Tensione mes policisë dhe emigrantëve afrikanë në Spanjë

Në Spanjë mes emigrantëve afrikanë dhe policisë ka patur tensione pasi një emigrant humbi jetën teksa e ndiqte policia në rajonin e Katalonjës, e cila është e banuar nga emigrantët nga jashtë BE-së,  raporton Anadolu Agency (AA).

Ngjarja ka ndodhur në qytetin Salou pasi një emigrant 50 vjeçar nga Senegali ka humbur jetën duke rënë nga ballkoni i katit të tretë të një ndërtese pasi ndiqej nga policia lokale e Katalonjës e cila këtë mëngjes kishte nisur një operacion ndaj emigrantëve afrikanë të cilët tregtonin produkte të falsifikuara në rrugë.

Sipas shtypit lokal të Katalonjës, afërsisht 150 emigrantë afrikanë të zemëruar me vdekjen e shitësit senegalez janë mbledhur në sheshin “Sant Jordi” në qytetin Salou dhe kanë protestuar ndaj policisë. Theksohet se emigrantët kanë hedhur karriget dhe tavolinat e lokaleve në shesh dhe kanë dëmtuar mjedisin përreth duke hedhur gurë, kanë djegur disa kosha të plehrave dhe gjithashtu kanë sulmuar mjetet e policisë.

Njoftohet gjithashtu se në ngjarje disa persona janë dëmtuar lehtë dhe disa të tjerë janë ndaluar. Ndërsa theksohet se situata është qetësuar, mësohet se disa biznese përreth preferojnë ti mbajnë ende mbyllur dyqanet e tyre.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Katalonjas, Xavier Gamez duke shprehur keqardhjen për vdekjen e emigrantit senegalez, ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe shokët e tij. Ai tha se ata janë të gatshëm të japin çdo mbështetje ndaj këtyre personave.

Policia Katalanase ka njoftuar se në operacionet e nisura kundër shitjeve të produkteve të falsifikuara nëpër rrugë deri tani janë ndaluar 12 persona si dhe janë konfiskuar një sasi e madhe e këtyre produkteve.

Lajme të ngjashme

Back to top button