Plisat: Kosova është Shqipëri, do të jemi në stadium

Ditët e fundit mediat kanë aluduar se tifozët shqiptarë nga Kosova dhe ata nga Maqedonia, nuk do të kenë mundësi që ta ndjekin ndeshjen Shqipëri-Serbi, e cila do të zhvillohet në tetor në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian.

Thuhet se Qeveria e Shqipërisë dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), mund ta marrin një vendim të tillë, në mënyrë që mos të ketë ndonjë incident në këtë sfidë, që pritet të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Për këtë janë të bindura edhe mediet serbe, sipas së cilave, pas takimit të Kryeministrit Edi Rama me përgjegjësit e shërbimeve dhe sigurisë, është biseduar për procedurat e biletarisë për këtë ndeshje, e cila nuk e parasheh që me bileta të pajisen edhe tifozët nga jashtë Shqipërisë.

Lidhur me këtë çështje, portali sportal.al ka biseduar me prijësin e tifozëve të “Plisave” nga Prishtina, Albert Kastrati, i cili nuk beson se do t’u mohohet tifozëve nga Kosova dhe Maqedonia, kjo ndeshje.

“Vetëm është duke u folur pasi që një e tillë, nuk ka asnjë gjasë që të ndodh. Kosova është pjesë e Shqipërisë. Nuk mund askush që t’ua ndalojë shqiptarëve të Kosovës këtë ndeshje. Do të jemi ndaj Serbisë”, deklaroi Albert Kastrati. “Plisat” njihen si tifozë të flaktë të Kombëtares Kuqezi.

Lajme të ngjashme

Back to top button