Tri histori shqiptare që prekin gjermanët

“Der Spiegel” sjell historinë e tre shqiptarëve që në vitin 1991 ikën me anije nga Shqipëria dhe tani janë kthyer aty nga malli dhe dëshira për të ndihmuar vendin e tyre.

Rrëfimi fillon në darkë në lokalin “Radio Bar” të Tiranës, ku mblidhen “të bukurit dhe të pasurit” e kryeqytetit.

Tri herë ikin dritat, po vizitorët vazhdojnë t’i shijojnë pijet e tyre në dritën e çirit, i bën përshtypje autorit Walter Mayr.

Aty duken Muharrem Çobo, përpunuesi i verës më të shtrenjtë në Shqipëri; Agron Shehaj, i cili fiton me Call Center dhe Redi Panariti, pronar i lokalit “Radio Bar”.

Lokali gjendet në lagjen e “Bllokut”, ku ka jetuar nomenklatura me në krye Enver Hoxhën.

Autori kujton që Shqipëria për 40 vjet ishte qoshja e errët e Europës, me 700’000 bunkerë prej betoni, armë për t’u mbrojtur nga imperializmi perëndimor dhe revizionizmi lindor.

Mijëra shqiptarë ranë pre e “regjimit terrorist të stalinistëve të pafe”, nënvizon raporti.

Bari për të cilin flet artikulli është hapur në 2009 në lokalet e një banese tridhomëshe, i stolisur me radio të denja për muze, mobilje tradicionale dhe një arsenal pijesh për qejf.

Panariti rrëfen që para se të vinte ai me barin e tij, klientët njihnin vetëm Wodka-n dhe Red Bull-in.

Ai është një çun Tirone, ka punuar nëntë vite në Itali– ndër të tjera– si banakier. Tani ai elitës së re të vendit i ofron Wodka Sour me “frut pasioni” deri te “Sex on the Beach”.

Shumë shqiptarë hapat e para të karrierës i kanë hedhur në emigracion, thotë raporti.

Sfondi profesional i bashkëbiseduesve të autorit është ky: Çobo ka mbaruar në Universitetin e Trentos për drejtësi, Shehaj ka studiuar për ekonomi në Firence, Erxhan Hyseni është ekspert i sigurisë në autoritetin shqiptar të aviacionit civil dhe kish arritur deri në trupat elite të marinës amerikane.

Të tre e kanë të përbashkët faktin që në vitin 1991 ikën nga varfëria dhe anarkia e Shqipërisë me anije në Itali.

Radio Bar në zonën e ish bllokut në Tiranë

Rritet numri i emigrantëve që kthehen

Imazhet e emigracionit shqiptar para 24 vitesh i njeh bota. Midis Bozen dhe Palermos është themeluar një Shqipëri e vogël, aty jetojnë një gjysmë milioni shqiptarë. Tre burrat tani janë kthyer në vendlindje.

Ata nuk kishin ndonjë arsye për t’u kthyer në Shqipëri, mendon gazetari.

Rritja e vazhdueshme e papunësisë në Itali dhe recesioni i gjatë e kishin ndryshuar disponimin. Shuma e remitencave në Shqipëri bie, ndërsa numri i të kthyerve rritet. Në 2013-tën ai shkonte në 46’000 veta.

Për më tepër, thotë artikulli, 19’000 italianë dhe 400 firma kanë kaluar në Shqipëri. Klima për biznes atje është shumë e volitshme: Lajmërimi i një biznesi zgjat një ditë, rroga mesatare është 374 euro, ndërsa 30 për qind e popullatës është ndër 18 vjeç.

Agron Shehaj është gjeneratë e 77-tës, i zgjuar dhe i shkathët – mysafirët në firmën e tij i pret me shumë dashamirësi. Kur iku nga Shqipëria, ishte vetëm 13 vjeç. Historia e tij ka qenë temë e një filmi dokumentar dhe reportazheve të ndryshme në kanalet televizive italiane.

Në 2005-tën, kur u themelua, qendra e tij telefonike kishte 400 punëtorë, tani janë 3000.

Për një pensum 100 për qind, rroga që jep ai është 400 euro. Shumica e shqiptarëve e flasin italishten.

Italia për të, me gjithë respektin që ka, është vend që u druhet rreziqeve dhe vend i barrierave burokratike.

“Në fund kisha mall për Shqipërinë dhe doja të bëhesha ndërmarrës”, thotë Shehajn.

Ai thotë: “Si ndërmarrës mund të ofrosh vetëm shërbime, për të cilat i ke njerëzit e duhur”. Në Shqipëri do kisha prodhuar edhe aeroplanë – thotë ai – por me kënd? Ai nuk po gjen një drejtor të mirë për biznesin e tij në Shqipëri, prandaj e ka angazhuar një italian që e paguan për një të tretën më shumë.

Rruga për në Europë është e gjatë

Kati përdhe i firmës zien nga telefonistët, i cili me vendet e tyre të ndara të punës duket si koshere bletësh. Ata rekrutojnë klientë për ofertues shqiptarë të telefonisë etj. ose i sqarojnë ato për paqartësitë që kanë. Motoja e tij: “Mos prit deri sa anija jote të mbërrijë në port, por nisu me not kah ajo”.

Punëtorët me rezultatet më të mira shpallen publikisht. Në total ai nuk është gjithaq i mrekulluar me zellin e punëtorëve shqiptarë. Më shumë të tillë janë të huajt.

Dhe gazetari e ka një shembull– shefin e kuzhinës së një restoranti në Tiranë, të cilin pronari e ka bindur të vinte në Shqipëri me një rrogë mbi trefishin e asaj në Itali.

“Kuzhinierët janë legjionarë që shkojnë aty ku ka punë”, thotë ai, dhe shton: “Kohërat kur Italia ishte vendi i premtuar i shqiptarëve kanë mbaruar moti”.

Edhe kuzhinieri italian nuk është i magjepsur nga kultura e punës së shqiptarëve.

“…Në këtë kuptim, rruga për në Europë është e gjatë”.

Gazetarit nuk ikin kontrastet në shoqërinë shqiptare: në njërën anë sheh njerëz që luten në oborrin e xhamisë Ethem Beu deri në rrugë, në anën tjetër duken vajza që enden me minifunde – klientë potencialë të 300 bareve në lagjen e ish elitës.

Këtu autori vëren që e veja 94 vjeçare e Enver Hoxhës ka kaluar me banim në një lagje tjetër, një nip i tij gjendet në burg për trafikim droge, ndërsa mjeku i tij personal, Sali Berisha, nuk zgjon më vëmendjen e të rinjve nëpër bare.

I kthyeri tjetër në Shqipëri, Muharrem Çobo, në fakt, kishte pasur shpresa në Sali Berishën.

Ai bashkë me vëllanë e tij kishte qenë ndër të parët që kishin dalë në demonstrata kundër regjimit në 1991-shin.

Më 6 mars të këtij viti ai ishte gjendur në një anije për në Brindisi.

Studimet i kishte financuar me punë si pastrues, portir nate dhe ndihmës në plantazhet e mollëve.

Çobo kishte përpunuar verën në Itali, por Shqipërinë s’e kishte humbur kurrë nga sytë, thotë artikulli.

Aty kishte pasur verë nga kohërat pararomake. Kështu ai filloi të mbjellë hardhi në Shqipëri dhe rrushi e joshi përsëri në vendlindje.

“Italia është e ngirë”, thotë ai.

Ndërsa “produktiv është vetëm ai që ka uri”.

Veraria e tij gjendet në afërsi të qytetit dymijëvjeçar të Beratit, thekson autori. Në rezervoare të hekurta prej 10’500 litrash zien, nën vëzhgimin e kompjuterëve, lënda nga e cila dalin 80’000 shishe verë në vit.

Hardhitë e tij janë autoktone. Një herë në vit ai sjell ekspertizë nga Italia. “Kjo është mënyra ime për të bërë diçka për vendin”, është shprehur Çobo. Një shishe verë në vendin e tij kushton 30 euro. Autori shënon: Gjermanët që çatisin aty gabimisht, sapo e dëgjojnë këtë, kthehen mbrapsht; kurse francezët ndalojnë – e shijojnë dhe e blejnë atë.

Muharrem Çobo, prodhuesi shqiptar i verës

Shqipëria nuk është vend i keq për të jetuar

Sikur të ishin të gjithë si Çobo, Shqipëria nuk do të kishte problem me imazhin e saj në botë, konstaton autori.

Artikulli kujton edhe njëherë Raportin e Progresit për Shqipërinë se Tirana duhet të bëjë “përpjekje rrënjësore dhe të vazhdueshme” në rrugëtimin e saj për integrim në UE.

Ai kujton se kryeministri shqiptar Edi Rama ka jetuar vetë gjatë kohë në emigracion dhe e citon atë që italianët nuk janë tjetër, veçse “shqiptarë me Versace”.

Për Erxhan Hysenin këtë mund ta pohojë vetëm një që me 6 mars të 1991-shit nuk ishte aty: “Unë nuk do t’ua harroj kurrë italianëve si na kanë pritur atëherë”, kur ai vet i 6’000-ti zbriti në Brindisi.

Atëherë ishte vetëm 16 vjeç. Pas pesë vitesh Hyseni e fitoi lotarinë Greencard – vizë për në SHBA.

Me pak njohuri të anglishtes nga këngët e Doors-ave, e kishte fituar konkursin për në US-Army.

Pas shkollimit në marinën amerikane ai shërbeu në Lindjen e Afërt dhe në Afrikë, në 2003-shin mori pjesë në luftën tokësore të Irakut.

Më pas Qeveria Amerikane e dërgoi atë në Kosovë për të sqaruar krimet e luftës.

Para se të kthehej në vendlindje në 2011-tën, ai absolvoi një kualifikim për dizajn arkitekture. Tani Hyseni punon në autoritetin e aviacionit civil në Tiranë dhe i kontrollon për arsye sigurie listat e pasagjerëve për një rrogë prej 430 eurove.

“Shqipëria nuk është vend i keq për të jetuar, me vite unë kam parë gjëra më të këqija”, e citon media Hysenin.

Ai tani e çmon të qenët bashkë me familjen, të cilën në 1991-shin e kishte lënë pa u përshëndetur.

Shqiptarët e rinj dëshirojnë të dinë se si mbërrihet sa më shpejtë te një veturë dhe një iPhone, kurse të moshuarit nuk dëshirojnë që mu ata që atëherë e kanë lëshuar vendin t’u tregojnë atyre se çfarë duhet të bëjnë – shënon autori.

“Atëherë ika pa një valixhe, pa pasaportë dhe pa prindërit; sot jam krenar për atë që jam kthyer me më shumë gjëra se kaq”, përfundon raporti me pohimin e Erxhan Hysenit.

Lajme të ngjashme

Back to top button