Sony sjell në treg dy smartfonë selfie

Së fundmi Sony ka pasuruar linjën e saj të smartfonëve të nivelit mesatar me Xperia C5 Ultra dhe M5. Duket se Sony ka vendosur të shkojë pas trendit të selfieve dhe të fokusohet më shumë tek kamera në këta dy smartfona.

Smartfoni Xperia C5 është i pajisur me një kamera kryesore 13 megapiksel dhe ka dritë flash dhe në kamerën frontale. Ndërkohë që Xperia M5 ka një kamera frontale 13 megapiksel dhe një kamera kryesore 21.5 megapiksel. Sony pretendon se kjo është kamera lider e tregut të smartfonëve të nivelit mesatar. Megjithatë kjo mbetet për tu provuar pasi dihet se megapiksel nuk është i vetmi element që tregon cilësinë e kamerës.

Përsa i përket pjesës së tjetër të harduerit, C5 Ultra apo M5 nuk ofrojnë ndonjë karakteristikë surprizuese. C5 Ultra ka një ekran 6 inch me rezolucion 1080 piksel, proçesor 1.7 GHz 64 bit i shoqëruar nga 2GB RAM. Ndërkohë që M5 ka një ekran 5 inch 1080 piksel, proçesor 2 GHz dhe 3GB RAM.

Të dyja pajisjet kanë sistem operativ Android Lollipop 5.0, ofrojnë lidhje 4G, 2 ditë kohëzgjatje të baterisë dhe 16GB hapsirë memorie. Duhet të theksojmë se M5 është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit. Ende nuk kemi ndonjë informacion përsa i përket çmimit të këtyre smartfonëve. Sony ka deklaruar se këto produkte do të jenë të disponueshme në tregje të caktuara në mesin e muajit Gusht.

Lajme të ngjashme

Back to top button