A është e vërtetë çfarë shkruhet në këtë faturë?!

Kur plazhet “ndoten” dhe prej mediave…

Disa portale simotra kanë publikuar një faturë ku tregohet se si diku, më saktë në Ksamil, është kërkuar pagesë edhe për karikimin e celularit; i servirur ky fakt publikut në emër të denoncimit të së ashtëquajturit abuzim me çmimet përgjatë sezoni.

Dhe ky denoncim vjen pikërisht nga një sajt që qëllim në vetëvete ka ofrimin e skandaleve të çfarëdollojshme në shoqërinë tonë, me një gjuhë sarkastike. Tip ‘Hosteni’, si dikur. Dhe nuk ka pse shahet për këtë.

Përkundrazi, është meritë zgjedhja e një profili të caktuar për të bërë diferencën; por, po aq e rëndësishme është që diferenca të bëhet dhe në ca standarte etike, sidomos kur është fjala për të denoncuar çfarë shkon keq në shoqëri. Në rastin konkret, ky standart duket se është shkelur rëndë.

Po ta tregosh këtë faturë në Ksamil, ta japin turinjve. Por logjika ta thotë se nëse vërtet ka ndodhur që dikush të ketë kërkuar pagesë dhe për karikim celulari, kjo nuk ka pse shoqërohet me faturë.

Ndërsa nëse marrim në konsideratë faktin tjetër se ajo faturë është thjesht një truk, një produkt fantazie në funksion të një gallate çasti, përgjegjësia bie mbi të gjitha ato portale, medemek serioze, që e kanë servirur si tejet serioz atë çfarë është shkruar në faturë.

Dhe kjo është një gjë e rëndë në terma profesionalë. E rëndë dhe për faktin se për hir të ca ‘scoop’-eve idiote, shqiptari shkon dhe denoncon veten, si në rastin konkret kur i merr erzin Ksamilit, një prej zonave me plazhet më të mrekullueshme në rajon, përballë të cilit dorëzohen dhe mjaft të huaj, pa llogaritur me mijra maqedonas që zbarkojnë çdo verë aty me kuç e me maç, pasi kanë braktisur plazhet bullgare dhe ato greke.

Mund të ndodh vërtet që të ketë abuzim me çmimet në vende me përqëndrim të madh plazhistësh. Por fakti që të ofrohen shumë alternativa zgjedhjeje, të jep njëherësh dhe shansin që mos biesh pre e tyre.

Ndërkohë që çmime të klasifikuara, has kudo; ku pra, në varësi të një vendi e nja rrethanë, një spageti që e gjen diku me 5 euro, mund ta gjesh diku tjetër me 10 euro, apo dhe me 2 euro.

Sa për shembull, provoni të darkoni në ambientet e brendshme të kalasë së Budvas, dhe mbajuni kur të hasni në menu një rizoto me çmimin 38 euro, të cilën 300 metra më tutje mund ta hasni me 10 euro.

Në terma të përafërt ky realitet është dhe tek ne, ku si gjithkund vepron ligjësia “zgjidh dhe merr!” e jo “detyrim përcaktim”.

Burimi: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Back to top button