Vërshimet dhe çadrat e Teutës

Vërshimet e fundit në rajonin e Tetovës patën pasoja katastrofike. Për më pak se 30 minuta ato morrën 5-6 jetë njerëzish dhe shkaktuan dëme të pallogarritshme materiale, nëpër shtëpitë, tokat e bukës dhe infastrukturën e shumë vendbanimeve.

Pa dyshim: dhembja për dëmet dhe viktimat, veçmas për humbjen e përgjithmonshme të fëmijëve të vegjël të Shipkovicës e Lisecit, është e madhe, po reagimi ynë si shoqëri, hiq përjashtimet e pakta, qe dhe vazhdon të jetë shumë i papargjegjshëm dhe joqytetërues.

Në kohën kur do të duhej të ishim të gjithë në aksion për t’u dalur në ndihmë më të prekurve nga fatkeqësia e paparë natyrore, për të pastruar udhët, oborret e shtëpive, ujësjellësit…, bie në sy numri tejet i madh i sehirxhinjëve që luajnë domino, filozofojnë dhe përqeshin nga terasat e salephaneve të lagjeve të prekura ata që luftojnë dëshpërimisht me oqeanin e baltës dhe malin e gurëve që ua kanë mbuluar shtëpitë. E pakapshme për trurin e shëndoshë kjo sjellje jona karshi gjëmës që disave ua skëterrosi jetën.

E ngathtë dhe e pamjaftueshme është dhe ndihma shtetërore, sepse përmasat e katastrofës kapërcejnë shumëfish kapacitetet e komunës së Tetovës. Kjo shihet shumë açik në udhët plot llucë e pluhur të qytetit, nëpër të cilat nuk lëvizet. Nuk janë askund automjetet speciale për pastrimin e udhëve që u tha se kanë ardhur enkas nga Shkupi. Të pakta janë dhe makinat që duhet të largojnë sa më parë sasinë e madhe të prurjeve nga lagjet gati krejtësisht të pabanueshme.

Mbetet të shihet si do të rrjedhë puna e kompensimeve të dëmeve të mëdha materiale nga ana e qeverisë, e cila kësaj here nuk guxon të bëjë premtime në ajër, për ta futur më pas në harresë (siç e ka zaon) atë që ua ka borxh qytetarëve të dëmtuar. Kësaj here çështja e derdhjes së parave në llogaritë e tyre nuk guxon të mbetet peng i labirinteve burokratike të ministrisë së financave, sepse qeveria është fajtorja kryesore e pasojave të katastrofës në fjalë. Ajo e ka pasur për obligim të parandalojë tragjedinë e fundit, ashtu siç e ka për obligim të parandalojë tragjeditë e ardhshme që do të përsëriten pashmangshëm, nëse nuk eliminohen shkaktarët e së keqes që rrinë pezull mbi shtëpitë tona.

Personalisht nuk e fajesoj pushtetin lokal e qendror pse ra shi dhe pse vërshuan përrojet e lumenjtë, ama i bëj me faj pse lejuan krijimin e deponive të egra si ajo e Rasadishtes mbi Reçicë të Vogël, që është shkaku i vetëm i gjëmës që ra mbi kurrizin e qytetarëve të pafajshëm. Kush duhej të pengojë shkarkimin 25 vjeçar të gjithë atyre shtyllave, pllakave, gurëve e tullave të shtëpive të vjetra mbi lagjen e stërpopulluar me fatkëqinj, që, vetëm për disa minuta, humbën gjithçka që krijuan gjatë jetës? Kush duhej të ndalë ndërtimet pa leje në grykën e Përroit të Hallës në Shipkovicë, që janë sebepi i shuarjes së jetëve njerëzore? Kush duhej të pastrojë kanalet e lumenjve dhe përrojeve të rrezikshëm në Reçicë të Madhe, në Gjermë, në Poroj, në Sellcë…? Kush duhet të ndalojë ndërtimet pa leje mbi rrjedha përrojesh e lumenjsh që në raste vërshimesh si këto të fundit kërkojnë udhën e tyre dhe dënojnë pamëshirshëm ata që neglizhojnë hakmarrjen e natyrës, sa herë guxojnë të tallen me të?

Shtet nuk është ai që vin të të ngushëllojë në gjëmat që e ka pasur për detyrë t’i parandalojë. Shtet nuk është ai që vetëm mbledh tatime dhe dënon vend e pa vend qytetarët e vet. Shtet nuk është ai që në ditë zie organizon aksione spektakulare për kapjen e atyre që akoma pa ua bërë gjyqet i quan terroristë. Shtet nuk është ai që s’ka kapacitete të jetë shtet, që nuk kujdeset për qytetarët e tij në mënyrë të njësojshme, që nuk krijon kushte të barabarta jetese dhe nuk ofron përspektiva zhvillimore, që nuk zbaton ligje të njëjta në gjithë territorin e tij, që ofron shkase disa ta ndjejnë nënë e disa mjerkë. Shtetin e tillë e ndërton natyra prej lluce dhe na e vë përpara si statujë morbide për ta kuptuar sa është sahati.

Tragjedia e fundit është rast i pëpërsëritshëm sprove për t’verifikuar kujdesin e shtetit ndaj një pjese të qytetarëve, po dhe rast reflektimi për të gjithë ata që duan të jenë me ankth pjesë e tij.

Tragjedia e fundit nuk është dënim i Zotit shkaku i javës kulturore dhe çadrave të Teuta Arifit, siç përpiqen ta paraqesin filozofitë e atyre që duan t’na shohin mesjetë.

Ajo është ndërthurrje pakujdesishë institucionale dhe budallallëqesh kronike, sherrin e të cilëve do ta ndjejmë edhe në të ardhmen, nëse s’e vëmë gishtin aty ku duhet ta kemi trurin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button