PPD: Universiteti i Shkupit, shaka e BDI-së para zgjedhjeve

Partia për Prosperitet Demokratik idenë  e BDI-së që të themelojë universitet të dytë shtetëror në gjuhën shqipe në Shkup e quan një shaka të rregullt  para çdo një prillit që BDI dhe lideri i saj shpesh herë e bëjnë në vigjilje të lloj-lloj zgjedhjeve: të parakohshme, paskohëshme, lokale etj.

“Hipoteza kryesore është  se  spin doktorët e VMRO-së me gojën e  BDI-së e lëshuan në qarkullim këtë spin për të  krijuar efekt  (edhe përkundër shumë dështimeve kombëtare përfshi këtu edhe buxhetin!) se koalicioni VMRO-BDI  i ka agjendë prioritare nevojat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Ky spin , sipas planeve, do të ndikonte të mos bie edhe më tej rejtingu i këtyre partive në sytë e shqiptarëve dhe kështu do t’i fitonin (vjedhin) edhe njëherë votat e qytetarëve dhe kësisoj  qeveritarët e koalicionit BDI-VMRO do t’u iknin  ndjekjeve të mundshme penale për veprat e pretenduara nga afera “bombat” e Zaevit.

Hipoteza tjetër është që kreut të   BDI-së Ahmeti, zotërinjtë e tij sy më sy t’ia ketë dhënë  një sheqerkë  gjel të quajtur universitet, për ta lëpirë para zgjedhësve (të cilët gjithnjë u besojnë rrenave të Aliut) në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare si dekoratë për besnikërinë e tij gjatë negociatave me Komisarin për zgjerim Hahn.

Dhe hipoteza e tretë është se tepër i kënaqur që në periudhën e sundimit të klanit familjar,  ashtu siç flitet ,  USHT në Tetovë   mbolli, rriti, edukoi, diplomoi, doktori dhe punësoi qindra e qindra “pionerë”, komandantë e aktivistë të devotshëm  partiak, Aliu vendosi të themelojë edhe një universitet partiak në Shkup edhe pse aty ka degë të disperzuara të USHT-së.

Se BDI kurrë nuk e ka çarë kokën për themelim të universiteteve në gjuhën shqipe flet edhe rrëfimi i përsëritur televiziv i ish presidentit Cërvenkovski se BDI asnjëherë prej tij nuk ka kërkuar legalizim të USHT-së por se këtë gjest ai e ka bërë vetë nga vullneti i tij.

BDI me këtë dëshiron të blejë  edhe një “bafçallëk” për prodhim serik të kuadrove partiake dhe terren më të mirë kësaj radhe e zgjodhi Shkupin e varfëruar deri në paskajë dhe me vite të sunduar nga bejlerë e agallarë partiakë në jarani të ngushtë me Mijallkovin.

PPD është e bindur se me një veprim të tillë BDI synon në fillim  ta shkatërrojë  dhe falimentojë USHT-në në Tetovë që më vonë ta privatizojë dhe partizojë ashtu siç e privatizoi dhe partizoi në mënyrë kundërligjore Zonën ekonomike të Tetovës.

PPD konsideron se sugjerimi i arsimdashësve shqiptarë në Maqedoni drejtuar BDI-së do të ishte që në vend të krijimit edhe të një institucioni për prodhim të diplomave të pavlera, ajo do të duhej të angazhohet që rritja e cilësisë së mësimdhënies ta radhit USHT-në, nëse jo më lartë, diku afër “Shën Kirilit” në Shkup ose madje edhe afër UEJL”, thuhet në reagimin e PPD-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button