Reagime pas vërshimeve në Tetovë

Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara edhe me erë të fuqishme, që përfshinë Tetovën, përpos dëmeve të shumta materiale, kanë shkaktuar edhe viktima në njerëz.

Qytetarët vlerësojnë se vërshimi dhe rrëshqitjet masive të dheut që goditën Tetovën pasditen e të hënës sa janë një katastrofë natyrore, aq kanë të bëjnë dhe me papërgjegjësinë qytetare por edhe institucionale

Xhaferi: Mungoi mobilizimi i përgjithshëm

Arianit Xhaferi nga OJQ Eco Guerila thotë për Portalb se vërshimi dhe rrëshqitjet masive të dheut që goditën Tetovën pasditen e të hënës sa janë një katastrofë natyrore, aq kanë të bëjnë dhe me papërgjegjësinë qytetare por edhe institucionale.

“Stuhi të ndryshme ndodhin rëndom, por papërgjegjësia e njerëzve që s’lanë pyje pa shkatërruar, kodër pa ndërtuar shtëpi, shtrat lumi pa gërryer dhe shumë faktorë të tjerë si këto i ndihmojnë reshjeve që katastrofat natyrore të marrin dhe përmasa kaq të mëdha si kjo e Tetovës. Mendoj që njësia kundër zjarrit në Tetovë ka qenë e shkëlqyer me intervenimet e tyre, kam parë dhe shumë mekanizma të NKP-së që kanë dalë në rrugë për të ndihmuar, besoj që dhe policia dhe emergjenca ka qenë në krye të detyrës, por ajo që ka munguar është MOBILIZIMI I PËRGJITHSHËM nga Qendrat për Menaxhim me Kriza. Unë personalisht dhe shumë të tjerë që më kanë kontaktuar kemi kërkuar mënyra për t’u mobilizuar dhe t’i dalim në ndihmë këtyre institucioneve që të lehtësojmë operacionet e kërkim-shpëtimit por edhe të pastrimit, por nuk kemi gjetur as edhe një pikë mobilizimi ku mund të paraqiteshim vullnetarë”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se sa i përket politikanëve shqiptarë të cilët nuk gjetën ose mezi gjetën pak kohë për të vizituar “popullin e tyre” në këtë gjëmë, mendoj se nuk do shumë koment.

“Sa i përket politikanëve shqiptarë të cilët nuk gjetën ose mezi gjetën pak kohë për të vizituar “popullin e tyre” në këtë gjëmë, mendoj se nuk do shumë koment. Po të ishte kohë zgjedhjesh aty do i kishim menjëherë, por tani që populli i shkretë mundohet të shpëtojë kokën ata nuk e shohin të rëndësishme të jenë aty. Mendoj se Maqedonia duhet të shpallë ditë zie sepse kjo katastrofë ka goditur vendin, por ngelet të shohim nëse një gjë të tillë do e mendojnë ministrat dhe qeveria”shtoi Xhaferi.

Neziri: Natyra u tregua mjaft toleruese ndaj hazdisjes tonë

Analisti Xhelal Neziri shprehet për Portalb se të gjitha veprimet njerëzore kundrejt natyrës shkaktuan këtë fatkeqësi e cila rezultoi me humbje jete të disa personave.

“Ne ua zumë rrjedhën lumenjve duke hedhë bërllokun tonë! Ne premë drunjtë e njomë jo për t’u ngrohur, as për hidare, por për biznes! Ne ndërtuam aty ku nuk duhet ndërtuar! Ne nuk bëmë thuajse asgjë për të mbrojtur natyrën nga ata që e helmojnë dhe e shkatërrojnë!

Natyra u tregua mjaft toleruese ndaj hazdisjes tonë, por dje na rikujtoi vetëm një grimcë të fuqisë së saj. Kjo fatkeqësi na bëri me dije se për cilët funksionarë gjumi është më i rëndësishëm se jeta dhe prona e njerëzve qe pretendojnë se i përfaqësojnë, tha Neziri.

Ai shtoi se është absurd që asnjë ministër apo funksionar i lartë shtetëror të mos jetë në vendet e prekura nga vërshimet. Edhe konformizmi i tyre ka kontribuar në atë që ndodhi dje në Tetovë

Zeqiri: Pse nuk investohet në rajonin e rrezikuar shqiptarë?

Nga ana tjetër Akademiku Izet Zeqri në profiling e tij në Facebook shtron pyetje lidhur me investimet në zonat e rrezikuara shqiptare.

“Shtrohet pyetja pse ministrat shqiptarë nuk kanë punuar për t’i futur në propozim-planin hapësinor edhe zonat e rrezikuara shqiptare për investime bashkë me regjionin e rrezikuar dhe njëkohësisht të investohet në ngritjen e sistemeve mbrojtëse siç po bëhet për lumenjtë: Lepenec, Pçinja, Sateska, Bregallnica, Crna Reka dhe për regjionet si ai i Shkupit me akumulacinin Kozjak, regjioni i Velesit me akumulacionin Kozjak dhe Vakuf, Crna Reka në dalje të Pellagonisë, akumulacionet në Klimanci dhe Tikvesh etj. Kjo katastrofë natyrore na bën me dije të gjithëve posaçërisht atyre të veshur me pushtet që ta ndalojnë fatalitetin e mijëvjeçarit të ri”, shkruan Zeqiri.

Ai gjithashtu thotë se banorët shqiptar gjithandej të Shipkovices, Porojit, Xhepçishtit, Recices frikësohen dhe kërcënohen vazhdimisht, ata kur dëgjojnë bubullimën dhe vetëtimën, me të drejtë, tmerrohen, ankthin e më të keqes nga vërshimet nuk e zbusin dot me lutjen “O Zot, na ndihmo! “, por me lutjen “O Zot, ndëshkona për paudhësitë e prijësve tanë!”.

Sulimani: Duke u treguar forca e natyrës vërtetohet përgjegjësia e institucioneve

Gazetari Xhenis Sulimani shkruan se fatkeqësitë natyrore nuk janë vetëm natyrore, sepse ato zbulojnë edhe fatkeqësitë politike/shoqërore.

“Duke u treguar forca e natyrës vërtetohet përgjegjësia e institucioneve. Në anën tjetër kemi edhe një pasqyrim ndryshe për mediet dhe etiken e raportimit në fatkeqësi. Shohim edhe partitë që drejtojnë gishtin ka njëra tjetra derisa në teren shihen vetëm mbeturinat e vërshimit, që iu bëjnë konkurrencë mbeturinave shoqërore. Në një “politea”/rregullim shoqëror përgjegjësi mbajnë të gjithë, nga individi deri te institucioni më i lartë:, shkruan Sulimani në profilin e tij në rrjetin social Facebook

Lajme të ngjashme

Back to top button