Japonia: Do t’i bëjmë ballë Kinës

Kryeministri japonez, Shinzo Abe deklaron se vende të tjera duan që Japonia të ndërmarrë një lidership më të sertë në Azi, për t’i bërë ballë fuqisë në rritje të Kinës.

Zoti Abe tha për “Wall Street Journal” se ekzistojnë shqetësime konkrete se Kina po përpiqet të ndryshojë status kuonë me forcë dhe jo sipas rregullave dhe ligjeve.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë janë tensionuar në vitet e fundit. Kina deklaroi të shtunën se, nëse Japonia qëllon avionët kinezë të telekomanduar, atëherë ky veprim do të konsiderohet si “një akt lufte” nga Pekini zyrtar.

Deklarata i referohet raportimeve se zoti Abe ka aprovuar një seri planesh në fushën e mbrojtjes që parashikojnë përdorimin e avionëve luftarakë për të rrëzuar avionët kinezë pa pilotë në hapësirën ajrore japoneze.

Një tjetër kontest mes dy vendeve është edhe ai për sovranitetin e një grupi ishujsh në Detin Lindor të Kinës, që kontrollohen nga Tokio por që pretendohen nga Pekini.

Por analistët deklarojnë se rivaliteti mes dy vendeve reflekton fuqizimin “meteorik” të ekonomisë kineze dhe atë diplomatik të qeverisë së këtij vendi, në një kohë kur Japonia në dy dekadat e fundit ka rënë në një “batak” ekonomik.

Kina ka paralajmëruar gjithashtu për nacionalizmin japonez në një rajon ku ekspansioni kolonial i Japonisë është ende i pranishëm.

Në intervistë, zoti Abe theksoi se ai vetë e ka kuptuar se Japonia duhet të forcojë lidershipin e saj jo vetëm në frontin ekonomik, por edhe në atë të sigurisë në Azinë e Paqësorit.

“Ka shqetësime se Kina po synon të ndryshojë status kuonë me forcë dhe jo përmes ligjit. Por nëse Kina vendos të marrë këtë rrugë, atëherë ajo nuk do t’ia hedhë pa pasoja”, tha Abe.

Lajme të ngjashme

Back to top button