LOJËRA PROVINCIALE

Ai ishte vetëm në kafene dhe bashkë me cingërimën e lugëve të çajit, jo që donte, e dëgjonte muhabetin e tavolinës që kishte pranë.

“Kanë vendosur ta bëjnë universitetin shtetëror në Shkup… Dhe, do ta bëjnë”.

Pastaj e ftuan edhe këtë në tavolinën e tyre.

“Nuk mundin ta bëjnë se u doli boja marifeteve të tyre. A e di ti pse e bëjnë? Pasha të madhin Zot ministri ata të partisë kanë thënë dhe kur thonë ata e bëjnë”.

“Sa e bënë Marrëveshjen e Ohrit”

“Pse, a për nevojat e popullit, e bëjnë, a”?

Atij i gurgullonin në vesh fjalët e një zëvendësministri i cili i thotë fjalët kaç e fug, kur pat thënë se kush ua luan atyre që bluajnë kundër nesh… Qentë lehin karvani ecën! Do ta bëjmë universitetin.

“Jo për nevojat e popullit, por për shumë nevoja të tjera, tha Ai”.

“Pse s’e sollën në Shkup UT-në atëherë kur i dha vizë Brankoja për legalizim, por tash janë kujtuar… Sa nisi të stabilizohet, ata duan ta shkatërrojnë UT-në dhe të bëjnë diçka tjetër që do të shërbejë për shumë qëllime politike e partiake”?

Vapa ishte e padurueshme. Nën hije të drurëve të bahçes së çajtores temperaturat arrinin dyzet gradë. Në diell, sigurisht shkonin te dyzet e pesa. Ai e kroi kokën dhe deshi më së shumti të binte një vesë shi. Ta largojë pluhurin.

“Të pyeta diçka”? i tha bashkëbiseduesi Atij.

“Edhe unë desha të ta bëj të njëjtën pyetje”, ia ktheu Ai.

Bashkëbiseduesi në atë çast e përqendroi shikimin te TV-ja. Një TV shqiptare e komentonte si lojë të pandershme punën e themelimit partiak të universitetit të Shkupit. Thoshte se kjo bëhet për nevoja elektorale njëherë e pastaj universitetin e ri ta shndërrojnë shtab partiak ku do ta fusin kokën në të thatë një mori njerëzish të partisë që i kanë marrë e që do t’i marrin titujt nëpër tezga të ndryshme.

“Bre”, bëri Bashkëbiseduesi, “këtu plani është më i thellë. Në të vërtetë shumë plane kanë ata”.

“Si mendon shumë plane”?

“Po, e para t’i gjunjëzojnë atë shtresë profesorësh që nuk e japin dinjitetin e tyre për teket e partisë. E, dyta, të krijojnë një rivalitet provincial midis shqiptarëve të Shkupit dhe Tetovës. Ka edhe plane të natyrës financiare, por ka  plane edhe më të këqija. Ata e kanë lënë Institutin e trashëgimisë në derexhe të mjerimit. Atë e kanë pasur si test se sa mund të ecin përpara”…

“Cili mund të jetë ky plan”?

“Dezintegrimi i rinisë shqiptare… Në vend të bashkimit të ketë grindje, tollovi, kaos, e cila i shkon për dore ndonjë politike të huaj”.

“E për këtë ka ilaç”, tha Ai.

“Ku e sheh ti ilaçin”?

“Unë mendoj se s’ka problem po të bëhet edhe një universitet. Por… Por mos të prekin në atë që është ndërtuar me djersën dhe gjakun e popullit shqiptar”.

“Nuk bën ta bëjnë ata universitetin në Shkup”, tha Bashkëbiseduesi, kurse të tjerët dëgjonin duke e thithur thellë tymin e cigareve.

“Bën, por, në paçin ko… le ta bëjnë një universitet i cili do t’i ketë katedrat e Universitetit të Ohrit. Jo t’i dyfishojnë katedrat, t’i bëjnë të njëjtat në Tetovë e Shkup.

“Atë s’e bëjnë dot”, tha Bashkëbiseduesi. “Ata nuk e kanë qëllimin të bëjnë diçka të hairit, si mendon ti, por duan të rrënojnë, siç kanë rrënuar deri më tash, sa janë në pushtet. Se po ta kishin pasur mendjen të bëjnë universitet, këtë çështje do ta nxirrnin në diskutim publik. Po ata s’e nxjerrin në shesh këtë punë. E bëjnë tinëz”.

“Pse të punojnë tinëz”? pyeti Ai.

“Zoti e di… E dinë edhe ata… Po e dimë edhe ne… Ne që themi ‘bane Zot andërr’.

“Unë them edhe njëherë: le ta bëjnë universitetin, por, ta them edhe një herë, me katedrat që i ka Universiteti i Ohrit”.

“Nuk e bëjnë ashtu” tha Bashkëbiseduesi. “Nuk e bëjnë për popull, por për VETE”…

Në qiell dolën disa re të zeza. Vapa lëshoi pe. Dita u freskua, por sikleti mbeti me temperaturë të lartë te njerëzit e popullit që pyesin: “Vallë çka bëjnë këta? Një fjalë nuk e thanë në bisedimet e fundit, por u aktivizuan të krijojnë tollovi midis shqiptarëve prej të cilëve e kanë marrë votën. Lojëra provinciale, thuajse kjo punë është një tender ndërtimtarie”… 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button