Të mërkurën dhe të enjten vazhdon marrja në pyetje e Grupit të Kumanovës

Procesi dëgjimor i të akuzave për aksionin policor në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, pritet të vazhdojë të mërkurën dhe të enjten me të burgosurit në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Ky proces u bllokua në burgun e Shutkës, për shkak se të paraburgosurit e atjeshëm refuzuan të deklaroheshin, duke kërkuar më parë që prokuroria të prezantonte provat përse ata ngarkohen. Disa të tjerë madje kërkuan që fillimisht të konstatohej edhe gjendja e tyre shëndetësore e psikike, e më pas të deklarohen. Por kjo, sipas avokatëve mbrojtës, nuk nënkupton se ata mbrohen në heshtje por thjesht kërkojnë respektimin e të drejtave ligjore. Avokatët mbrojtës Naser Raufi dhe Artene Ademi Iseini presin që këtë gabim, prokuroria ta përmirësoje gjatë paraqitjes së saj të mërkurën dhe të enjten, duke dorëzuar më parë provat.

“Të mërkurën dhe të enjten do të vazhdojë rasti për këto që janë në burgjet e tjera të Prilepit dhe Manastirit, dhe mendoj që fillimi i muajit gusht do të realizohet kjo mundësi që të gjithë të japin deklaratë pasi t’ju realizohet e drejta e tyre që t’ju jepen provat që ti shohin para dhënies së deklaratës”, deklaroi Naser Raufi, avokat mbrojtës.

Procesi dëgjimor, sipas Raufit është momenti i fundit, dhe pret që aktakuza të jetë gati në vjeshtë. ALSAT mëson se të akuzuarit do të ngarkohen për veprat e terrorizmit dhe organizatës terroriste, por kjo nuk nënkupton se kjo akuzë, do të mbetet deri në fund. Saktësisht do të dihet vetëm në kohën kur aktakuza të bëhet e plotfuqishme, ndaj secilit prej të paraburgosurve.

Lajme të ngjashme

Back to top button