Vera “berbat’hane” tetovare 

Shumë falënderime për të gjithë ata që u kujdesën duke më shkruar e duke më  telefonuar në këto ditë të verës “berbat’hane” tetovare. Ju falem të dashur miq, kolegë, studentë, nxënës, profesorë, artistë, familjarë nga Kosova dhe diaspora, dashamirë nga Shqipëria dhe “Crna Gora”, për qëndrimin mirëdashës  dhe konsideratën e lartë. Ju jam mirënjohës edhe atyre që më kujtuan dhe që nuk patën mundësi të më kontaktojnë.

Pasditja e 3 gushtit qe e tmerrshme. Ne banorët e Tetovës së bashku me ata të rrethinës u ballafaquam me një katastrofë natyrore të paparë dhe të pazakontë për këtë zonë gjeografike. Unë nuk mbaj mend një “nevrikosje natyrore” të tillë.

Retë e zeza, bubullimat, shiu i rrëmbyeshëm dhe era e stuhishme u humbën shpejtë, ashtu siç u shfaqën befasishëm, ndërkaq, … ne vazhdonim të shikonin akoma, në qiell, të frikësuar. Çdokush lutej në mënyrën e vet…

Era “tornadike” dhe shiu “monsunik”, që nxorën në sipërfaqe të rrugëve – ndotësitë, hilet, padrejtësitë, pakujdesinë, amoralitetin, hipokrizinë dhe injorancën e këtij qytetërimi primitiv, por duke varrosur mizorisht shpirtra të virgjër dhe njerëz bujarë,  na dëshmuan se as ne nuk jemi të sigurt, ani se jetojmë larg oqeaneve dhe vendeve të ndjeshme tektonike e vullkanike.

Lagjja ime i shpëtoi “katrahurës apokaliptike”. Edhe pse kaluam vetëm me ca dritare dhe tjegulla të thyera, nuk arritëm t’i shpëtojmë gjendjes së ankthshme nga pamjet tmerruese që regjistruam nëpër pjesë të ndryshme të qytetit dhe fshatrave përreth.

“Gjithçka ndodhi brenda një ore” është fjalia më e tregtuar këtyre ditëve nëpër Tetovë, por, njerëzit harrojnë se më shumë dëme dhe më shumë viktima, se shiu që ra me tërsëllëm të madh, mund të sjellë një fenomen tjetër natyror, bile për një kohë shumë të shkurtë. Duhen vetëm pak minuta që një tërmet të lë pas vetes gërmadha. Edhe një lëkundje shumë e vogël e kores së Tokës, në Tetovë do t’i rrënojë të gjitha godinat, pa përjashtim, mbi katet e sipërme të të cilave janë ndërtuar banesa pa leje dhe pa standarde. Të tilla ka shumë, më tepër se sa që mund të imagjinojmë.

Zhvillime absurde! Mungesë rregulli, institucione të paautoritetshme, papërgjegjësi kolektive, … dhe vetëm e vetëm interesi personal! Përse jemi të dënuar që të bashkëjetojmë me ata që ushqim e kanë dyshimin, kontradiktën, pështjellimin, mashtrimin. Në qytetin tim, ngado që të rrotullohesh takon prej tyre.

Dhe pikërisht si pasojë e sjelljeve dhe papërgjegjësive të këtilla, vite me radhë në zonën e “Pollgës” dhe të Sharrit sundon kaosi ekonomik, arkitektural, urbanistik, arsimor, kulturor, politik, ekologjik, … Askund në botë nuk lejohet ndërtimi i objekteve mbi varreza, i shtëpive mbi lumenj, i godinave në mes të rrugës, i vilave mbi shtretër përroskash. Askund në botë, mbeturinat e qytetit nuk barten pranë burimeve malore.  Askund në botë nuk ndodh që institucionet të heshtin dhe t’i mbyllin sytë para krimeve të rënda: ndërtimeve pa leje, ndotjes së ambientit nga oxhaqet pa filtër, “sakatimit” të maleve nga druprerësit e pangopur, derdhjes së ujërave të zeza në lumenj, masakrave ndaj faunës tokësore dhe ujore (që te ne kryhet për çdo ditë nga “peshkatarë” me gjeneratorë dhe “gjuetarë” me kallashnikovë), …

Heshtin institucionet, heshtim ne, heshti edhe shiu, por nuk hesht helmimi, shpyllëzimi, zhgradimi, …

Si duket, as pësimet nuk na bëhen mësime! Dhe nuk do të na bëhen derisa sillemi pa vigjilencë, pa tolerancë, pa mirëkuptim, pa përgjegjësi, pa besim, … pa dashuri.

Gjithçka varet nga ne, gjithnjë dhe vetëm nga ne!

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Natyra esht e gjallë jeton si na njerzit. Ajo duron shumë por nëse na nuk dimë të kujdesemi at ta mbajmë ashtu si duhet duke hedhur Mbeturina gjithandej ajo tërbohet edhe gjithë ata mbeturina na I përplas mbrapsht para oborret e shtëpive tona.

Back to top button