PUNË KOTI

Tragjedia që ndodhi në Tetovë zbuloi plot mangësi të pushtet vendor dhe të pushtet qendror, në përgjithësi. U pa se askush nuk parasheh në buxhetin shtetëror edhe të papritura të tilla.Përveç kësaj, I pashë njerëzit e mjerë si e prisnin fjalën e politikanëve me një përulje dhe me një shpresë se ata janë fuqia hyjnore që do t’i nxjerrë nga balta fuqia hyjnore. Ende nuk iu bë e qartë askujt se po të pritet nga buxheti varfëria nuk do t’u hiqet kurrë nga dera. Këtu gjithçka funksionon për ta mbajtur gjallë dhe, madje, edhe për “ta trashur” buxhetin. Mirëpo buxheti po tregon se nuk bëhet për t’u dhënë njerëzve kur duhet t’u jepet ashtu si është e drejta e zotit dhe e drejta që e dikton ligji. Në disa anë të vendit, si bie fjala, në Maqedoninë perëndimore njerëzit mundohen që ta mbrojnë koren e bukës, sepse fitimet tjera shkojnë për të dalat tjera që do domethënë në thesin e buxhetit i cili është bërë një thes me fund të grisur nga i cili rrjedhin paratë për përmendore, për projekte të ndryshme dhe për punësime, ku Maqedonia perëndimore nuk merret parasysh. Derisa qendra me lagjet ku jetojnë me shumicë dërmuese maqedonasit janë ngritur plot përmendore të mëdha, ku nuk mund ta shohësh një përmendore të figurave të ndritshme shqiptare, përveç do përmendoreve të vogla të Adem Gajtanit dhe shkrimtarit turk Nexhati Zekeria. Me kaq është mbyllur tregimi i përmendoromanisë. Kaq. Ndoshta do të merret si vepër e madhe meremetimi i Teatrit shqiptar, dera e të cilit praktikisht është e mbyllur me bit pazarin dhe me nevojtoren publike të këtij pazari, ndoshta do të merret si punë e madhe Instituti i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të cilit nuk i jepen para nga buxheti as për ngrohje e, që është, edhe më e tmerrshme as për realizimin e projekteve për të cilat është themeluar. Atje njerëzit shkojnë në punë të ndjekur nga pasiguria se çfarë do të ndodhë nesër; a do të ekzistojnë si institucion apo dikush do t’u thotë: na falni, por nuk kemi më para që ta mbajmë këtë institut. Institut për trashëgiminë shqiptare? Mosni ju lutem! A shaka e keni?! Me këso pyetjeje, nuk është çudit, ta marrin ndonjë letër nga Ministria e financave.

Në qytetin universitar të Tetovës ende nuk është ngritur një përmendore e figurave të rezistencës dhe të letërsisë shqiptare dhe gjendja vazhdon të jetë e tillë, e mjerë. Dëgjoj se bëhen përpjekje për ta vënë në lëvizje jetën e atjeshme kulturore me disa projekte si, bie fjala “Vera e Tetovës” e ndonjë cikërrimë tjetër. Festivalin “Ditët e Naimit” nuk po e përmend sepse ai është aktivitet kulturor privat. Nuk e besoj që k manifestim të jetë i paraparë në buxhet si përmendoret, si barokizimi i ndërtesave, si festivalet e ndryshme të këngëve e valleve popullore të maqedonasve. Gostivari – e njëjta punë. As atje s’ka gjë prej gjëje. Në Dibër e në Radushë janë ngritur dy përmendore pa ndonjë vlerë, por edhe këto nuk janë nga paratë e shqiptarëve që derdhen në thesin pa fund të buxhetit të Maqedonisë. Mos të jem i padrejtë, ka edhe pllaka përkujtimore modeste të luftëtarëve të rënë për ideal. Por edhe këto s’kanë marrë asnjë metelik nga buxheti.

Dalin politikanët tonë, udhëheqës partiakë, ministra e zëvendësministra, dalin njerëz të pushtetshëm, të mandatshëm e flasin, kurse populli e lëviz kokën në shenjë pohimi thuajse kupton diçka nga retorika e tyre e çalë, ani se e dinë që ato fjalë janë përsëritur deri në bezdi, si duatë që këndohen pesë herë në ditë në namaz. Po pohimi me kokë i popullit është shpresë se do të nxjerrin përmes këtyre politikanëve të plogësht ndonjë denar për të dalë nga hallet e tyre të mëdha dhe për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga kurbeti. Kot. Populli ynë përfundimisht duhet ta marrë vesh se asgjë nuk do të marrë nga buxheti me këto konjuktura, përveç thërrimeve me të cilat do të lavdërohen politikanët maqedonas duke thënë se edhe ajo që është bërë në Maqedoninë perëndimore nuk është bërë nga politikanët shqiptarë, por nga funksionarët maqedonas kur janë mëshiruar.

Politikanët shqiptarë nuk kanë ofruar kurrë ndonjë program, ndonjë projekt a diçka të tillë dhe të jenë të vendosur për realizimin e tyre. Thjeshtë e kanë përsëritur retorikën e tyre boshe, shpeshherë edhe jo të ndershme duke u mbështetur prapa emrave fisnik të atyre djemve dhe vajzave që u vranë për ideale në luftën e fundit. Asnjë ofertë krijuese, asnjë person i talentuar që mund të bëjë diçka nuk i hap dot dyert e institucioneve për të bërë karrierë. Politikanë sillen në vallen e kotësisë dhe ulen nëpër tavolinat e bufeve me këngëtare të molisura dhe me të qerasura nga akëcili e akëcili. Dhe, aty bisedohet për Marrëveshjen e Ohrit nga e cila janë bezdisur edhe BE-ja dhe SHBA-t, se ne më sa s’kemi pëlcitur nga marazi e nga sikleti. Flasin dhe krenohen me një marrëveshje që i ngjan një peme e cila në çdo dhjetë vjet e bën nga një kokërr.

Tash kanë nxjerrë një “ide koti” dhe edhe atë e kanë futur në agjendën e bisedave. Fjala është për një universitet që dashkan ta hapin në Shkup! Mirëpo as projekt kanë, as elaborat, as e dinë se cilat katedra do t’i bëjnë, as ka rrugë të kuarteve shqiptare që të lidhen me rrugët kryesore, as është kanalizimi në rregull, as rrjeta elektrike, as ujësjellësi. Thjesht nuk kanë ide si realizohe ky projekt dhe nuk kanë analiza se sa na duhet ky universitet i cili do të jetojë (nëse bëhet – e nuk bëhet) me lëmoshta e buxhetit. Këto punë ata nuk i marrin parasysh. Me rëndësi e kanë që para zgjedhjeve të premtojnë diçka, ani se nuk realizohet. Nga ana tjetër nuk i dëgjuam të flasin për propozimin që nga diaspora të zgjidhen gjashtë deputetë, ku maqedonasit me dy-treqind vota do ta sigurojnë një deputet (dhe që të gjashtët), kurse këtu në vend shqiptarëve ndonjëherë ndoshta u duhen njëzet mijë vota që të kenë mundësi në listë të deputeteve ta kenë kandidatin e tyre.

Çudi është pse politikanët tonë edhe pas kaq viteve të pavarësisë së Maqedonisë nuk u bënë seriozë, çudi është pse s’dalin me projekte të hairit, dhe çudi mbi çudi është që nuk bënë asgjë që të na e mbrojnë krenarinë identitare duke i ndërruar krejtësisht programet shkollore (Çfarë bën ministri i arsimit, përveç se shtyhet me nxënësit e shkollave të mesme?), duke u marrë vesh me ministrat maqedonas të heqin dorë nga trajtimi ynë si fise të egra, duke ndikuar fuqishëm që të ndërrohet  politika antishqiptare e mediave? Pse nuk merren me këto punë, por me punë koti? Pse? Hajt tash të shohim a politikanët tonë do të bëjnë diçka për sanimin e gjendjes në fshatrat e Tetovës, apo do ta lënë edhe një mundësi që funksionarët maqedonas të thonë: asgjë s’kanë bërë politikanët shqiptarë. E kemi bërë ne. A ju kujtohet kryeministri aktual kur pat thënë se shqiptarët nuk kanë kuadro të afta në qeveri?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button