Kohë për solidaritet dhe bashkim

Tërbimi i befasishëm i motit, si pas një amoku, shkaktoi humbje në njerëz dhe dëme të mëdha në Tetovë. Në këto ditë të vështira ndjehet nevoja për solidaritet ndaj të prekurve rëndë nga fatkeqësia. Të dëmtuarit kanë nevojë që t’u jemi pranë. Atyre që pësuan tragjedi të rëndë nuk mund t’ua kthejmë të dashurit e tyre, por mund t’u japim shpresë, t’i ngushëllojmë dhe, sado pak, aq sa mundet, t’ua bëjmë më të lehtë dhimbjen.

Qytetarë visesh të ndryshme sot janë bërë njësh me dhembjen e tetovarëve. Fatkeqësia i ka fshirë ndarjet provinciale. Kudo shprehet gatishmëri për të ndihmuar, pas dëmeve që i shkaktoi edhe tërbimi i lumit Shkumbin, i cili, ndonëse duket i qetë, i pahetueshëm, herë pas here, edhe për fajet njerëzore, rrënon gjithçka që i del përpara.

Si tetovar u shpreh mirënjohjen e thellë dhe duhet fiksuar në kujtesë ky solidaritet, pa mos lejuar që harresa, edhe kur të kalojë gjithçka, ta shqelmojë këtë humanizëm.

Te shqiptarët, tradicionalisht, solidariteti i admiruar ka triumfuar mbi harresën e shtetit, por sot, në rethana të tjera, duhet të ndjehet prania e shtetit.

Sot duhet lënë anash ndarjet etnike, ideologjike, partiake. Duhet të pushojnë ndasitë. Të pushojnë sharjet, tërbimet, përfitimet në emër të fatkeqësisë. Në këto ditë nuk ka nevojë për luftë gjelash politikë, për “predikues”, për “numerologë”. Le të rëndojë turpi mbi të gjithë ata që u shërben fatkeqësia për fushata idioteske. Përfituesit nga tragjeditë asgjë nuk e bëjnë të shtyrë nga ndjenja e humanitetit. Ata janë përfitues mizorë, janë hijena.

Janë të turpshme fyerjet e sharjet, në rrjete sociale, në adresë të kryetares së komunës së Tetovës, zonjës Teuta Arifi, thuajse ishte shkaktare e fatkeqësisë. Pastaj, nuk është në traditën shqiptare të shahet dhe të ofendohet dikush, veçanërisht një grua. Para se të jetë kryetare komune ajo është nënë, është bashkëshorte, është bijë e dikujt. Në kodin shqiptar gruaja nuk ofendohet, nuk fyhet, nuk shahet.

E kam kritikuar shumë herë, sepse kam gjykuar dhe gjykoj se kritikat janë më se të domosdoshme ndaj personave që udhëheqin me punët publike, sepse ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës së përbashkët, por pa e sharë, pa e ofenduar askënd. Prej atyre që shajnë e fyejnë nuk mund të presim asgjë, për sa kohë nuk e kanë pastruar mendjen nga mbeturinat e pista.

Zonja Arifi ishte pranë njerëzve, madje e vetmuar, tejet e vetmuar. Bëri atë që mund ta bënte, bashkë me ekipin. Edhe sikur të ishim në vendin e saj nuk mund të bënim më shumë. Por ajo ka edhe shumëçka për të bërë.

Sot duhet t’i inkurajojmë shërbimet komunale që prioritet kryesor ta kenë përballjen me pasojat e asaj që ndodhi. Ta ndjejmë komunën, së paku këtë herë, si tonën. T’i afrohemi për të ndihmuar, aq sa mundemi dhe aq sa kemi mundësi. Nuk ka nevojë për “analiza”. Është mizor keqpërdorimi i fatkeqësisë për të bërë protagonistin. Askujt tani nuk i intereson kush çfarë flet, por si të dilet me më pak pasoja nga e keqja e ndodhur. Në kësi rastesh nuk munguan heronjtë e heshtur, anonimë, që rrezikuan edhe veten pa merakun se dikush do t’i dekorojë…

Kjo fatkeqësi dëshmoi se mediat tona lënë shumë për të dëshiruar. Kontribuuan, por edhe e tepruan duke shumëfishuar dezinformata. Ranë pre e senzacioneve. Gazetaria e ka njeriun në plan të parë, sepse gjithçka tjetër mund të kompensohet, por jo dhe jeta e tij. Por kjo është temë për kohë më të qeta. Tani duhet punë konkrete dhe duhet ndikuar që të ndjehet sa më shumë prania e shtetit në vendet e rrezikuara. Ata që merren me punët publike nuk mund t’i fajësojmë për tërbimin e motit, por mund t’u kërkojmë llogari nëse nuk angazhohen ndershmërisht, njerëzisht, seriozisht. Jo për të bërë fushata e selfije, por pse e kanë detyrim; se paguhen për të qenë në shërbim të qytetarëve.

Pavarësisht ngjyrave duhet të bëhemi bashkë jo me bindje të njëjta politike e ideologjike, por në shprehjen e humanizmit ndaj atyre që kanë halle. Fatkeqësia natyrore nuk i ndan njerëzit sipas etnisë, fesë, ideologjisë. Kemi kohë për analiza, por pasi jeta t’i jetë kthyer normalitetit të plotë. Tani është koha të bëjmë gjithçka që të prekurve nga fatkeqësia t’u sigurohet jetë normale.

Lajme të ngjashme

Back to top button