Partitë politike opozitare kërkojnë ndryshim të modelit zgjedhor

Ditëve të fundit është riaktualizuar sërish debati mbi nevojën që Maqedonia të ndryshojë modelin  zgjedhor, kështu për të pamundësuar manipulimi i votës së qytetarëve.

Nga partia opozitare RDK thonë se duhet ndryshuar edhe modelin zgjedhor, ku në vend të gjashtë njësive zgjedhore, jo të barabartë deri më tani, vendi të  shndërrohet  në një njësi zgjedhore me lista të hapura.

“RDK thekson se duhet ndryshuar edhe modelin zgjedhor, ku në vend të gjashtë njësive zgjedhore, jo të barabartë deri më tani, vendi të  shndërrohet në një njësi zgjedhore me lista të hapura. Kjo do të kontribuonte për demokratizimin e shoqërisë dhe partive politike dhe do të ishte shprehje më reale e koloritit politik dhe etnik që ka RM. Për RDK-në do të ishte i pranueshëm edhe sistemi i shumicës, me një ndarje proporcionale dhe objektive të njësive zgjedhore por kjo do të ishte në disfavor të përfaqësimit të komuniteteve më të vogla etnike në kuvendin republikan”, tha për Portalb Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.

Ai shtoi se kjo parti gjithashtu propozon që organet zgjedhore të depolitizohen, duke zgjedhur si anëtar përfaqësues partiak.

“RDK propozon që organet zgjedhore të depolitizohen, duke zgjedhur si anëtar përfaqësues apartiak. Nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë KQZ, Komisioni komunal zgjedhor dhe këshillat zgjedhorë të përbëhen nga anëtarë të të gjithë subjekteve duke marrë  për bazë rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale. RDK gjithashtu  sugjeron që vet procesi i votimit, sidomos identifikimi i votuesit, të realizohet nëpërmes teknologjisë së identifikimit të gishtrinjëve, ku do ti shmanget problemi i kamotshëm i votimit të shumëfishtë që është realizuar deri më tani. RDK sugjeron që në të njëjtën kohë të bëhet edhe një pilot projekt i votimit elektronik, që rezultatet e votimit do të mund lirisht të krahasoheshin me votimin manual, për pranim sa më të madh të rezultateve zgjedhore nga të gjitha subjektet politike”shton Memedi.

RDK po ashtu propozon që partitë politike garuese në zgjedhje, nëse kanë dyshime për shkelje zgjedhore në vendvotime të caktuara, të kenë të drejtën e Kërkesës për hapjen e kutive dhe materialit zgjedhor  (maksimum dy deri katër vendvotime) me automatizëm, pa debat dhe votim nga KQZ.

Gjithashtu edhe Afrim Gashi nga Lëvizja “Besa” thotë se është koha që përqindja e shqiptarëve në Maqedoni të reflektohet edhe në përfaqësimin e tyre në Parlament.

“Ne mendojmë se më i rëndësishëm se akëcili model zgjedhor është që secila votë të jetë e përfaqësuar dhe të reflektohet në përfaqësim politik. Ne gjykojmë se është koha e fundit që përqindja e shqiptarëve në Maqedoni të reflektohet edhe në përfaqësimin e tyre në Parlament, që kështu t’i jepet fund edhe këtij diskriminimi. Pastaj, më i rëndësishëm se modeli zgjedhor është që lista zgjedhore të pastrohet dhe të pamundësohet secili manipulim i votës”, tha Gashi për Portalb.

Ai shtoi se më i rëndësishëm se modeli zgjedhor është fakti se kush i organizon dhe kush i mbikëqyrë zgjedhjet

“Për neve më i rëndësishëm se modeli zgjedhor është fakti se kush i organizon dhe kush i mbikëqyrë zgjedhjet. Nëse u lihet në dorë që përsëri zgjedhjet t’i organizojnë ata që e mbajnë mbi shpinë barrën e manipulimeve më flagrante në historinë e demokracisë në Maqedoni, qofshin ata të kampit maqedonas ose shqiptar, është e kotë të flasim për modele zgjedhore dhe për zgjedhje korrekte dhe të drejta. Pasi të dakordohen këto parime, ne kërkojmë që listat zgjedhore përfundimisht të jenë të hapura, që qytetarët të mund të vendosin vetë për përfaqësimin e tyre. Nëse arrihet edhe kjo, atëherë qoftë me një ose me tri njësi zgjedhore, por edhe me sistem të shumicës, mendoj se vota e qytetarit do të jetë e përfaqësuar si duhet në procesin e përfaqësimit politik. Pra, për neve nuk është problemi themelor modeli zgjedhor, sepse secili model i ka përparësitë dhe mangësitë e veta, por me rëndësi është parimi i përfaqësimit të drejtë të qytetarit dhe fakti se kush i organizon dhe kush i mbikëqyrë zgjedhjet”, shtoi Gashi.

Edhe Lëvizja për Reforma PDSH, në kuadër të bisedimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, parashtron kërkesat për ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë, duke marrë për bazë rritjen e nivelit të demokracisë përfaqësuese dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-së për zgjedhjet në Maqedoni.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KQZ) duhet të ri-formatohet dhe të depolitizohet, duke zgjedhur përfaqësues apartiak në përbërjen e saj, përpilimi i Listës së re Zgjedhore të jetë në kompetencë të KSHZ-së së ri-formatuar dhe asesi në kompetencë të Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Pas pastrimit të listave nga votuesit fiktiv, kërkojmë që në vend të gjashtë njësive zgjedhore, jo të barabartë deri më tani, vendi të  shëndrohet në një njësi zgjedhore. Kjo do të kontribuonte për demokratizimin e shoqërisë dhe partive politike dhe do të ishte shprehje më reale e koloritit politik dhe etnik që ka RM-ja. Sa i përket periudhës së nevojshme për ri-regjistrim të votuesve, periudha e paraparë prej 3 muajsh është e pamjaftueshme për regjistrim të mirëfilltë, prandaj kërkojmë që ri-regjistrimi i votuesve të vazhdojë të bëhet në mënyrë aktive, duke evidentuar votuesit derë-më-derë, deri në një muaj përpara fillimit të fushatës zgjedhore”, thonë nga Lëvizja për Reforma PDSH.

Ndërkaq Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, kanë kërkuar edhe katër parti politike në vend nëpërmjet një letre drejtuar Ambasadorëve të BE-së, SHBA-së, OSBE-së si dhe tek ndërmjetësi Piter van Houte.

LEXO MË SHUMË:

“Solidariteti”: Të ndryshohet modeli zgjedhor në dobi të qytetarëve jo partive

 

Listat e hapura dhe shteti një njësi, imperativ në modelin zgjedhor

Trajanov kërkon ndryshimin e modelit zgjedhor, Maqedonia të jetë një njësi

BDI-ja paralajmëron hapa konkrete për ndryshimin e modelit zgjedhor

“Lenka”: Ja pse ky model zgjedhor në Maqedoni është i dëmshëm

Një njësi zgjedhore në Maqedoni, mundësi për më shumë deputetë shqiptarë

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button