë gjithnjë më të egër. Ndoshta dhe për fajin tonë, sepse braktisëm ëndrrat tona duke dashur t’u japim të tjerëve atë që ata nuk e duan.

Pritja e asaj dite, si pritja te Godoja, si te “Shkretëtira e Tartarëve”, si te “Duke pritur barbarët”, është njëfarë zgjidhje për të mposhtur kotësinë, e cila e ngulfat gjithnjë e më shumë kohën tonë, ku uniformiteti triumfon mbi kreativitetin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button