Politika kontrollon administratën e stërngarkuar

Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka kritikuar ashpër Qeverinë aktuale për mënyrën se si e menaxhon administratën publike. Komisioni Evropian e thekson si problem mungesën e transparencës gjatë punësimeve, si dhe rekrutimin në bazë të përkatësisë politike, e jo në bazë të meritokracisë.

Mbipopullimi i administratës gjithashtu është një problem për të cilin Komisioni Evropian disa herë me radhë shpreh shqetësimin e saj në Raportet e Progresit. Edhe ekspertët e administratës publike si problem kryesor e shohin mbipopullimin e administratës. Sipas profesorit Hasan Jashari, administrata ka arritur në mbi 200 mijë të punësuar për shkak të punësimeve kokë më vete të partive në pushtet.

“Punësimet shpesh bëhen të politizuara dhe për nevojat e shërbëtorëve të subjekteve politike. Kjo është një vërejtje serioze. Vërejtja tjetër është se në proçesin e punësimit, ende nuk janë të kapshme të dhënat për numrin e përgjithshëm të admnistratës publike, numrin e puntorëve në sektorin publik dhe ky numër arrinë  200 deri 210 mijë, ku shpesh subjektet që marrin pjesë në qeveri, kanë akuzuar njëra tjerën se punësojnë punëtorë jashtë rregullave dhe procedurave të zakonshme ose jashtë ligjit”, thotë Hasan Jashari.

Profesori Temelko Ristevski thekson se administrata duhet ti nënshtrohet një procesi të shkurtimit dhe risistemimit të punëtorëve, me qëllim që të kemi administratë efikase dhe shërbim efikas për qytetarët.

 “Adminsitrata jonë po e ngarkon buxhetin e shtetit dhe për këtë shkak duhet të punohen në drejtim të zvogëlimit të saj, që të krijohet një administratë realitivisht e vogël por efikase, e cila do ti servisojë në mënyrë efikase qytetarët e saj. Sipas meje kjo është një proces më i gjatë i cili nuk mund të zgjidhet menjëherë, por duhet kohë më e gjatë për risistemimin e punëtorëve aty ku ka nevojë dhe largimin prej aty ku ka mjaftueshëm. Administrata jonë publike është jo efikase për shkak se është e përmbushur me kuadër të zgjedhur jo nga sistemi meritorë por në bazë të përkatësisë politike, sipas afërsisë me garniturën qeveritare”, tha Temelko Ristevski.

Komisioni Evropian ka vërejtje edhe për pranimin e 1600 punëtorëve të rinj në konkursin e fundit, duke nënvizuar se punësimet në administratë nuk guxojnë të përdoren si masa sociale, por vetëm në rast nevoje për funksionimin e saj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button