Film për WikiLeaks

Filmi i regjizorit Bill Condon, The Fifth Estate, rreth faqes WikiLeaks dhe themeluesit të saj Julian Assange, përqëndrohet tek lufta për informacione në epokën digjitale dhe shtron pyetjen nëse liria e publikimit të materialeve sekrete është më e rëndësishme se siguria kombëtare.

Dokumentari dramatik me aktorin Benedict Cumberbatch në rolin e Assange, vjen pas atij të regjisorit Alex Gibney, We Steal Secrets, me të njëjtin subjekt. Të dy filmat, megjithëse shumë të ndryshëm, tregojnë se në epokën digjitale informacioni është ende shumë i fuqishëm.

Videoja e dalë sot tregon një helikopter amerikan që hap zjarr ndaj gazetarëve të paarmatosur. 12 milionë vetë e kanë parë videon dhe ti më thua që është një faqe e parëndësishme interneti?

Në vitin 2010, më shumë se 90,000 dokumenta sekrete të ushtrisë amerikane u publikuan në një faqe të panjohur nga një pirat australian kompjuterash, Julian Assange. Assange dhe faqja e tij Wikileaks janë personazhet kryesore në filmin e regjizorit Bill Condon The Fifth Estate, transmeton VoA.

“Në se gjejmë një njeri me moral, të gatshëm t’i nxjerrë këto sekrete, atëhere njerëzit mund të rrëzonin nga pushteti regjimet më të fuqishme dhe më shtypëse”.

Në film, Assange është në qëndër të skenarit, shumë më parë se të botoheshin dokumentet e shumta të ushtrisë amerikane për luftën në Afganistan. Ky film e portretizon atë si brilant, egocentrist dhe të paskrupullt, që i nxjerr informacionet pavarësisht kostos njerëzore. Idetë e tij e vënë në pozicion të vështirë me kolegun e WikiLeaks, Daniel Berg.

“Xhulian, këta janë njerëz dhe po i rrezikojmë”.

“Po jetët e ushtarëve dhe civilëve të përfshirë në këto skuadra vdekjeje? Po vrasjet e paraportuara të civilëve, apo vrasjet pa dashje? Bota duhet ta dijë këtë informacion”.

Regjisori Bill Condon shtron pyetjen e përgjegjësisë.

“Në internet ka gjëra që janë të vërteta dhe jo të vërteta. Pra kush do të jetë në gjendje të na ndihmojë të dallojmë mes të dyjave. Ky ka qënë tradicionalisht roli i gazetarit, punë që do para. Në ditët tona ka dalë roli i qytetarit gazetar dhe këtë e ka bërë të mundur interneti”.

Megjithëse regjizori pretendon se filmi i tij është i balancuar, ai e drejton audiencën kundër Assangit. Trajtimi i thjeshtë i personazhit kryesor e tregon Assangin të përulur.

Shumë kritikë thonë se filmit i mungon thellësia e dokumentarit të Alex Gibney We Steal Secrets, me të njëjtën temë.

“Autoritetet arrestuan ushtarin që bëri publike videon”.

“Sa më thellë iu futa tregimit aq më shumë fillova të mendojë përse nuk është Manning një pjesë më e madhe e historisë. Kështu fokusi filloi të ndryshojë dhe shkoi tek Bradley Manning që do të thosha, është po aq i rëndësishëm në film sa edhe Julian Assange”.

Regjizori Gibney paraqet tronditjen e ushtarit Manning mbi informacionet që zbulon. Ndërsa korrespondenti i gazetës Guardian, Nick Davies redakton me kujdes informacionet sekrete.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, gazetari Mark Davis, i cili ishte me zotin Assange gjatë bashkëpunimit me gazetën The Guardian, jep një atmosferë tjetër.

Ai thotë, “të gjithë në dhomë ishin të vendosur në përmbushjen e afatit për publikimin e dokumentave pavarësisht rezervave që kishte Assange.” Ai shton se, “ishte Assange vetë që hoqi 10 mijë emra para publikimit të tyre.”

Cilado qoftë zgjedhja morale, të dy filmat phojnë se Assange revolucionarizoi mënyrën sesi informacioni arrin tek ne sot.

Lajme të ngjashme

Back to top button