Darsmërimi shqiptar(çe) dhe antisport fashizmi

I.

Vera përbën një periudhë kohore të nxehtë në aspektin klimaterik por edhe në atë mendësinor e emocional, në veçanti kur kemi të bëjmë me ne shqiptarët, që dalëngadalë po i bëjmë hapat drejt shoqërisë së spektaklit, duke oranizuar hepeningje martesore të skajshme, me shumë pompozitet e fanfarë, me konsumerizëm të çuditshëm, kur gjithë bota flet për krizë, për shtrëngim të rripit. Nëse bëjmë një analizë duke u bazuar në tragjedinë që na ndodhi në Tetovë këtyre ditëve (vërshimi), tablloja bëhet edhe më marramendëse. Shtrohet pyetja se nga kjo psikologji e transit dhe shkapërderdhjes edhe ne momentet kur duhet të solidarizohemi me vëllezërit që janë traumatizuar nga një sprovë e rëndë. Meqë jetoj afër dy-tre restoranteve apo salloneve të dasmave, dalëngadalë mbrëmjeve filloj të mendoj se jam në ndonjë karneval apo festival të muzikës, n ndonjë fushë të stërvitjeve ushtarake. Fotografia është gjenerale. Zërim sa të duash, pushkaliqe, qiell i ndriçuar, pjata me meny të plota edhe pas darkës, para të hedhura në ajër muzicientëve që bukur mirë po mbushin xhepat e tyre në këto të korra kur shqiptari s’e kontrollon dot veten. Gjendjen tragjikomike të darsmës shqiptare të ditëve tona bukur e ka përshkruar një fshatar i rrethit të Shkupit, i cili mes tjerash ishte shprehur se paratë që “Hasani i ka fituar gjithë verës nëpër skela ndërtimore, gruaja i bëri pikë e pesë për një natë gazmore”. Lakuriqësia një rrëfim demoralizues në vetëvete. Novitete të modës që sfidojnë Milanon e Parisin (!), por vetëm me zhveshje. Nderi i rënë përtoke. Dashuri që prindërit i bëjnë të tmerrohen por të mos mund të thonë gjë sepse “kohërat kanë ndryshuar”. Risitë në darsmat shqiptare shkojnë deri atje saqë nuset vijnë shtatzëna, martohen edhe çiftet me fëmijë disamuajsh. Muzika e “tavolinës”, e “fustanit me pika”, e “trëndafilit që ka çelë te shkolla”, e “milionerit”, e “çoçekut” e kallin atmosferën që reflekton një trans kolektiv, një gjendje të shkulturimit, të kiç dasmave, që s’kanë gjë të përbashkët me traditë, zakon, fe pos krismave (që janë irracionalizuar) dhe hoxhës. Në këto dasma s’dëgjon një këshillë nga plaku, i urti, një rrëfim nga mysafirët, nuk mëson një valle nga mjeshtërit e vallëzimit dhe artit të odave të dikurshme. Dëgjon vetëm zhurmë që t’i prishë veshët (pa decibelë të balancuar), ndërron shikime me njerëzit përballë dhe loz me celular ose me lugë e pirun. Në dasmat e sodit s’ka shije modestie, kulturë kursimi, atmosferë miqësimi. Gjithçka është e çastit dhe e krekosjes, e mburrjes me harxhimet e bëra, me repertorin e varfër, një manifestim makabër antropologjik, një fenomen degradues sociologjik. Brezat e vjetër në prapasken kritikojnë, të rinjt e gratë si duan punën e çojnë. Shipkovica u themi. S’kanë veshë të dëgjojnë. Mozomakeq. Dasma pa shpirt, pa klimë afrimi e kënaqësie të mirëfilltë. E tëra imitim, pasion. Një soft-gabelizim dhe hollivudizëm i ëndrrave të zengjinëve të kurbetit dhe të vendorëve fukarenj të frymës që gjithçka investojnë për sytë deh shuplakat e huaja, që jetojnë sipas formulës bizare “t’i plasim kojshitë!”

II.

Mbrëmë (9 gusht) në Shkupin shqiptar sërish në aksion soldateska juvenile ekstremiste maqedonase pas ndeshjes së futbollit mes Vardarit dhe “FC Shkupit”, në të cilën ekipi shqiptar modest arriti t’i marrë pikë Goliatit sportiv të kushteve tona. Rrugëve të këtij qyteti sërish gjak, terrorizëm urban që nuk zgjodhi moshë, gjini, duke atakuar edhe femrat e gratë shqiptare. “Komitët”, tifozeria e Vardarit përveç fjalorit racist gjatë përballjes sportive me frymë antishqiptare, nga paleta e vet nxorën kursin e tyre të mirënjohur, ataqet ndaj civilëve kalimtarë shqiptarë, duke i përgjakur e duke i bërë për spital, duke cënuar hapësirën e lirshëm të gravitimit, sheshin dhe qendrën tregtare “City Mall”. Se sporti qëmoti është bastarduar në kohën tonë këtë e dimë, por ama se maniakizmi fizik do të përsëritet si në shiritin e  filmit, pandërprerë, nuk kemi dashur të besojmë, por sot jemi të detyruar të vërtetën ta shohim në sy. Brezat e rritur me fobi, kanë gjeneruar një brez të ri intolerant që sportin e ka vetëm sebep për të shfryrë urrejtjen antishqiptare, për të nxehur gjaqrat në këtë shoqëri të ndërtuar pa hekur adekuat, në këtë shoqëri të ndarë, që dita ditës po ecën sipas një skenari shumë të zi që shpie në një humnerë në të cilën s’ka shpëtim.Terrorizmi tifozerik i etno-maqedonasve që ushtrohet me duart e komitaxhinjve, të gjithë na pesimizon dhe na bën të pyesim se a ka siguri dhe organe të sigurisë në këtë vend që do të garantojnë nga vërsuljet e papritura të qyqarëve që sulmojnë kur janë në grup dhe nëpër zona ku shqiptarë ka pak, që gjakosin fëmijë e gra. Do shënuar se Jugosllavia përfundoi e dha shpirt si pasojë e kancerit që nisi si luftë tifozerie mes kroatëve dhe serbëve (BBB vs. Delije) për të metastazuar në luftë të vërtetë gjenocidale. Kjo që po ndodh nuk është incident, as gjë aksidentale, këtu bëhet fjalë për një mendje superiore që bën skenare që duhet realizuar pa marrë parasysh çmimin që duhet paguar. Civilizimi është një gjë që kërkon evoluim, kurse barbaria është gjë që nxirret nga tiparet e animalitetit human. Përgjegjësit, lidershipi politik dhe ai sportiv duhet të zgjedhin: ose sport i mirëfilltë ose moratorium, ose masa ose dhuna mund të shpërfaqet gjithandej, sepse edhe macja kur e çon në skajin ku s’ka nga t’ia mbajë të hidhet në sy. Me shpresë që fushat e sportit të shënjojnë festival të kulturës fizike dhe të artit sportiv e jo vende ku kultivohet rrugaçëria dhe violenca e barbarëve të veshur me petkun e modernizmit!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button