Parrugësi! Ne merremi me Turqinë, kurse ajo me ekonominë

Më vjen keq që në mesin e shoqërisë sonë, imponohen asi lloj idesh që gjoja duke u brengosur për prapambeturin tonë historike, në të vërtetë pllakoset vazhdimësia e ngecjes politike, ekonomike dhe kulturore. Na imponohen ide dhe metoda urrejtëse kundrejt tjetrit, pikërisht prej elitave që do të duhej të ishin fener ndriçues drejt shpimit të këtij terri i cili ka përshkuar thuajse çdo skutë. Në vend të kultivimit të grurit, kjo elitë na drejton drejt kënaqjes me bluarjen e mielli, aq sa erdhi puna që shqiptarët në vazhdimësi të merren me të bëmat e zeza dhe të bardha të Perandorisë Osmane, njëherësh duke pasur cak goditjeje Turqinë e sotme, ndërsa Turqia në vend se të merret e ta harxhon tërë energjinë për histori, ajo po merret me ekonomi dhe sot lirisht mund të themi se ajo është radhitur në vargun e shteteve të fuqishme ekonomike, kulturore dhe ushtarake. Ajo po merret me ekonomi, kurse duke e gjymtuar zhvillimin tonë, ne po merremi me Turqinë, jo si model zhvillimi ekonomik dhe ushtarak, por si një ogurzi dhe për disa vetëm si një shpëtim, duke harruar se bota nuk është e përbërë vetëm prej dy ngjyrave. Ndoshta i ndikuar prej profesionit, në këtë fushë, Edi Ramës i lumtë, sepse dëshmoi se është artist që nuk pikturon vetëm me dy ngjyra.

Njëri prej atyre që nuk dëshiron ta lë të qetë shoqërinë shqiptarë rreth rrahjes së këtyre temave fare të panevojshme, është shkrimtari Ismail Kadareja. Ndoshta pa vetëdije, bie në grackë të atyre që natë e ditë në mënyrën sipërore flasin për Turqinë, mbase duan ta mitizojnë Turqinë e sotme, aq sa nuk përtojnë të bëjnë protesta në Shkup, edhe atë pikërisht në kohën kur Shkupi gëlon prej problemeve vendore. Megjithatë, kjo shpurë nuk përbën elitën shoqërore. Është periferi në aspekt të kahëzimit të rrjedhave tona. Thjesht, nuk njihen dhe nuk kanë peshë që do t’ia vlente të merrej me idetë dhe veprimet e tyre një elitë që tashmë ka zë dhe peshë në shkallë botërore. Një njeri i mençur nuk do ta mitizonte dhe nuk do ta trajtësonte në të paprekshëm askënd, aq më tepër ndonjë shtet apo lider shtetëror, ngaqë është maksimë e njohur në diplomaci se nuk ka miqësi të përhershme mes shtetesh, por përherë do të ketë interesa të ndryshme mes shtetesh. Tashmë Shqipëria në krye me Edi Ramën e ka qartësuar pozicionin e Shqipërisë ndaj Turqisë. Po ashtu, edhe Kosova e Maqedonia, ndërsa çfarë kam unë apo ai që rrëmojmë dheun e djeshëm, që përpos shembjes nuk do të sjell diçka tjetër, shembje kjo që pikërisht sot nuk i duhet shqiptarëve.

Për më keq dhe tragjikisht, në Maqedoni, prej vitit 2002 e deri më sot, shumë shqiptarë u vranë dhe u burgosën pa asnjë faj. Kurse, shkrimtari i madh dhe intelektuali Ismail Kadareja asnjë fjalë nuk e pa të arsyeshme ta thotë për gjithë këto vrasje dhe përçmim të dinjitetit tonë. Po ashtu, arsimi shqip edhe pse tashmë i zyrtarizuar, përjetoi fatin më të keq në histori; diplomuan edhe injorantët për t’u bërë kështu injorantë me diplomë, banditët e rrugaçët, si dhe mësimdhënia më tepër u përshkua prej profesorëve që ishin të varur prej partisë dhe fare të varur prej librave, për të ardhur kështu në një gjendje sasiore të kënaqshme, por shumë pak cilësi dhe shumë pak kritika të njëmenda kundrejt ecurive në shoqëri dhe në shtet. Sërish i madhi Kadare asnjë fjalë, as një mendim dhe asnjë propozim se si mund të dilet prej këtij bataku shumë të ndjeshëm e përfundimisht mbytës. Pas gjithë kësaj heshtjeje që atij dhe çdo intelektualit nuk i falet dot, ai gjen kohë dhe vullnet të merret jo me të zezat e romakëve, bizantinëve, rusëve, serbëve, maqedonasve, por me ato osmane. Një intelektual i ndritur përpara se do ta vajtonte papraninë e shkollave shqipe në periudhën osmane, pjesë e së cilës që ishin edhe shqiptarët, fillimisht duhet të hulumtojë se në të vërtetë sa u kërkuan ato shkolla dhe prej kujt u kërkuan, kur dihet mirëfilli historik se shqiptarëve nuk i mungonin kokat e ndritura atëkohë, siç ishin rilindësit, të cilët ani pse ishin shkolluar në shkolla ku nuk mësohej shqip, mirëpo kishin arritur të lënë gjurmë intelektuale gjithandej. Më vjen keq, që shumë syresh nuk arrijnë ta kuptojnë se njeriu nuk është analfabet nëse nuk shkollohet në gjuhën amtare. Ferid Murati nuk ishte shkolluar në gjuhën shqipe, por ec e thuaj këtij shqiptari analfabet! As Gonxhe Bojaxhiu nuk ishte shkolluar në gjuhën shqipe, por ec e thuaj saj analfabete! Po ashtu, Kim Mehmeti nuk është shkolluar në gjuhën shqipe, por ec e thuaj këtij njeri të guximshëm analfabet! As shumica e rilindëseve nuk ishin shkolluar në gjuhën shqipe, por ec e thuaj atyre analfabetë! Pse i solla këto pak shembuj? Sepse, dua miqësisht t’i tregoj kësaj shpure, se pas tërheqjes së Perandorisë Osmane, shqiptarët nuk ishin 99.9 për qind analfabet, siç thonë shpesh këta, ashtu siç turqit nuk ishin analfabet pas ndërrimit të alfabetit prej Ataturkut, ngaqë parimisht analfabeti nuk di fare shkrim dhe lexim në asnjë gjuhë.

Prandaj, shpresoj që Kadareja të na ndihmojë se si të dalim prej amullisë dhe pashpresës që sot si kapadai kanë shtrirë këmbët në mjedisin tonë dhe jo të na imponojë ide dhe biseda që në të vërtetë do të na dëmtojnë shumë, aq më tepër nëse rrahja e këtyre temave bëhet me prapavijë fetare!

Lajme të ngjashme

Back to top button