Sërish përdorët dhuna për t’i ikur përgjegjësisë

12 shqiptarë nga fshati Batincë i Shkupit, ishin viktimë e huliganëve “Komitë”, të cilët të revoltuar pas ndeshjes e cila përfundoi me barazim mes Shkupit dhe Vardarit, nuk i kanë kursyer as gratë.

Qytetarët vlerësojnë se dhuna e shprehur ndaj shqiptarëve në baza nacionaliste është e inskenuar për të tërhequr fokusimin nga problemi real në vend.

Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri vlerëson se qëllimi është të ndizen ndjenjat nacionaliste dhe në këtë tërbim kolektiv të arsyetohet korrupsioni masiv i pushtetit.

“Asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë vend ku qeveria tenton të kontrollojë çdo gjë. Është një skenar që ka rezultuar me sukses për partitë që mbajnë pushtetin. Qëllimi është të ndizen ndjenjat nacionaliste dhe në këtë tërbim kolektiv të arsyetohet korrupsioni masiv i pushtetit”, tha për Portalb, Neziri.

Sa i përket pasivitetit të MPB për zbardhjen e rasteve në të cilat shprehet dhunë, sidomos ndaj shqiptarëve, Neziri vlerëson se buron nga partizimi i skajshëm i këtij institucioni.

“Pasiviteti i MPB-së buron nga partizimi i skajshëm i këtij institucioni. Ky institucion është partizuar aq shumë saqë ish-ministrja Jankullovska, ne bisedat e zbardhura nga lideri i opozitës,  pranoi se ka formuar shtab partiak brenda MBP-së”, shtoi Neziri.

Xhabir Deralla nga OJQ “Civil” thekson se nuk është i habitur nëse në këtë periudhë kohore ndodh ndonjë eskalim i dhunës.

“Është e tmerrshme. Të gjithë e dimë që procesi politik minohen nga vetë qeveria. Nuk do të më habiste nëse kohëve të fundit do të jemi dëshmitarë të esklimit të dhunës . Mendoj se duhet të apelohet deri te rrethet profesionale të policisë dhe organeve gjyqësore që të mundohen ta kryejnë detyrën e tyre edhe përkundër shtypjeve dhe presioneve me të cilat ballafaqohen çdo ditë. Si dhe të ndajnë informacionet me neve, qytetarëve që të ndërtomë një rast nga secila viktimë e dhunës”, tha për Portalb, Deralla.

Ai shtoi se mos zbatimi i detyrës si duhet nga ana e MPB-së dhe organeve gjyqësore lë hapësirë për spekulime se këto raste janë të inskenuara nga vetë qeveria.

“Pasiviteti i MPB dhe Prokurorisë publike lënë hapësirë për spekulime që këto dhe sulmet e ngjashme dhe incidentet e vogla dhe të mëdha janë të dirigjuara nga ana qeveritare”, shtoi Deralla./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button